Shkruan Kostantin E Luçi
Në datën 28 Tetor te vitit 312, trupat e Kostandinit të Madh do të korrnin një fitore të madhe mbi trupat e perandorit pagan, Maksentius. Të dy ushtrite numëronin jo më pak se 120,000 ushtarë. Ndërsa Kostandini i Madh, marshonte me trupat e tij drejt Romës, perandori pagan Maksentius, vendosi ti bëjë qëndresë Kostandinit, në urën e Milvianit që ishte pjesë e rrugës Flaminia, pergjatë lumit Tiber që të çonte në Romë. Kur të dyja ushtritë u perplasën, Kostandini urdheroi kalorësinë të sulmonte e para dhe më pas këmbesorinë.
Edhe pse trupat e Maksentiusit luftuan me trimëri, ato u mundën ku dhe vetë perandori Maksentiusi mbeti i vrare në këtë betejë. Kostandini hyri në Rome në datën 29 Tetor dhe këtë herë si një i Krishterë, pasi ai kishte marrë thirrjen nga vetë Perëndia.
Fill, pas kësaj beteje, Kostandini i Madh do ishte përgjegjës për shumë zhvillime që do të ishin të rëndësishme në qytetërimin botëror.
Nën sundimin e tij, kisha fitoi të drejtën për të trashëguar pronën. Kleri u lirua nga pagesa e taksave. Ai mblodhi dhe kryesoi Këshillin e Nikesë në vitin 325 dhe pati një rol të madh në formulimin e Kredos së Nikesë. Ndërsa më parë të Krishterët ishin takuar në mënyrë klandestine nëpër shtëpi, tani u ngritën bazilika të mëdha, pasi vetë perandori Konstandin financoi projekte ndërtimi në të gjithë Perandorinë, duke përfshirë bazilikën Laterane dhe Shën Pjetrin në Romë si dhe pa harruar dhe themelimin e qytetit të Kostandinopojës në vitin 330.
Ai gjithashtu financoi projekte për ndërtimin e kishave mbi vende të rëndësishme në Betlehem dhe Jerusalem, duke “krijuar” në këtë mënyrë dhe konceptin e Tokës së Shenjtë. Këto bazilika dhe kisha madhështore kërkonin kopje po aq madhështore të teksteve të shenjta në mënyrë që të mund të kryheshin meshat dhe liturgjitë.
Kostandini i Madh kërkoi që kopjet e Shkrimit të Shenjtë të bëheshin në pergamenën më të mirë dhe të kopjoheshin nga shkruesit më të mirë dhe se vetë perandori do të paguante shpenzimet për prodhimin e tyre.
Gjithashtu ne kuptojmë që këto pesëdhjetë Bibla do të ishin bazë për kopje të tjera si dhe shpërndarja e tyre nëpër kisha shihej si një nevojë emergjente. Kërkesa e vetë Kostandinit për këto Bibla dhe mbulimi i shpenzimit të tyre nga vetë perandori, na mëson se tashmë Shkrimi i Shenjtë ishte pjesë e pandarë e çdo besimtari si dhe ishte e njohur për të gjithë të Krishterët dhe jo vetëm kaq, por edhe për faktin se këto pesëdhjetë kopje do shërbenin si bazë për kopjet e ardhshme të Biblës.
Promoted Content