Kreu Blog Faqe 888

Ç’po ndodh? Dhjetëra të helmuar në Spitalin e Kukësit

0

Dhjetëra persona kanë përfunduar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit me simptoma të njëjta helmimi. Shtimi i rasteve me temperaturë dhe simptoma të tjera ka nisur nga mesdita e së shtunës dhe gjatë së dielës.

FLUKSI

Mjeku roje i Urgjencës së Spitalit në Verilindje të vendit tonë, Albert Shehu, ka deklaruar se nga mëngjesi i së dielës deri në orët e mesditës, të paktën 50 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa shumica e tyre kanë pasur të vjella dhe diarre. Ndërsa nuk përjashton që shkak i kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në spital mund të jenë bërë virozat e stinës, mjeku Shehu thekson se nuk përjashtohet mundësia që pacientët të kenë pësuar helmime nga uji i pijshëm.

“Ky fenomen mund të lidhet me një gjendje virale ose intoksikacion që mund të jetë nga uji, mund të jetë nga perimet, mund të jetë nga frutat. Ka një fluks të shtuar. Vetëm sot nga ora 08:00 e deri më tani mund të ketë mbi 50 vizita, nga të cilat 40 janë me bark dhe të vjella, janë shoqëruar edhe me temperaturë. E kemi përballuar situatën deri më tani dhe do ta mbajmë situatën nën kontroll”, tha Shehu.

SHKAKU?

Pavarësisht shtrimeve, kërkesave të shumta për ndihmë mjekësore në Spitalin e Kukësit, mbetet mister shkaku i asaj që mund të konsiderohet si helmim masiv. Mjeku i Urgjencës thotë se të prekur janë edhe fëmijët, pasi ka raste të shtuara në Pediatrinë e Spitalit. “Nga të gjitha grup-moshat. Ka edhe te pediatria që ka një numër shumë të shtuar, por edhe te të rriturit ka shtime. Është njoftuar Drejtoria e Higjienës. Është ngritur si problem. Nuk dihet nga se është shkaktuar, por do të ndiqet për ta përcaktuar shkakun”, tha ai. Ndërsa për rastin janë njoftuar institucionet përkatëse, njësia vendore e kujdesit shëndetësor ka marrë 5 mostra uji në fshatin Shtiqën. Ende nuk dihet se cili është shkaku që ka shkaktuar probleme shëndetësore te qindra banorë të Kukësit.

Precedenti

Qindra persona përfunduan në Spitalin e Krujës në fund të muajit tetor të vitit të shkuar me simptoma të njëjta helmimi, përfshirë temperaturë, diarre dhe të vjella. Banorët thanë se ishin helmuar nga uji i pijshëm që kishin konsumuar për gatim. Rreth 500 persona kërkuan ndihmë mjekësore në spital, përfshirë edhe rreth 150 fëmijë. “Nga analizat e marra nga ISHP, ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri Enterokokus, shkak i këtyre shqetësimeve, situata që sot flasim është shumë e qetë, ka mbaruar pothuajse shqetësim, do ta ndjekim me rigorozitet, epidemi e shkaktuar nga uji”, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik pas analizimit të mostrave të ujit.

Analisti i njohur amerikan: Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç plan për destabilitet në Ballkan

0

Specialisti i politikës së jashtme, Edward P. Joseph,  ka dhënë alarmin për situatën në Ballkan. Eksperti i njohur amerikan, në një intervistë për mediat u shpreh presidenti rus Vladimir Putin bashkë me aletin e tij në Serbi, Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik në Bosnjë po tentojnë të destabilizojnë Ballkanin. Joseph tha për “The Geopost” se Vladimir Putin për të dalë i fituar, nuk ka nevojë të bëjë një luftë të re në Ballkan. “Vladimir Putin për të përfituar nga problemet në Ballkan nuk ka nevojë të bëjë një luftë të re. Vladimir Putin përfiton në Ballkan edhe duke e mbajtur situatën të njëjtë. Duke i mbajtur këto tensione në rritje, duke u përpjekur për të krijuar tensione të reja. Por as që duhet të jetë një luftë. Nuk duhet të jetë një luftë e re, për shembull në Bosnje dhe Hercegovinë, që Vladimir Putin të përfitojë. Për sa kohë që situata mbetet e tillë, besimi në këtë rajon, në SHBA dhe në Bashkimin Evropian bie. Mbështetja për Bashkimin Evropian bie. Ai mund ta përdorë këtë si shembull, në sytë e tij, të një projekti të dështuar, të një Bashkimi Evropian të dështuar, pikërisht ashtu siç po përpiqet të përdorë dhe demonstrojë në Ukrainë. Dhe përveç kësaj ai përfiton duke e mbajtur këtë rajon në këtë mënyrë. Ai ka një aleat që e ndihmon të realizojë axhendën dhe ai aleat është në Serbi, ai është presidenti Aleksandër Vuçiç që e ka demonstruar atë, edhe para pushtimit. Por tani pushtimit rus e shohim me qartësi, se ai është partneri i Vladimir Putinit në të njëjtën axhendë të mbajtjes së këtij rajoni të ndarë dhe përpjekjes për të ndarë Evropën”, u shpreh ai.

Aleatët e Putinit në Ballkanin Perëndimor

Joseph, i pyetur nëse Putin mund ta përdor Vuçiçin për të krijuar telashe, për shembull në veri të Kosovës apo në Bosnje dhe Hercegovinë, me Milorad Dodik për të destabilizuar këto dy shtete, tha: Loja nuk është se Vuçiç do ta shtyjë Dodikun që të bëjë telashe. Është se Vuçiç përfiton nga ky destabilizimi i mundshëm. Pra, kështu shkon loja sepse njerëzit kanë frikë se Dodik do të fillojë diçka sepse ai ka mbështetjen ruse që SHBA-ja dhe BE-ja më pas duhet t’i drejtohen Beogradit, duhet t’i drejtohen Vuçiçit dhe të thonë “do të na ndihmoni të kontrollojmë Dodikun?”. Dhe kjo është një lojë. Kjo është ajo që ne e quajmë në Shtetet e Bashkuara një raketë, është një mashtrim. Vuçiç po propozon pikërisht strategjinë që e realizon Dodiku. Ai pretendon se respekton sovranitetin boshnjak, ndërkohë flet për botën serbe dhe bart politikën tonë botërore serbe duke cenuar sovranitetin e Malit të Zi dhe gjithashtu duke e penguar Kosovën të ecë përpara, duke e bllokuar Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Pra, Aleksandër Vuçiç kryen një axhendë të ngjashme. Ai nuk ka pse të ketë një luftë të re dhe Putini nuk ka nevojë për një luftë të re në këtë rajon në mënyrë që të përfitojnë për ta mbajtur atë të paqëndrueshëm. Por status quo-ja e qëndrueshme është gjithashtu e dobishme për Moskën, siç është edhe përkeqësimi.

