Putin dhe Trump e hapën “Kutinë e Pandorës”

0

Shkruan Pilar Benet

Vladimir Putin e hapi Kutinë e Pandorës në vitin 2014, duke aneksuar gadishullin e Krimesë, statusi i të cilit si një republikë autonome brenda Ukrainës, ishte njohur vazhdimisht nga Rusia që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Tani, ambiciet territoriale të shpallura nga Donald Trump (blerja e Grenlandës, marrja nën kontroll e Kanalit të Panamasë dhe bërja e Kanadasë si shteti i 51-të i SHBA-së) i japin një hov të ri ekspansionizmit rus. Madje në një farë mënyre, e “normalizojnë” atë brenda klubit të vendeve që pretendojnë se kanë një përgjegjësi të veçantë për fatin e botës.

Aneksimi i territoreve të Ukrainës nga Rusia, krijoi një precedent të rrezikshëm, por situata mund të përkeqësohet nëse në çdo bisedë mbi përfundimin e luftës, Trump do të pajtohej me kërkesat e Putinit.

Presidenti rus nuk dëshiron “ndërprerje të shkurtër apo një armëpushim”, por njohje të plotë ndërkombëtare të pushtimeve të tij gjatë luftës (4 rajone ukrainase plus Krimenë), të cilat ka nxituar t’i përfshijë paraprakisht në Kushtetutën ruse.

Rreziku sot nuk është vetëm Putin apo Trump, por shembulli që veprimet dhe sjellja e tyre agresive ofron për shtetet e tjera më pak të fuqishme që kanë mosmarrëveshje territoriale, dhe që deri vonë dukeshin si “vullkane të zhdukura”, por që sot ngjajnë më shumë si “vullkane të fjetura”.

Rusia sheh tek Trump nxitjen për të justifikuar aneksimin e Krimesë, dhe për t’i inkurajuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë nën flamurin e “vetëvendosjes”. “Kur një komb, si pjesë e një shteti më të madh, ndihet jokomod në atë shtet dhe kërkon vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, atëherë shteti më i madh është i detyruar të mos e kundërshtojë apo pengojë këtë proces. Nuk është kjo ajo që spanjollët i bënë Katalonjës, apo britanikët Skocisë”- tha në fillim të këtij muaji Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Vetëvendosja” është mirë për të tjerët, por jo për Rusinë, ku vënia në dyshim e unitetit të shtetit mund të dënohet penalisht, sipas një ligji të miratuar në vitin 2014. Nën sundimin e Putin, Moska ka shtypur ashpër separatistët në republikën Kaukaziane të Çeçenisë, dhe e ka forcuar në mënyrë dramatike centralizimin e vendit.

Në vitin 2018, u garantua me ligj epërsia e gjuhës ruse në sistemin arsimor shtetëror, ndërsa studimi i gjuhëve kombëtare të popujve jorusë, u përfshi tek “aktivitetet vullnetare” me orë të reduktuara mësimore, madje edhe kur ato janë gjuhë zyrtare.

I nxitur nga një frikë e shtuar ndaj nacionalizmit jo-rus, sistemi i udhëhequr nga Putini ndjek penalisht aktivistët, ndalon shoqatat, mediat dhe produktet kulturore. Që nga fillimi i këtij shekulli, propagandistët rusë janë përpjekur që të nxisin lakminë e fqinjëve perëndimorë të Ukrainës, për të vënë në pikëpyetje integritetin territorial të vendit.

“Dhjetë milionë njerëz jetojnë në Lviv, dhe në territoret që Stalini ia dorëzoi Ukrainës pas Luftës së Dytë Botërore në kurriz të Polonisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Njerëzit që jetojnë atje, duan të rikthehen në atdheun e tyre historik”- tha Putin në dhjetor 2023. Ai shtoi: “Dhe vendet që i humbën këto territore, ëndërrojnë t’i rimarrin këto territore”.

Varshava i mohon këto pretendime dhe e hedh poshtë lojën e Kremlinit. Edhe Rumania dhe Hungaria nuk kanë pretendime zyrtare, por të dyja këto vende ndjekin një politikë aktive të mbrojtjes së pakicave të tyre përkatëse që jetojnë në Ukrainë (minoriteti hungarez kryesisht në provincën Transkarpatiane, dhe pakica rumune në Chernivtsi, ish-Bukovina Veriore).

Po ashtu, Hungaria e kushtëzon miratimin e saj për hyrjen e Ukrainës në BE dhe NATO me respektimin e pakicave. Rumunët dhe bullgarët janë komunitete të rëndësishme në jug të provincës së Odesës (ish-Besarabia Jugore ose Budzhak).

Me nxitjen e Komisionit Evropian, Kievi ndryshoi në vitin 2023 ligjet e tij për të drejtat e pakicave kombëtare (para fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE), i cili ishte kufizuar në vitin 2017 nga rregulloret e arsimit.

Të drejtat e pakicave, të cilave Budapesti, Bukureshti dhe Sofja u kanë dhënë pasaportat kombëtare, janë një çështje e ndjeshme, e cila bëhet më e mprehtë gjatë fushatave zgjedhore. Por ato shfaqen edhe në varësi të intensitetit të politikës asimiluese të Kievit.

Në vendet fqinje në Perëndim të Ukrainës, forcat nacionaliste, dikur të papërfillshme, po ringjallin ambiciet e vjetra territoriale. Në Hungari, László Toroczkai, udhëheqësi i partisë Atdheu Ynë, deklaroi në vitin 2024 se nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, Kievi duhet t’ia dorëzojë  Hungarisë territorin Transcarpathia.

Nga ana tjetër Călin Georgescu, fituesi i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani nëntorin e vitit të kaluar, e cilësoi në vitin 2022 Ukrainën si “një vend të shpikur”. Rezultati i zgjedhjeve u anulua, por Georgescu po e vazhdon betejën e tij politike.

Në Bullgari, Kostadin Kostadinov, një figurë e së djathtës ekstreme që e sheh me simpati Putinin, paralajmëroi këtë muaj se “Ukraina po shpërbëhet”, dhe se në bisedimet e ardhshme të paqes, Bullgaria duhet të pretendojë të marrë “Besarabinë bullgare” (rajonin jugor Odesa).

Rasti i Rusisë me Ukrainën që nga viti 2014, ka treguar se edhe marrëveshjet më të qëndrueshme të njohjes së kufijve, rrezikojnë të shpërbëhen nëse forcat radikale nacionaliste vijnë në pushtet në shtetet që deri dje ndiheshin rehat brenda kufijve të tyre të njohur.

Dhe në rast se kjo do të ndodhte, falë shembullit të dyfishtë të Putinit dhe Trump, harta politike e Evropës mund të fillojë të dridhet si një fushë vullkanesh që sapo janë zgjuar nga gjumi i tyre.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu