Shqetësuese, shqetësimet e atyre që shqetësohen nga ChatGPT?

0

Shkruan Albert Vataj

Gajle hiç s’po kam, pse dikush çohet nadje me alarmin se hajnat kanë hy në kopshtin e tij natën dhe ka kërdis të mbjellat. Krejt njashtu, trazimtarë e të shqetësuar, pas netëve gjumëkeq e ëndrrave të makthshme, do mëndje të ndritura po përpiqen ta trajtojnë ardhjen në përditshmërinë e një bashkëjetese me prurjet e begatshme të inteligjencës artificiale.
Çdo ditë e më intensivisht, përdoruesit e mjeteve inteligjente të komunikimit, po e përdorin ChatGPT, për t’u informuar, për të komunikuar, për të gjetur një komfort më të dëshirueshëm në marrëdhënie me miqtë.
Në këtë stinë të begatë të teknologjisë dhe pasurimit të veprimtarisë sonë, nuk kanë munguar ata që shohin si një kërcënim ardhjen e ChatGPT, Copilot, DeepSeek, etj, platforma inteligjente që nuk kanë për qëllim të eklipsojnë diellin e kurrkujt, e për më pak të shtyjnë drejt abdikimit nga froni i ligjërimit, ata që ia lejojnë vetes të janë zotër të fjalës së shkruar, mendimit të stolisur dhe informimit.
ChatGPT, jo vetëm po i mëson njerëzit se si të kthejnë një mesazh, apo të bëjnë një koment, të shqipërojnë një material apo të zgjidhin një rebus, kjo platformë, pse të shqetësohemi se vjen t’u ofrojë njerëzve të jenë më të zgjuar, më të pashqetësuar kur duan të shpërfaqen dinjitetshëm në një komunikim online, pavarësisht mangësi në formim.
Pse, si mendoni ju zotërinjë që shqetësoheni nga ChatGPT? Të mos lejojmë që ata që duan të jenë ndryshe, të munden. Që ata, që duan të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit, te besojnë se kjo është një mënyrë që duhet shfrytëzuar, pavarësisht se dikush do që ata të jenë ende të ngujuar në burgun e të pamundurave, dëshirimeve për shpërfaqje dhe ledhatimeve të sedrës.
Zonja dhe zotërinjë, ju që sëmbimet e aparatit tretës, mëlçisë, shpretkës, hipertensionit, dhe çrregullimeve glukozike, kush ju ka akredituar të drejtën ju të mbroni këto “përfitues” nga dembelizmi i trurit, nga mpirja e shqisave të perceptimit përjetues, nga aftësia për të gjykuar, zhdërvjedhtësia ligjëruese për t’u shpërfaqur, dhe nga e drejta për t’ia lejuar vetes të jetë si të tjerët, jo një qenie inferiore e ndëshkuar nga fati dhe i nëpërkëmbur nga pamundësia për të guxuar më shumë, se sa thjeshtë të jetë përdorues i ritualit mizor të rutinës.
Jo, ju zonja dhe zotërinj me çekanët e kritizerit në duar, që ju duhet me sezbën të gjeni gozhdë për të ngulur, ndoshta e vetmja gjë që ju mbetet janë ndjekësit, jo kauza që duhet të keni, që bota së cilës ju i përkisni, të jetë me sa më pak njerëz që vuajnë, qoftë edhe të shkruajnë një urim për ditëlinjde, të sajojnë një koment për një që e adhurojnë.
Fatbardhësi është ardhja e gjithçkaje, përfshi edhe ChatGPT, që vjen ta pasurojë dhe të ndikojë në përmirësimin cilësorë të jetës dhe marrëdhënies së gjithkujt, ndoshta pa dakordësimin tuaj unanim.
Për juve që ju duhet të jetoni gjithnjë të shqetësuar, të rrethuar nga muret e trasha të papërshkueshmërisë së të mirës, ChatGPT mund të ketë ardhur si një mallkim, t’u cenojë mbretërimet apo t’u zbresë nga froni i kapardisjes. Vegjetoni në oazet tuaja të gjithçkadakordësisë, duke shijuar ato përfitime e privilegje.
Ju të podiumeve, projekte, televizioneve, ju që keni gjithnjë një përgjigje për gjithçka, ishit, jeni dhe do të mbete, pa edhe me ChatGPT, siç u lind e drejta të kenë legjitimitetin e privilegjit të asaj që nuk mund të jenë edhe pse duan, ata të cilëve më në fund u buzëqesh fati.
Mua nuk më mësoi ChatGPT se si të mendoj dhe të shkruaj, se si të përjetoj dhe të përcjell një tablo apo rrëzimin e gjethes së fundit të një peme në fjeshtë, se si shpirtjen time për një zelltar të përkushtuar ta nxjerr nga shkëmbi i ftohtë i mosmirënjohjes për ta ngjitur atje lart, ku atë më parë e ka hyjnuar shërbesa, se si familjes sime dhe vetëm asaj i mbetet të paguaj varësinë time nga leximi dhe shkrimtaria, se si t’i dua njerëzit si veten, se pse çdo gjë e bukur dhe kureshtje, të jetë edhe e tyre jo vetëm e imja.
ChatGPT-n e dua se më ndihmon për të mbërritur kohën e humbur në përmbushjen e qëllimeve të mia, sot në një vërshim të uturishëm të kohës dhe gjithçkandodhjes.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu