Shkruan: Naim Flamuri
Akti i vjedhjes së parave të taksapaguesve do ta shkatërrojë shtetin. Inçizimet në vilën e Ergys Agasit do ta rrëzojnë qeverinë. Drejtues të AKSHI-t, përfshirë drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoreshën Hava Delibashi, janë nën masa sigurie për shkelje të barazisë në tendera, bashkëpunim me strukturat kriminale dhe dhënie favoresh. Në kët vend, vëlla, tenderat s’fitohen ma me ofertë, po me frikë. S’humbin ma në komision, po humbin në rrugë. Çështja e AKSH-it përbën një tronditje të rëndë për themelet e shtetit. E them këtë sepse lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si janë zhvilluar tenderat e AKSH-it. Sipas denoncimeve, është shkuar deri në rrëmbimin e një biznesmeni: Gerond Meçe, i konsideruar si një nga figurat kryesore në tenderat e AKSH-it, i afërt me familjen e kryeministrit Rama, është marrë peng dhe është detyruar të heqë dorë nga gara nga persona të veshur si punonjës policie.
Këto pretendime janë alarmante dhe kërkojnë hetim të plotë dhe të pavarur nga organet e drejtësisë. S’anulohen ma me procedurë, po me presion. Hetimet e SPAK-it tregojnë se ky incident lidhet drejtpërdrejt me presionin për të eliminuar konkurrencën dhe për të siguruar fitoren e procedurave publike për grupin e Agasit-Beqirit, një skemë ku forca dhe frika zëvendësojnë ligjin dhe barazinë në garë. E kur biznesmeni merret peng prej do “policëve” pa uniformë e pa ligj, veç për me u hjek prej gare, atëherë mos na shit shtet, se kjo asht film mafioz me logo qeverie.
Çështja e AKSH-it s’asht dosje teknike, jo. Asht pasqyra e një sistemi t’kalbun, që ka rrëshqit prej administrimit në komandë, prej ligjit në frikë, prej shtetit në bandë. Kur tenderat manipulohen, kur konkurenca zhduket, kur njerëzit kërcënohen, e kur del edhe pengmarrja si “mjet pune”, kjo nuk quhet ma korrupsion. Kjo quhet kapje e shtetit, tamam. E këtu hyn Kryeministri. Jo si i paditun. Jo si kalimtar. Po si përgjegjësi kryesor politik. Sepse kur administrata jote kthehet në shkop, kur njerëz pranë pushtetit përmenden në afera, kur emni i shtetit lidhet me rrëmbime, ti s’ke ma luks me ba artistin në TV. Ke veç një rrugë: me u largu. Po, me u largu. Si Gruevski. Me nxitim. Me frikë. Me valixhe. Jo pse historia do dramë, po pse drejtësia nuk ka humor. Ajo vjen ngadalë, po kur vjen, nuk pyet për piktura, as për fjalime, as për propaganda. Pyet për firma. Pyet për lidhje. Pyet për heshtje. Sot jemi te shiriti i verdhë. Nesër vjen sekuestrimi. Masnesër vjen qeveria teknike. E mbrapa, ajo që çdo pushtet i dehun prej vetes e harron: llogaria. Ironia ma e madhe?
Kjo qeveri erdhi me fjalën “shtet”. E po ikën prej fjalës “shtet”. Se shteti s’asht tender. Shteti s’asht skemë. Shteti s’asht telefonatë. Shteti s’asht frikë. Shteti asht ligj. E ligji, kur zgjohet, nuk flet. Troket. Prandaj kjo nuk asht thirrje partie. Asht paralajmërim historik. Ik sot, që nesër mos me ikë me vrap. Largohu me fjalë, që mos me t’largu me pranga. Se rruga e Gruevskit s’asht metaforë. Asht itinerar. E ky popull, i lodhun prej rrenave e i ngopun me fasada, e din mirë: kur tenderat ruhen me rrëmbim, pushteti ka marrë fund.








