Gardistët kanë vazhduar të shtyjnë me forcë, deputetët e PD-së sot që të mos i lejojnë të hyjnë në parlament, me argumentin se janë të përjashtuar për shkak të protestave të javëve të fundit, por pa bërë asnjë dallim.
Ata kanë vazhduar të bllokojnë me trup dyert e Kuvendit dhe kryetari i Grupit parlamentar të PD, z. Gazmend Bardhi, që po ashtu po përleshej në tentativa për t’u futur brenda, ngriti pyetjen: “Po pse nuk lejohen deputetët e papërjashtuar të futen?!”
“Sot kanë kaluar dhjetë ditë, – tha ai. – Nëse shohim kalendarë dhe afate të caktuara sipas interesave të Edi Ramës, ne jemi përjashtuar dhe kanë kaluar dhjetë ditë nga përjashtimi. E kemi respektuar afatin dhjetëditor, ka skaduar afati dhe sot jemi këtu për të hyrë në Kuvend.
Problemi juaj (i gazetarëve) nuk duhet të jenë deputetët që janë përjashtuar. Por nuk po lihen deputetët që nuk janë të përjashtuar ët futen në seancë plenare. Ky do të duhet të jetë shqetësimi juaj! Pse deputetët e papërjashtuar nuk lejohen të futen normalisht në seancë?!
Sigurisht që me ne të tjerët mund të sqarohen dhe të llogarisin afatet, por deputetë që janë të papërjashtuar duhen lejuar të hyjnë. Kjo nuk po ndodh. Po futen vetëm deputetët e PS. Pra është një parlament njëpartiak ku lejohen vetëm ata që kanë teserë të PS dhe mbështesin Edi Ramën.”