Shkruan Zef Ndreka
Greva në Spaç, simboli i padrejtësisë së minatorëve shqiptarë.
Në Spaç të Mirditës, prej disa ditësh, minatorët e Spaçit kanë braktisur galeritë dhe janë ngritur në grevë, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre ekonomike e profesionale. Në zemër të një zone që dikur mbante mbi shpinë industrinë e rëndë të vendit, sot jehon zëri i lodhur i minatorëve, që kërkojnë dinjitet, paga të ndershme dhe kushte minimale sigurie në punë.
Kërkesat e tyre janë të qarta, si rritje e pagës bazë, sigurime të plota shoqërore, kushte më të mira pune dhe respektim i marrëveshjeve kolektive të nënshkruara më parë.
Por përballë tyre, qëndrojnë koncesionarët e minierës, kompani private që zotërojnë shfrytëzimin e nëntokës, shpesh duke përfituar shumë më tepër sesa kontribuojnë në mirëqenien e punëtorëve.
Pavarësisht disa përpjekjeve për ndërmjetësim nga sindikatat dhe autoritetet lokale, palët nuk kanë arritur ende në një marrëveshje.
Në terren janë parë përfaqësues politikë të të dy krahëve, një shenjë se çështja ka fituar jehonë kombëtare. Por prania e tyre, deri tani, nuk ka prodhuar zgjidhje konkrete.
Në vend të dialogut të sinqertë, po vërehet një përpjekje për të politizuar grevën. Minatorët, megjithatë, duken të vendosur që të mos lejojnë askënd të përdorë kauzën e tyre si flamur elektoral.
Spaçi mbart një histori të rëndë. Nga burgjet famëkeqe të diktaturës, ku punuan me zinxhirë mbi duar intelektualë dhe të burgosur politikë, deri tek minatorët e sotëm që luftojnë për një pagë dinjitoze, ky vend mbetet dëshmi e vazhdimësisë së sakrificës shqiptare.
Në thelb, greva e Spaçit është një çështje kontraktuale mes punëtorëve dhe koncesionarëve. Por më tepër është pasqyra e një realiteti të hidhur, ku në një vend me pasuri të mëdha nëntokësore, punëtori që e nxjerr pasurinë në dritë mbetet më i varfri.
Ndërkohë, shihet qartë si shteti gjendet mes indiferencës dhe interesave.
Reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë i vakët. Deri më tani, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë nuk ka shkuar në Spaç. Heshtja zyrtare është interpretuar si indiferencë ndaj një grupi punëtorësh që prej dekadash kanë qenë themeli i ekonomisë së vendit.
Nqs kjo grevë do të zgjasë, pasojat mund të jenë të ndjeshme jo vetëm për prodhimin, por edhe për paqen sociale në zonë. Për shumë minatorë, kjo është beteja e fundit për dinjitetin e tyre.
Duhet gjetur zgjidhja, jo vetëm të mbetet apeli për dinjitet, sepse Spaçi, dikur simbol i burgjeve, sot është bërë simbol i rezistencës së punëtorit shqiptar. Dhe kjo grevë nuk duhet parë si një ngjarje lokale, por si një thirrje kombëtare për drejtësi sociale, për një shtet që kujdeset për ata që punojnë më shumë dhe përfitojnë më pak.
Fati i grevës është ende i paqartë, por mes zhurmës së politikës dhe heshtjes së institucioneve, zëri i minatorëve të Spaçit mbetet një kujtesë e gjallë se në Shqipërinë e sotme, puna e ndershme ende kërkon respektin që meriton.