Dialogu Prishtinë-Beograd nuk do të ketë sukses

Gjithashtu, ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë sukses përderisa janë pesë vende të tjera në Bashkimin Evropian që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe Serbia nuk ka interes për ta zgjidhur këtë problem. “Jo. Nuk besoj se dialogu do të ketë sukses dhe kjo nuk është për shkak se Miroslav Lajçak nuk po përpiqet. Ai po përpiqet shumë, është shumë i përshtatshëm dhe e kupton problemin. Është se Serbia nuk ka interes për ta zgjidhur këtë problem të dialogut. Dhe është një iluzion të besosh se Serbia në një pikë të dialogut do të arrijë në njohje. Nuk do të arrijë. Arsyeja që nuk do të jetë është sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën. Kjo është arsyeja pse dialogu nuk mund të funksionojë. Nuk mund të funksionojë sepse përderisa ata nuk e njohin Kosovën, Serbia nuk ka pse ta njohë Kosovën. Serbia që ne e njohim nuk dëshiron ta njohë Kosovën. Është në mënyrë aktive armiqësore ndaj Kosovës. Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Këshilli i Evropës është mjet bashkëpunimi. Pse vendet që duan të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre, pse nuk e duan Kosovën në Këshillin e Evropës? Në Beograd reagimi ishte armiqësor ndaj kësaj”, tha analisti amerikan.

Po e bllokon liberalizimin e vizave, eksperti amerikan propozim për Kosovën: Bëjani të qartë këtë gjë Francës!

0

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se njeriu që po bllokon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin.

Sipas saj, Darmanin është shkaktar që Franca nuk aprovon heqjen e vizave për Kosovën.

“Problemi nuk është ai dhe këshilltarët e tij, por ministri i Brendshëm. E vështirë”, i është përgjigjur Von Cramon, gazetares gjermane Francizka Tschinderle, pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Evropian, që u mbajt të enjten në Bruksel.

E drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’ia bëjë të qartë Francës se Kosova do të pezullojë dialogun me Serbinë, derisa të zbatohet liberalizimi i vizave.

“Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë Qeverisë franceze dhe cilitdo homolog evropian, se dialogu Kosovë-Serbi me BE-në që shërben si ndërmjetësues është pezulluar, derisa të zbatohet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar ish-zyrtari në Departamentin e Shtetit, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, BE-ja, do të humbë kredibilitetin si ndërmjetësues në dialog, nëse nuk merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“BE-ja humbet kredibilitetin si ndërmjetës nëse nuk mund ose nuk do të ecë përpara me liberalizimin e vizave, i cili u zotua shumë kohë më parë dhe është ende në pritje”, është shprehur analisti amerikan

Ngrohja globale mund t’i bëjë njerëzit më të dhunshëm

0

Efektet e krizës klimatike variojnë nga ankthi i shtuar, deri tek shtimi i akteve të dhunshme dhe i vetëvrasjeve, pas disa ngjarjeve ekstreme që lidhen me ndryshimin e klimës. Kështu shprehet dr.Dovil Sorit, psikologe mjedisore, dhe studiuese në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vilniusit në Lituani, në një raport të publikuar kohët e fundit.

Raporti, i bashkë-autorizuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, sugjeron se duhet bërë një dallim midis ndikimeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të ndryshimeve klimatike mbi shëndetin mendor të njeriut. Sipas Sorit, ndikimi i drejtpërdrejtë vjen nga frekuenca dhe intensiteti në rritje i fatkeqësive natyrore që lidhen me ndryshimet klimatike përmbytjet, thatësirat, uraganet, zjarret dhe valët e të nxehtit.

Në ngjarje të tilla, njerëzit mund të pësojnë lëndime fizike, dhe të humbasin njerëzit e dashur, shtëpinë apo burimin e tyre të të ardhurave. Kjo do të thotë se ata mund të përjetojnë tronditje, stres dhe pikëllim, së bashku me ndjenjën e të qenit të pashpresë dhe të pafuqishëm. Dëshmitarët e ngjarjeve tragjike, mund të përjetojnë emocione shumë të forta. Pas një fatkeqësie natyrore, rritet numri i rasteve të depresionit, çrregullimit të stresit post-traumatik (PSTD) dhe vetëvrasjeve”- thotë ekspertja.

Ajo përmend rastin e përmbytjeve të mëdha të viteve 2013-2014 në Britaninë e Madhe. Tre vjet pas përmbytjeve, 7.9 për qind e popullsisë së prekur përjetoi simptoma të depresionit, dhe 17.5  për qind simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik; krahasuar me 0.9 dhe 2.6 për qind të popullsisë së paprekur.

Si shkaku kryesor i përkeqësimit të mirëqenies emocionale, u theksuan dëmtimet në banesat e banorëve të prekur. Sipas psikologes, ndikimet indirekte lindin nga procese më graduale – si rritja e temperaturave dhe e nivelit të detit – dhe ndryshimet e lidhura lidhen me sistemet ushqimore më pak të sigurta, një infrastrukturë më të dobët dhe humbje ekonomike.

“Këto ndryshime mund të çojnë në shfaqjen e ndjenja të humbjes, ankthit, pafuqisë, fatalizmit dhe humbjes së kontrollit, të kombinuara me rritje të shkallës së depresionit, shqetësimeve të gjumit dhe abuzimit me substancat narkotike. Në këtë rast, problemet e shëndetit fizik, të tilla si nivelet më të larta të sëmundjeve infektive ose kardiovaskulare, të cilat shoqërohen me rritjen e temperaturave, mund të ndikojnë gjithashtu në mirëqenien psikologjike të një personi”- thotë dr Sorit.

Ekspertja shton se kjo është një marrëdhënie e kundërt:gjendja jonë mendore, ndikon në shëndetin tonë fizik. Për shembull, stresi i zgjatur në kohë e dëmton sistemin imunitar. Ndaj, efektet psikologjike dhe sëmundjet fiziologjike janë shumë të ndërlidhura midis tyre.

