Shkruan Dom Gjergj Meta
Papa Leoni XIV ka qenë dhe është i qartë njësoj si Papa Gjoni XXIII me “Pacem in terris” apo si Pali VI me “Populorum progressio” e ashtu si Gjon Pali II që ngriti zërin kundër luftës në Irak, si Papa Benedikti e Papa Françesku që foli kundër ngritjes së mureve dhe luftës ku humbin të gjithë.
Nuk mundej Leoni të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij e me siguri nuk mund të shkonte kundër Ungjillit të Ngjalljes ku fjala e parë e Krishtit të ngjallur është “Shalom, Selam, Paqe”.
Sigurisht fjalët e Papës Prevost nuk mund të jenë të pranueshme për gjithkend, sidomos për ata që mendojnë se paqja vjen vetëm nëpërmjet luftës. Si vis pacem para bellum (nëse do paqen përgatit luftën) është një logjikë gjithmonë humbëse për njerëzimin. Si vis pacem para pacem (nëse do paqen përgatit paqen): kjo është logjika fituese edhe pse ajo më e vështira, por më e sigurta.
Fjalët e Papa Leonit, qysh në minutat e parë të pontifikatit të tij me 8 maj të vitit të kaluar, kanë qenë për një “paqe të ç’armatosur dhe çarmatosëse”. Nuk mund të ishte ndryshe në kontekstin aktual të një lufte absurde, ashtu sikurse është absurde edhe ajo në Ukrainë, Palestinë, Liban, Sudan e në shumë vende të tjera. Ashtu sikurse është absurde çdo luftë.
Papa Leoni flet në emër të Ungjillit e në emër të viktimave dhe popujve që vuajnë pasojat e një obeziteti të ego-s së të fuqishmëve të kësaj bote. E thotë pa frikë e pa drojë, sepse e beson dhe ka këtë mision.
Kushdo shikon te Papa Leoni një “të dobët”, një zë kundër logjikës së luftës, ka të drejtë. Ai nuk flet me forcën e armëve, por me brishtësinë e Fjalës, sepse Fjala është e ç’armatosur, por më e mprehtë se një shpatë dytehëshe.
E bota sot ka nevojë për këtë zë moral e shpirtëror universal edhe kur është kundër të fuqishmëve të botës. Ai, dhe të gjithë ne bashkë me të, nuk duhet të reshtim të kërkojmë ndalimin e luftës dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Ashtu sikurse edhe Papa Leoni XIV tha, u kërkojmë të gjithë udhëheqësve të popujve edhe atyre në Shqipëri, që të jenë faktorë të paqes në botë e në rajon. Me luftën humbim të gjithë, me paqen fitojmë të gjithë.








