Shkruan Kostantin Luçi
Shën Kuiteria, emri i së cilës do të thotë “E Kuqe”, lindi në shekullin e dytë në qytetin Brakara (sot Braga) në Portugali. Ajo ishte bija e një guvernatori romak, Lucius Katilius Severus, dhe e gruas së tij, Kalcia. Shën Kuiteria kishte tetë motra binjake: Eufemia, Liberata, Gema, Genebra, Germana, Basilisa, Marcia dhe Viktoria.
Kalcia, e tronditur dhe e turpëruar që kishte lindur nëntë vajza binjake, e konsideroi këtë një turp dhe shenjë të ulët shoqërore. Ajo urdhëroi një shërbëtore që t’i mbyste vajzat në lum, pa dijeninë e burrit të saj, Lucius. Por shërbëtorja, e prekur nga mëshira, nuk e zbatoi urdhrin. Në vend të kësaj, ajo ia besoi vajzat banorëve të zonës, të cilët i rritën në fshehtësi.
Me kalimin e viteve, motrat u rritën dhe u përkushtuan ndaj besimit të krishterë, duke refuzuar adhurimin e perëndive pagane romake. Për këtë arsye, ato u dërguan përpara guvernatorit, i cili ishte pikërisht babai i tyre, Lucius Katilius Severus. Ai i njohu si vajzat e tij dhe, për t’u ruajtur nderin, vendosi t’i martonte me oficerë të ushtrisë romake.
Por motrat refuzuan martesat e imponuara. Si pasojë, Luciusi i burgosi ato në një kullë. Ato arritën të arratiseshin, duke liruar edhe të burgosurit e tjerë gjatë largimit, dhe u strehuan në male, ku filluan një luftë guerile kundër trupave romake, të drejtuara nga vetë babai i tyre.
Lufta e tyre përfundoi me martirizimin e nëntë motrave. Shën Kuiteria u kap dhe iu pre koka më 22 maj të vitit 139. Motra e saj, Shën Eufemia, u hodh nga një shkëmb në malet e Peneda Gerês në veri të Portugalisë — vend që sot njihet si “Shkëmbi i Shenjtores”. Sipas legjendës, toka u hap dhe e përpiu trupin e saj, nga ku më pas shpërtheu një burim me ujë termal. Shën Liberata u kryqëzua dhe u martirizua më 20 korrik të vitit 139.
Burimi: Ramón Ruiz Amadó and Teodoro Rodríguez y Fernández, Sigüenza, në The Catholic Encyclopedia, vol. 13 (New York: Robert Appleton Company, 1912).