Studiuesja argumenton se ndikimi i ndryshimeve klimatike mbi komunitetet, përfshin një dobësim të kohezionit social dhe një rritje të dhunës, konfliktit dhe agresionit. Vetëm në SHBA ndryshimi i klimës ka shkaktuar 3.3 milionë sulme të dhunshme shtesë midis viteve 2010-2099.

“Sjellja e dhunshme lidhet veçanërisht me temperaturat e larta, pasi vapa e madhe është një stresor fiziologjikisht i pakëndshëm, që mund të çojë në frustrim dhe armiqësi. Pasojat psikologjike në nivel komuniteti, shoqërohen edhe me rritjen e konkurrencës për burimet natyrore, migrimin e nxitur nga shkaqe ekologjike dhe rënien e stabilitetit social”- thekson psikologia.

Në lidhje me grupet që do të preken më shumë nga ndryshimet klimatike, Sorit identifikoi së pari komunitetet në zona ose rajone të caktuara gjeografike që preken më rëndë nga ndryshimet klimatike, siç janë popullatat e ishujve, si dhe njerëzit, jetesa e të cilëve varet drejtpërdrejt nga mjedisi natyror.

Ajo përmend në raport shembullin e thatësirave që ndodhën në Indi midis viteve 1995- 2011, të cilat e rritën ndjeshëm numrin e vetëvrasjeve midis fermerëve, sidomos atyre që jetonin në zonat e varfra rurale. Po ashtu, Sorit thotë se fëmijët kanë më shumë gjasa sesa të rriturit të zhvillojnë depresion ose çrregullim të stresit post-traumatik pas një përvoje traumatike, dhe format e çrregullimeve të tyre mund të jenë më të rënda.

Rreth 175 milionë fëmijë në mbarë botën, preken çdo vit nga fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Prandaj, është e rëndësishme të merren parasysh grupet më vulnerabël, kur merren masat për të zbutur efektet e ndryshimeve klimatike apo për të rritur nivelin tonë të përshtatjes”- shpjegon ajo.

Psikologia vë po ashtu në dukje se ankthi ndaj ndryshimit të klimës, mund të lidhet me kërcënimet për shëndetin ose jetën e një personi, si dhe mund të ketë një ndikim tek fëmijët e tyre, miqtë dhe familja, brezat e ardhshëm dhe specie të tjera. Sipas saj, ky ankth lidhet veçanërisht me dëmet, humbjet dhe shkatërrimet aktuale apo të pritshme të shkaktuara nga ndryshimi i klimës.

Një studim i fundit në 10 vende të botës, zbuloi se gati 60 për qind e të rinjve të moshës 16-25 vjeç, ndiheshin shumë ose jashtëzakonisht të shqetësuar për ndryshimet klimatike. “Madje disa njerëz pyesin nëse ia vlen të kesh fëmijë, pikërisht për shkak të këtyre shqetësimeve”- thotë studiuesja.

“Nxënës që u futën me telefon morën notën 9.5”/ Maturantët njoftojnë protestë, ja ku do të mblidhen

0

Brenda një harku të shkurtër kohor, maturantët janë njohur me rezultatet e te tria provimeve me detyrim, ndërkohë që premtohen shumë shpejt edhe rezultatet e lëndës me zgjedhje.

Testi i Matematikës ishte ai që i vuri “vulën” zemëratës së të rinjve, që deri dje ishin më të qetë krahasuar me vitet e kaluara, ku çdo tezë është kontestuar. Një lumë pakënaqësish kanë vërshuar në rrjete sociale nga maturantët që thonë se do të protestojnë sot në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit

Pas protestës së të shtunës së javës që shkoi për tezën e provimit me zgjedhje, e cila, sipas tyre, nuk përputhej me programin e lëndës të zhvilluar në shkolla, maturantët do të dalin sërish sot në rrugë për të kundërshtuar skemën e vlerësimit të provimit të dytë me detyrim, Matematikës.

Pas lumit të komenteve negative në “Facebook”, zemërata do të zhvendoset sot përpara Ministrisë së Arsimit, për atë që ata e cilësojnë si “mund i çuar dëm”. “Të harxhosh miliona lekë në vit kurs, të punosh dhe natën me Matematikën dhe të shohësh notën 6 në provim, nuk kam fjalë.

Mund në vite i çuar dëm. E dija që do dilja keq, por jo kaq. Edhe Biologjia kushedi se çfarë do të na nxjerrë, duke parë skemën e vlerësimit. Ndërkohë, nxënës që u futën me telefon morën 9.5. Shpresoj të vijnë në protestë sa më shumë nxënës”, shprehet një nga të rinjtë e indinjuar në rrjete sociale.

REAGIMI

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, thotë se protesta e maturantëve është një kambanë e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi.

Me anë të një statusi në “Facebook”, ai vë në dukje se maturantët kanë vite që nëpërkëmben, ndërsa “kalvari i tyre në monopatet e një arsimimi aspak cilësor, diskriminues dhe i mangët, përmbyllet me një garë-test mature fiktiv, banal, i metë dhe penalizues”.

“Protesta e maturantëve është kambana më e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi. Padrejtësia e ngritur në sistem, ka prekur edhe brezin ku ëndrra është gjithmonë më e fortë se realiteti.

Por tashmë gjithçka është thyer. Sot realiteti është më i fortë se ëndrra dhe e tejkalon atë. Hidhtësia e tij ka mbytur çdo ëndërrim rinor, shpresë e perspektivë edhe te mosha më optimiste dhe e sinqertë.

Ai thekson se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por është tërësore, duke theksuar se në 7 korrik, kur Sali Berisha ka thirrur protestën, do të protestohet edhe për ta. Atyre dhe familjeve të tyre sot u kanë rrëmbyer gjithçka. Edhe ëndrrën. Përfundimisht kësaj qeverisje i ka ardhur ‘ngordhja’”, shkruan Boçi.

Deputeti këmbëngul se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por sepse atyre dhe familjeve të tyre iu kanë rrëmbyer gjithçka, ëndrrën. “Kur studentët e shohin që padrejtësia është bërë mal, zemërohen me protestë.

Ndryshimi i kërkuar prej tyre gjithmonë është revolucionar dhe ata kërkojnë përmbysje. Edhe në këtë rast, një qeverisje serioze vetëlargohet. Por ama, kur dalin në protestë 18- vjeçarët është fundi, fundi fare.

