Televizioni i familjes së Berishës, që çdo ditë pretendon t’u japë leksione ligjshmërie dhe ndershmërie kundërshtarëve politikë, është kapur nga Tatimet duke pastruar parà cash, duke mos paguar sigurimet shoqërore për gazetarët, duke shmangur tatimet mbi të ardhurat dhe duke mos pagurar TVSH-në. Pasi Tatimet kanë bërë kallzim në prokurorinë e Tiranës dhe i kanë vendosur një gjobë, Syri Tv, me një veprim tipik ‘alla Berishë” nuk e ka pranuar masën administrative dhe si efekt të mospagimit të gjobës, Tatimet i kanë bllokuar llogaritë bankare. Një aksion i parashikuar nga ligji në rast të tillë dhe që zbatohet si detyrim ndaj çdo biznesi që nuk respekton ligjet dhe rregullat tatimore. Mbetet deri tani e paqartë çfarë po bën prokuroria e Tiranës lidhur me kallzimin për pastrim parash.
Sipas informacioneve të mbledhura nga redaksia investigative e Shqiptarja.com, mësohet se mes 2022 dhe muajve të parë të 2023 Syri ka kaluar një kontroll tatimor të thelluar, siç ndodh për shumë biznese me lëvizje financiare të dyshimta, dhe gjatë kontrollit u zbuluan në fakt një seri shkeljesh tatimore shumë të rënda. Shkelja e parë ka të bëjë me një qarkullim shumë të madh të parave cash (derdhje/tërheqje) që futen në shoqërinë pronare të Syri Tv e që quhet “3DS & AF Entertainment” dhe në OJF-në “Qendra për Informim të Hapur” e cila është ortake e vetme me 100% e Syri TV. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Tatimeve, Syri TV nuk ka mundur të faktojë origjinën e parave cash. Prej kësaj rrjedh dhe denoncimi në prokurori për pastrim parash. Të ardhurat e arkëtuara në formë cash konsiderohen nga Tatimet edhe evazion fiskal dhe evazion i TVSH-së. Më pas, nga kontrollet mbi pagat, u zbulua se shumë nga të punësuarit (gazetarë, kameramanë, teknikë) paguhen zyrtarisht më pak se paga minimale e caktuar nga ligji dhe duke përdorur këtë metodë, Syri ka bërë evazion edhe të sigurimeve shoqërore.
Në fund të kontrolleve Tatimet kanë dorezuar një Njoftim vleresimi për detyrimet me një gjobë totale prej 24 milionë lekë të reja ndaj shoqërisë pronare të televizionit dhe pak më shumë se 1 milionë ndaj OJF-së. Skandali brenda skandalit qëndron në faktin se televizioni ka si administrator Gazmir Spahinë, ish-drejtor i Tatimeve në kohën e Berishës (i sapoemëruar si drejtues edhe nga Rithemelimi) dhe përdor si konsulente Brisejda Shehajn (duke e paguar në të zezë), ish-drejtoreshë e Tatimeve në kohët e para të qeverisë Rama. Pra dy superekspertë të tatimeve që sot kapen duke drejtuar një shoqëri që akuzohet se bën pastrim parash dhe evazion fiskal, e financuar dhe e kontrolluar nga familja Berisha e që çdo ditë akuzon gjysëm e Shqipërisë për abuzime dhe paligjshmëri. Pas hetimeve nga Spak për privatizimin e Klubit Partizani, për 21 janarin dhe masakrën e Gërdecit, edhe gjendja e Syrit shfaqet si një skandal i ri tepër i rëndë mbi shpatullat e familjes Berisha. Tamam siç Spak ka dokumentuar gjatë hetimeve të ish klubit Partizani (dhe siç është verifikuar nga një investigim i Shqiptarja.com mbi aferat miliardere të studios ligjore të Argita Berishës) edhe te Syri qarkullon një lumë parash cash. Nga e kanë origjinën dhe ku përfundojnë?