Bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke propozuar ndryshimin e sistemit elektoral nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar me lista të hapura si dhe garantimin e votës së diasporës.
Edhe pse ky komision i ngritur që në shkurt të vitit 2022 nuk ka prodhuar asnjë rezultat dhe nuk ka funksionuar normalisht, Alibeaj, që pas përçarjes së opozitës përfaqëson Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, kërkon ndryshime esenciale në Kod.
Ndryshimi i përllogaritjes së mandateve në listat emërore të deputetëve të bëhet në bazë të votave të përgjithshme dhe jo sipas zonave zgjedhore, sugjeron ai.
“Zonë zgjedhore është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore,” thuhet në propozimin e Alibeajt, që nënkupton sistem proporcional kombëtar.
Sipas propozimit, sistemi aktual i fragmetizuar ka defekte dhe sistemi me 1 zonë zgjedhore garanton barazinë e votës së çdo qytetari. Nga një sistem i tillë përfitojnë më shumë partitë e vogla që futen në zgjedhje, votat e të cilave nuk arrinin të nxirrnin një mandat deputeti në përballje me formulën aktuale ku partitë e mëdha favorizohen në formulën e përllogaritjes së votave sipas qarqeve.
Alibeaj po ashtu kërkon ndryshimin e formulës së llogaritjes së votave për kandidatët fitues brenda listave shumëemërore të partive politike duke propozuar lista të hapura; cili kandidat ka marrë më shumë vota shpallet fitues dhe nuk favorizohet rrjeshtimi i tyre sipas listës që sjell kryetari i partisë.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat të listës shumë emërore”- thuhet në propozim.
Aktualisht me ndryshimet e fundit në Kod listat janë gjysëm të hapura, pasi ka një vijë preference për emrat që përzgjedh kryetari I partisë, por mund të kapërcejnë në listën fituese kandidatë që arrijnë të marrin më shumë vota ata që janë në krye të listës.
Në paketën e deputetit demokrat parashikohen dhe rregulla dhe detyrime të KQZ-së për të siguruar votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetuese mohimin e të drejtës së votës shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve.
Propozimet e Alibeajt, prekin dhe pjesën e sjelljes së mediave në fushatën zgjedhore, duke ashpërsuar gjobat për gazetarët dhe operatorët televizivë në rastet e shkeljes së Kodit Zgjedhor dhe duke ritheksuar rregullat për transmetimet e reklamave politike.
Duke u bazuar tek rregulli i Kodit në fuqi sipas të cilit gazetarët e Radiotelevizionit publik si dhe radiot dhe televizionet private me liçensë kombëtare e e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike brenda edicionit të lajmëve, Alibeaj kërkon ashpërsim të gjobave të parashikuara në këto raste.
Ai propozon gjoba ekzekutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në masën nga 100,000 lekë për reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300,000 lekë redaktorin përgjegjës, me 500,000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 800,000 lekë drejtorin e përgjithshëm.
Këto gjoba aktualisht janë 20,000 lekë për reporterin, 30,000 lekë për redaktorin përgjegjës, 35,000 lekë për drejtorin e informacionit dhe 60,000 lekë për drejtorin e përgjithshëm.
Edhe në pasqyrimin e fushatës në televizionet kombëtare dje private rritet masa e gjobës me 500 mijë lekë më shumë në rast se konstatohet shkelje e raporteve kohore në favor të një partie.
Partia Socialiste nuk ka pasur ende një reagim për këto propozime, ndërsa bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, i tha BIRN se “propozimet do të diskutohen në komision”, duke mos e komentuar përmbajtjen e tyre.
Ndërkohë, grupi i opozitës i drejtuar nga ish-kryeministri Berisha e kundërshton praninë e Alibeajt në komision. Ky grupim i deputetëve të PD-së kërkoi ndryshimin e bashkëkryetarit të komisionit për të zëvendësuar Alibeajn me deputetin Oerd Bylykbashi, por PS e hodhi poshtë këtë kërkesë.