Sepse kjo tregon që drama tërësore ka kapur dhe atë segment të shoqërisë ku fle e ardhmja dhe shpresa. Padrejtësia ndaj tyre është kulmi i padrejtësisë që e bëjnë vetëm regjimet”, thotë Boçi, duke shtuar se në protestën e PD-së, në 7 korrik, do të protestohet edhe për ata.

Qarku që thyen rekord me rezultate maksimale

Dalin notat e Matematikës Rezultatet e provimit të Matematikës për shumicën e maturantëve ishin më shumë se sa zhgënjyese. Nga 29 mijë e 829 maturantë pjesëmarrës në provim, plot 1729 maturantë kanë rezultuar mbetës, ose 5.7%, i përafërt me atë të vitit të kaluar, ku kalueshmëria ishte në nivelin 94% në rang kombëtar.

Pavarësisht pakënaqësive, ka pasur një numër të konsiderueshëm maturantësh që kanë rrëmbyer dhjetën absolute, 10.00. plot 234 të tillë, nga vetëm 36 vitin e kaluar. Një tjetër tregues i trendit pozitiv të të dhënave të përgjithshme është nota mesatare, e cila gjithashtu ka ardhur në rritje. Nga 6.75 vitin e shkuar, maturantët e 2022 kanë një mesatare totale në nivelin e 6.88.

Sipas grafikut të notave në rang qarku të përpunuar nga disa të rinj të “Portali studentor”, Kukësi rezulton “kampion” me mesataren më të lartë, 8.43, ndjekur nga Durrësi, Lezha, Tirana e Shkodra.

Por jo vetëm në Matematikë. Maturantët e Kukësit kanë shkëlqyer edhe në dy provimet e tjera me detyrim, Gjuhë e huaj dhe Gjuhë shqipe e letërsi, me mesatare në rang qarku përkatësisht 8.39 dhe 7.83. Ky fenomen nuk ndodh vetëm sivjet në fakt, por edhe më herët.

Janë ekspertët e pavarur apo ata të Ministrisë së Arsimit që mund të përmendin arsyet që renditin të rinjtë e qytetit verilindor në krye të “top” listës së të shkëlqyerve në mbarë vendin, në një kohë që nuk përfshihen në asnjë olimpiadë kombëtare a ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, administrimi vijon të përmendet si një ndër pikat më të forta të maturës, pavarësisht se rëndom, tezat bëjnë xhiron në rrjete sociale ndërkohë që të rinjtë testohen.

Si u vodhën miliona euro tokë në Dhërmi përmes zyrave shtetërore

0
FSHATI DHERMI - Fshati Dhermi ku catite dhe fasadat e shtepive jane restauruar sipas nje projekti te Fondit Shqiptar te Zhvillimit, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Boterore dhe Keshilli i Europes. Fshati Dhermi shtrihet ne fund te nje plazhi me teper se 5 km te gjate, i cili perfundon me nje koder, mbi te cilen ngrihet manastiri i Shen Theodhorit. /r/n/r/nDHERMI VILLAGE - Dhermi village where the roofs and facades of the houses have been restored according to a project of the Albanian Development Fund, funded by the Albanian government, the World Bank and the Council of Europe. The village of Dhermi lies at the bottom of a beach more than 5 km long, which ends with a hill, on which rises the monastery of St. Theodore.

Prokuroria beson se pas një grabitjeje në zyrat e Qarkut Vlorë fshihet një skemë e sofistikuar kriminale për tjetërsimin e të paktën 63 mijë m2 tokë në fshatin piktoresk të rivierës së Jonit.

Zyrat e Këshillit të Qarkut në Vlorë u thyen mesnatën e 11 tetorit. Grabitësit hynë nga dritarja në zyrën e zëdhënësit për median dhe më pas thyen dyert e zyrave të Drejtorisë së Administrimit e Mbrojtjes së Tokës, ku shkulën dorezat e dollapëve prej kompensate që mbajnë dokumentet e tokës bujqësore të shpëndarë nëpërmjet ‘ligjit 7501’ dhe u larguan bashkë me disa dosje.

Grabitja zgjati më pak se 5 minuta, por ajo nuk ishte një ngjarje e rëndomtë. Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas saj qëndron përpjekja për të fshehur gjurmët e një skeme kriminale të orkestruar nga disa zyrtarë shtetërorë për tjetërsimin e tokave në bregdet me vlerë prej miliona eurosh.

Një javë pas grabitjes, në pranga përfunduan drejtori i DAMT-së në Qarkun Vlorë, Bardhyl Gjika, paraardhësi i tij Klodian Troci, specialisti Kreshnik Mino si dhe Spiro Duni nga fshati Dhërmi. Të katër të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në fshatin Dhërmi. Gjika dhe Mino dyshohen gjithashtu se inskenuan edhe vjedhjen e dokumenteve të pronave në zyrat e qarkut.

Të mërkurën, Gjykata e Apelit Vlorë vlerësoi masën e sigurisë ndaj të pandehurve, duke lënë në paraburgim Gjikën, Trocin dhe Dunin, ndërsa Mino u la në arrest shtëpie.

Përveç punës në DAMT, Troci ka shërbyer më parë edhe si drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.

Vëllai i tij, Ilir Troci i tha BIRN se akuza ishte një histori e stisur nga persona që kërkonin ta dëmtonin Klodianin, i cili kishte pasur përplasje fizike për shkak të punës në Kadastër dhe ruhej me roje private përpara arrestimit.

Alpin Aga, avokati i Spiro Dunit deklaroi se Prokuroria e Vlorës nuk kishte asnjë provë për fajësinë e klientit të tij.

“Nuk kanë asnjë provë shkencore se është Spiro Duni autor i falsifikimit,” tha Aga.

Arjan Isufi, avokati i Kreshnik Minos i mohoi akuzat ndaj klientit të tij, ndarkohë mbrojtësi ligjor i Bardhyl Gjikës nuk ishte i arritshëm për koment.

Tjetërsimi i tokës në Drimadhë

Bregdeti i Dhërmiut dhe i Palasës i fotografuar nga Qafa e Llogarasë

Qarku i Vlorës përfshin 7 bashki me një sipërfaqe prej 2,706 kilometra katrorë. Ky qark ka një vijë bregdetare të gjatë 244 kilometra, që shtrihet në detin Adriatik dhe Jon, nga grykëderdhja e lumit Vjosa në veri deri në kufirin me Greqinë në jug.

Ligji 7501 “Për tokën”, i miratuar në 19 korrik 1991 dhe i ndryshuar pesë herë deri në vitin 2004 ka rregulluar shpërndarjen e tokës bujqësore familjeve që ishin anëtare të ish-kooperativave bujqësore. Të dhënat për tokat bujqësore të shpërndara nëpërmjet ligjit 7501, ruhen në Drejtoritë e Administrimit e Mbrojtjes së Tokës në secilin qark.

Me klimë të butë dhe ujëra të kristalta, bregdeti i Jonit që shtrihet në bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, përbën një nga zonat më popullore turistike të Shqipërisë.

Zhvillimi i shpejtë i turizmit në këtë zonë gjatë viteve të fundit ka sjellë një rritje eksponenciale të vlerës së tokës dhe fatkeqësisht nuk kanë munguar rastet e tjetërsimit të pronësisë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet falsifikimeve, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Për shkak të konflikteve, akuzave për korrupsion dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronës, gjatë dy viteve të fundit, Agjencia Shtetërore Kadastrës Vlorë, ASHK ndërroi 10 drejtues – një prej të cilëve ishte dhe Klodian Troci.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, skema e ngritur nga të pandehurit për tjetërsimin e pronave në Dhërmi ka zgjatur disa vite.

Në vitin 2019, i pandehuri Spiro Duni aplikoi për ndryshimin e zërit kadastral në DAMT-në e qarkut Vlorë për një sipërfaqe toke prej 590 m2 në fshatin Dhërmi, të cilën ia kishte shitur tre vite më parë tre personave, pjesë e një prone më të madhe prej 8250 m2 të trashëguar nga i ati – i cili e kishte marrë në pronësi nëpërmjet ‘ligjit 7501’.

Në vijim të të njëjtit transaksion, Duni aplikon sërish në DAMT në shkurt 2020, ku kërkon “pajisje me vërtetim të dhënash nga formularët”. Dy muaj më vonë, në prill 2020, DAMT-ja i kthen përgjigje Dunit dhe sipërfaqja totale e tokës që i ishte transferuar babit të tij nga shteti në vitin 1994 rritet me 1,510 m2.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, veprimet e paligjshme mbi kartelën e kësaj pasurie janë kryer nga specialisti Mino dhe janë konfirmuar nga ish-drejtori i DAMT-së, Klodian Troci. Në nëntor 2020, Troci u largua nga DAMT për të rimarrë postin e drejtuesit në ASHK-në e Vlorës.

Në 11 prill 2021, kur Troci drejtonte Kadastrën, Spiro Duni aplikon në ASHK për të marrë dokument pronësie mbi parcelën në Dhërmi me sipërfaqen e tjetërsuar.

Në ndjekje të procedurës së lëshimit të dokumentit të pronësisë, ASHK në 21 prill 2021 i kërkon DAMT-së Vlorë një kopje të aktit të marrjes të tokës përdorim – i njohur si AMTP, nga Thoma Duni – babai i Spiros dhe familja e tij bujqësore.

Brenda ditës, drejtuesi i ri i DAMT-së, Bardhyl Gjika i kthen përgjigje ASHK-së, duke dërguar kopje të dokumenteve dhe formularit, ku sipas prokurorisë falsifikimi është i “dukshëm me sy të lirë”.

Milona euro me një të rënë të lapsit

Të dhënat e përftuara nga agjencitë imobiliare tregojnë se në fshatin Dhërmi, një metër katror tokë kap një vlerë tregu më të madhe se 100 euro.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, 1510 m2 që iu shtuan në mënyrë të paligjshme pronës së Spiro Dunit janë vetëm maja e ajsbergut të falsifikimeve në zyrat e Qarkut Vlorë.

Në kërkesën për masë sigurie të depozituar në Gjykatën e Vlorës thuhet se përveç rastit të Spiro Dunit ekzistojnë dyshime edhe për 3 persona të tjerë, të cilët dyshohet së kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit 59 mijë m2 tokë. Vendimi i masës së sigurisë nuk sqaron nëse këto persona janë nën hetim dhe as se kush ka aplikuar për ndryshimet në dokumentet e pronësisë.

Në njërin rast, dokumenti i marrjes në përdorim të tokës me sipërfaqe 670 m2, është tjetërsuar duke i vënë një dysh përpara dhe duke e zmadhuar sipërfaqen në 2,670 m2. Në rastin e dytë, një sipërfaqe prej 9,910 m2 e regjistruar në vitit 1994, është njehsuar nga DAMT e Vlorës në vitin 2020 me një sipërfaqe totale prej 52,510 m² – duke i shtuar pronës 42,600 m2 përmes korrigjimeve.

Në rastin e tretë ekzistojnë tre akte të ndryshme të marrjes së tokës në përdorim të lëshuar në të njëjtën datë – njëri me sipërfaqe 6,700 m2, i dyti me sipërfaqe 12,000 m2 dhe i treti me sipërfaqe 20,820 m2.

Ndërkohë, një prej personave të përmendur në hetim – i cili kishte përfituar një sipërfaqe prej 4,885 m2 në Dhërmi, nuk duhet të ishte përfitues në bazë të ligjit 7501, pasi ishte zhvendosur nga Himara në Tiranë në vitin 1960.

Në vendimin e Gjykatës së Vlorës për masën e sigurisë shkruhet se dokumentet e falsifikuara kishin kaluar në shumicën e rasteve nga Gjika në rolin e specialistit te Troci si drejtues i DAMT-së.

Sipas vendimi të Gjykatës së Vlorës, mbi 63 mijë m2 tokën në bregdet janë tjetërsuar kur Troci dhe Gjika kanë drejtuar zyrën e DAMT-së së Qarkut Vlorë.

Rreziku i madh pas Jo-së së BE-së

0

Shkruan Klodian Tomorri

Pak orë pasi Bashkimi Europian i përplasi Jo-në e radhës dhe ndoshta atë përfundimtaren Shqipërisë për hapjen e negociatave, qeveria në Tiranë publikoi për konsultim publik projektligjin për një amnisti të gjerë fiskale. Rastësi? Ndoshta. Por siç thotë një shkrimtare e famshme amerikane; rastësia është lajmëtari i së vërtetës.

Ajo që dimë me siguri është se Bashkimi Europian ishte një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Amnistisë Fiskale dhe ndoshta edhe pengesa kryesore se pse qeveria po frenohej për ta miratuar atë. Por tashmë rrethanat kanë ndryshuar.

Braktisja e nuses në altar- siç thotë kryeministri- nuk ka zbehur vetëm shpresat për një anëtarësim të mundshëm të Shqipërisë në BE, por ka krijuar dhe një risk shumë të madh. Praktikisht ka asgjësuar levën e presionit pozitiv që prespektiva e anëtarësimit ushtronte mbi qeverinë dhe klasën politike në Shqipëri. Tashmë rreziku që vendi të hyjë në një një rrugë të mbrapshtë është i madh.

Projekti për të amnistuar penalisht krimet në fushën e tatimeve dhe doganave është sakaq një masë, e cila do të shkaktojë debate në Shqipëri dhe pakënaqësi në korridoret e Brukselit. Por frika më e madhe është se ajo mund të jetë vetëm hapi i parë i një rrugëtimi që mund të shkojë shumë larg në relaksimin e kuadrit rregullator financiar. Me pak fjalë, me refuzimin e lodhshëm ndaj Shqipërisë, Europa mund të ketë ndezur fitilin e krijimit të një parajse fiskale mu në zemër të saj.

Në fakt Bashkimi Europian numëron sakaq një sërë qëndrash financiare në gjirin e tij, që i afrohen shumë parajsave fiskale. Hollanda, Qipro, Malta, Luksemburgu në një mënyrë apo një tjetër praktikisht këtë biznes bëjnë. Ndihmojnë të pasurit të shmangin taksat apo të fshehin paratë e tyre. Por në rastin e Shqipërisë ka një risk madhor shtesë.

Një vend me institucione të dobëta dhe klasë të korruptuar politike, kur hyn në këtë rrugë shndërrohet në një lavatriçe masive, që pastron jo vetëm paranë gri të evazionit dhe kontrabandës por edhe llumin e zi të trafiqeve, korrupsionit dhe organizatave mafioze.

A është BE e vetëdijshme për këtë risk? Ndoshta. A ka ajo mekanizma për të mos e lejuar materializmin e tij? Sigurisht. Përjashtimi nga sistemi i pagesave, bllokimi i transaksioneve tregtare, madje edhe rikthimi i vizave janë disa prej tyre. Por tashmë një gjë është e sigurtë. Nëse deri dje BE dhe Shqipëria kanë tregtuar karrota mes tyre, këtëj e tutje me gjasa do të shkëmbejnë shkopinjtë. Qytetarët shqiptarë janë vetëm dëmi kolateral i kombinimit fatal mes keqqeverisjes që kanë zgjedhur vetë dhe tradhëtisë së madhe europiane ndaj Shqipërisë.

Gjyqtari hamshor Guximtar Boçi nuk i ndahet znj.R. I., pasi nuk e futi dot në shtrat, i kërkon 500 milionë lekë për dëmtim imazhi

0

Gjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi, i shkarkuar si i korruptuar nga Vetingu, nuk i ndahet R. I., një zonjë me dinjitet, e cila denoncoi dhe fundosi gjyqtarin hamshor.

Në vitin 2016, Guximtar Boçi i vardisej R. I., duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të ndërhyrjes në një vendim gjyqësor.

Dosjen e kishte gjyqtarja e skandaleve Blerta Çibukaj, e cila u zbulua se merrte vendime gjyqësore siç e urdhëronte Guxim hamshori.

Zonja R. I. refuzoi kërkesën për seks të Guximit, të cilin e kishte regjistruar.

Në media u publikua një audio-skandal ku Guximtar Boçi shfaqej duke i kërkuar zonjës favore seksuale në këmbim të ndërhyrjes në çështjen gjyqësore.

Boçi u pezullua nga detyra në 2016 dhe u shkarkua nga Vetingu në 10 maj të këtij viti.

Por nga ana tjetër, Boçi ia hodhi drejtësisë bashkë me Blertën.

Prapaskena mëson se Guximtar Boçi ende nuk i ndahet R. I., pasi tashmë i kërkon 500 milionë lekë dëmshpërblim.

Gjyqtari ka hapur një proces civil, duke i kërkuar gjykatës që të dënojë zonjën R. I., duke e detyruar që t’i kalojë në llogari 500 milionë lekë, për shkatërrim të karrierës, dëmtim imazhi dhe reputacioni.

Vendi “më i rrezikshëm” në botë, aty ku mund të nisë e Lufta e Tretë Botërore

0

“Përgjigja nuk do të jetë diplomatike, por praktike,” kërcënoi të enjten Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, kushedi sa herë që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës.

Kësaj radhe kërcënoi fqinjin e Rusisë, Lituaninë dhe arsyeja është, kujtojmë, shpallja e bllokimit të një pjese të konsiderueshme të trafikut hekurudhor përmes Lituanisë për enklavën ruse të Kaliningradit.

Ajo nuk shpjegoi se cila ishte përgjigja “praktike”, por është interesante se në të njëjtën ditë, Ministria e Mbrojtjes e një fqinji tjetër rus, Estonia, raportoi se helikopteri ushtarak rus Mi-8 hyri në hapësirën ajrore të saj për dy minuta të shtunën e kaluar.

Një ditë më parë, kërcënimi për Lituaninë – e cila ka rreth 50 herë më pak popullsi se Rusia, u dërgua nga Nikolai Patrushev, Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse dhe një aleat i ngushtë i Putinit.

“Rusia me siguri do t’i përgjigjet veprimeve të tilla armiqësore. Masat e duhura po zhvillohen në një format ndër-departamental dhe do të merren në të ardhmen e afërt. Pasojat e tyre do të kenë një ndikim serioz negativ në popullatën lituaneze,” tha Patrushev, duke akuzuar Lituaninë se po shkel normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Më kot, Lituania dhe Bashkimi Evropian u përpoqën t’i shpjegonin Rusisë se bllokada, e cila përfshin qymyr, metale, materiale ndërtimi dhe teknologji të avancuar, nuk është vendim i saj, por zbatim i një vendimi të përbashkët të BE-së për sanksionet për agresionin.

Kaliningradi është selia e Flotës Ruse të Balltikut dhe një zonë përgjithësisht shumë e militarizuar në të cilën, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë dhe marinarë të Flotës Balltike, ndodhen raketat balistike Iskander të afta për të mbajtur koka bërthamore.

Kaliningradi ra nën sundimin rus pas fitores ndaj Gjermanisë naziste në fund të Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj, ky qytet historikisht gjerman quhej Königsberg dhe kishte një popullsi kryesisht gjermane, që daton që nga koha e Mbretërisë së Prusisë, por gjatë dhe pas luftës ai u spastrua etnikisht dhe u rusifikua tërësisht.

Shumë kohë përpara tensioneve aktuale midis Moskës dhe Vilniusit, Dmitry Medvedev, ish-presidenti dhe kryeministri rus dhe zëvendëskryetari aktual i Këshillit të Sigurimit Rus, kërcënoi se Rusia do të vendoste raketa hipersonike dhe armë bërthamore në Kaliningrad.

“Në atë rast, ne nuk mund të flasim më për Balltikun si një rajon pa armë bërthamore – ekuilibri duhet të rivendoset,” shpjegoi Medvedev me këtë rast.

Ministri lituanez i Mbrojtjes Arvidas Anusauskas e quajti kërcënimin të pakuptimtë, duke argumentuar se Rusia ka kohë që mban armë bërthamore në Kaliningrad, “100 kilometra nga kufiri me Lituaninë”. “Komuniteti ndërkombëtar dhe të gjitha vendet në rajon janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë”.

Në vitin 2018, Federata e Shkencëtarëve Amerikanë publikoi gjithashtu imazhe satelitore të depos së pretenduar të armëve bërthamore në Kaliningrad.

Retorika agresive e Rusisë kundër Lituanisë ditët e fundit tingëllon edhe më e keqe nëse marrim parasysh projektligjin e fundit të deputetit të Dumës ruse, Yevgeny Fyodorov, që Moska të tërhiqte njohjen e pavarësisë së Lituanisë gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik, me pretekstin se njohja ishte antikushtetuese.

Për më tepër, Fyodorov tha në një intervistë më pas se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Lituanisë do të krijonte një bazë ligjore që do ta detyronte NATO-n të dëbonte Lituaninë, si një “territor i diskutueshëm”, nga Aleanca.

“Është skizofreni. Është njësoj sikur Serbia të vijë papritur me idenë për të tërhequr njohjen ndaj Malit të Zi ose, ose le të themi, Kroacisë, sepse, nga këndvështrimi i tyre, Jugosllavia u shpërbë ilegalisht,” tha ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë, Dainius Zalimas, duke komentuar për portalin EU Observer.

Është e vështirë të thuhet nëse Fyodorov po flet në emër të presidentit rus Vladimir Putin apo e ka ide të vetën. Por në rastin e pamundur që Lituania të largohet nga NATO, Rusia do t’i kishte krahët e hapura për të sulmuar këtë vend të vogël me më pak se 3 milionë banorë, i cili sigurisht nuk do të ishte në gjendje të ofronte rezistencë aq të fortë dhe këmbëngulëse sa Ukraina.

Dhe në rast të një pushtimi rus, çelësi do të ishte një pjesë e vogël dhe pak e populluar e Lituanisë, të cilën Politico e quajti në një artikull të fundit “vendi më i rrezikshëm në Tokë”.

Emri i tij është Korridori Suwałki, hallka më e dobët, një lloj “Thembra e Akilit”, jo vetëm e Lituanisë por e gjithë NATO-s në rast lufte me Rusinë. Ky korridor i ngushtë midis Kaliningradit në perëndim dhe kufirit Bjellorusi-Lituanez në lindje është rreth 100 kilometra i gjatë dhe shtrihet përgjatë kufirit polak-lituanez në jug.

Druskininkai, një qytet me rreth 12,000 banorë në këtë korridor, është pjesë e asaj që Putini e trajton territorin “historikisht rus” – Cari rus Nikolla I e caktoi këtë qytet si një vendpushim shëndetësor zyrtar për nëpunësit e tij civilë. Që nga ajo kohë e deri më sot, autoritetet aty janë alternuar: Prusia, Polonia, Rusia, Bashkimi Sovjetik dhe, për tridhjetë vitet e fundit, një Lituani e pavarur. Por deri në pushtimin e Ukrainës, vizitorët kryesorë të saj ishin rusët dhe bjellorusët.

“Komuniteti beson në ushtrinë lituaneze dhe NATO-n dhe në aftësinë e tyre për të garantuar sigurinë,” tha administrata e qytetit në përgjigje të një investigimi të Politico-s.

Nga ana tjetër, Lituania ka një grup paraushtarak vullnetar të quajtur Shooting Alliance, e cila u themelua disa qindra vjet më parë për të luftuar për pavarësi, por që gjithashtu ka një episod të errët bashkëpunimi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore, të ngjashëm me organizatën e nacionalistëve ukrainas, te të cilat Rusia gjen arsye për “denazifikimin” e Ukrainës.

Pas shpalljes së pavarësisë, aleanca u rinovua me mbështetjen e shtetit. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, numri i anëtarëve është rritur ndjeshëm në 14,000. Ramūnas Šerpetauskas, komandant i togës lokale në Druskininkai, i tha Politico-s se tani për tani gjithçka është paqësore në kufirin lindor dhe se ai nuk pret që Rusia të ngacmojë vendin e tij për sa kohë që ajo është e angazhuar në Ukrainë, por se ai dhe ai shokët monitorojnë korridorin kufitar.

“Disa mendojnë se nuk ka kuptim të na sulmojnë, por duhet theksuar se kjo është një rrugë tokësore e drejtpërdrejtë për në Kaliningrad. Nëse ata arrijnë të mposhtin Ukrainën, është e mundur që goditja e radhës të bjerë këtu,” tha Sherpetauskas.

Ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves foli për Suwałkin në vitin 2015 në bisedimet me ministren e atëhershme gjermane të Mbrojtjes dhe Presidenten aktuale të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke e paralajmëruar atë se kjo është një pikë kritike e dobët në krahun lindor të NATO-s.

Ai, si shumë zyrtarë dhe analistë perëndimorë, shqetësohet se Rusia, në konflikt me Perëndimin, mund të shpërthejë njëkohësisht në një korridor nga lindja dhe perëndimi dhe kështu t’i ndajë shpejt dhe efektivisht të tre vendet baltike nga Polonia dhe aleatët e tjerë në jug.

“Është një cenueshmëri e madhe sepse pushtimi do të shkëputte Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë nga pjesa tjetër e NATO-s,” shpjegoi Ilves.

Dhe ashtu siç krijoi një urë tokësore midis Rusisë kontinentale dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë duke pushtuar Ukrainën, Putini mund të lidhë Kaliningradin, një port kyç rus në Balltik, me Bjellorusinë, e cila është tashmë një protektorat de facto i Moskës, duke pushtuar Suwałkin.

Vetë Putini sugjeroi se ambiciet e tij imperialiste shtriheshin përtej Ukrainës kur ai iu referua Pjetrit të Madh, në fillim të këtij muaji, dhe arriti në përfundimin se në luftën me Suedinë në Balltik ai kishte “rivendosur atë që ishte ruse”.

Mikhail Kasyanov, ish-kryeministri rus nën Putin, dhe sot kritiku i tij i mprehtë, vetë paralajmëroi se “shtetet baltike do të jenë të radhës” nëse Ukraina bie.

Hyrja e pritshme e Suedisë dhe Finlandës në NATO ka rritur më tej tensionet midis Rusisë dhe Aleancës. Pranimi i tyre mund ta bëjë më të vështirë për Rusinë shkëputjen e Balltikut nga pjesa tjetër e Aleancës, por gjithashtu do ta kthejë Detin Baltik në atë që disa e quajnë “liqeni i NATO-s”, që mund të jetë një motiv shtesë për Putinin për të marrë urën tokësore në Kaliningrad.

Rreziku më i madh, megjithatë, potencialisht buron nga parëndësia relative, të paktën për pjesën tjetër të NATO-s. A do të ishin vërtet gati të gjithë, ose të paktën anëtarët më të rëndësishëm të NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania, të hynin në Luftën e Tretë Botërore vetëm për shkak të këtij korridori? Kjo mund të jetë pikërisht linja e paqartë që Putinit i pëlqen të provojë me Perëndimin, i bindur për pavendosmërinë dhe dobësinë e tij.

“Përgjigja e vetme ndaj kësaj sfide është një prani e shtuar e NATO-s këtu. Ne e dimë se Rusia është e fiksuar pas mbylljes së korridoreve tokësore,” i tha Politico-s zëvendësministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Margiris Abukevicius.

Dhe kjo sigurisht që do të jetë një nga çështjet që do të debatohet shumë në samitin e pritshëm të NATO-s në Madrid më 29-30 qershor, së bashku me çështjen e Ukrainës, ku situata në fushën e betejës në Donbas po përkeqësohet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka njoftuar se grupet luftarake do të forcohen më tej në pjesën lindore të Aleancës, me më shumë mbrojtje ajrore, detare dhe kibernetike, “por fjala e fundit do të jetë tek liderët e anëtarëve më të fortë, nga presidenti amerikan Joe Biden e tutje.

Gjykata e Lartë rrëzon ligjin e abortit në SHBA, pas 50 vjetësh gratë ndalohet të heqin foshnjat

0

Përmbysja e së drejtës së një gruaje për abort nga Gjykata e Lartë të premten ishte një rrufe ligjore, politike dhe shoqërore që meriton termin e mbipërdorur “historik” sepse do të ndryshojë jetën në shumë mënyra, shumë ende të panjohura.”

Kështu hapet artikulli i medias së njohur amerikane “CNN” pas vendimit të Gjykatës së Lartë në SHBA, e cila pak orë më parë ka vendosur të ndalojë ligjërisht abortin, duke i dhënë fund një miratimi 50 vjeçar që u jepte grave të drejtën të hiqnin fëmijët.

Por ndonëse tronditëse, veçanërisht pasi bie ndesh me opinionin publik të shumicës për këtë çështje, nuk ishte befasi. Vendimi ishte rezultat i një kërkimi jashtëzakonisht të suksesshëm brezash nga lëvizja konservatore në të gjitha nivelet politike, nga aktivistët socialë dhe fetarë në bazë, deri te liderët themelues të një institucioni ligjor të krahut të djathtë e deri te presidentët republikanë.

Demokratët u zotuan të luftojnë kundër. Por misioni i tyre, si ai i fituesve të tyre konservatorë, mund të zgjasë dekada apo edhe më gjatë në ndjekje të një qëllimi të largët.

“Mos bëni gabim: Ky vendim është kulmi i një përpjekjeje të qëllimshme gjatë dekadave për të prishur ekuilibrin e ligjit tonë. Është një realizim i një ideologjie ekstreme dhe një gabim tragjik nga Gjykata e Lartë,” tha Presidenti Joe Biden. Por ai shtoi: “Kjo nuk ka mbaruar”.

Klinikat kanë filluar të mbyllen në disa shtete amerikane pasi një vendim i Gjykatës së Lartë të premten hoqi të drejtën kushtetuese të grave amerikane për abort, shkruan BBC. Rreth gjysma e shteteve pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja pasi gjykata rrëzoi vendimin e saj 50-vjeçar Roe v Wade. Nga këta, 13 shtete e kanë nxjerrë jashtë ligjit abortin menjëherë.

Në Phoenix, Arizona, policia hodhi gaz lotsjellës pasi protestuesit pro abortit goditën dyert dhe dritaret e Kapitolit. Në Los Angeles, protestuesit bllokuan për pak kohë trafikun në një autostradë.

Në një klinikë aborti në Little Rock, Arkansas, dyert për pacientët u mbyllën sapo opinioni i gjykatës u postua në internet dhe mund të dëgjohej ngashërimi. Stafi bëri telefonata për t’u thënë grave se takimet e tyre ishin anuluar.

“Pavarësisht se sa fort përgatitemi për një lajm të keq, kur ai më në fund godet, godet fort. T’i telefonosh këta pacientë dhe t’u thuash atyre se Roe v Wade u përmbys është zemërthyese,” tha infermierja Ashli ​​Hunt për BBC.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, i cili bëri po aq sa çdo lider republikan për të transformuar Gjykatën e Lartë, vlerësoi vitet e fushatës konservatore që kishin çuar në vendimin e së premtes.

“Miliona amerikanë kanë shpenzuar gjysmë shekulli duke u lutur, marshuar dhe punuar drejt fitoreve historike të sotme për sundimin e ligjit dhe për jetën e pafajshme. Unë kam qenë krenar që kam qëndruar me ta gjatë gjithë udhëtimit tonë të gjatë dhe ndaj gëzimin e tyre sot”, është shprehur McConnell.

POSTIMET E FUNDIT