Thaçi dhe Kurti, dy epoka por një Kosovë

0

Shkruan Zef Ndreka

Në historinë e çdo kombi, herë pas here shfaqen figura që nuk janë thjesht njerëz, por simbolë të një epoke.
Në Kosovë, dy emra e përfaqësojnë këtë ndarje më qartë se kushdo tjetër.
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti.
Dy rrugë që dikur nisën nga i njëjti ideal, liria, por që më pas u përplasën në mënyrën se si ajo duhej ruajtur dhe përmbushur.
Hashim Thaçi
Liria që fitohet me armë.
Hashim Thaçi është biri i brezit që nuk kishte luksin e filozofisë, por vetëm detyrën e mbijetesës.
Në një kohë kur Kosova digjej nën zgjedhë, ai zgjodhi rrugën e rrezikut, rrugën e pushkës dhe të organizimit të luftës çlirimtare.
Për të, liria ishte një akt veprimi, një fitore që duhej marrë me forcë, jo pritur me diplomaci.
Thaçi mishëronte arketipin e luftëtarit, njeri i vendimit dhe besës, që e maste nderin me sakrificë.
Ai nuk e njihte logjikën e ngadalshme të institucioneve, sepse kishte lindur në kohën e aksionit.
Por historia e çdo lufte e ka një periudhë të pasluftës, aty ku fillon dilema, si ta kthejmë heroizmin në drejtësi, dhe pushtetin në përgjegjësi?
Albin Kurti
Liria që kërkon drejtësi.
Në horizontin pas luftës, shfaqet një tjetër figurë, Albin Kurti, idealisti i përhershëm, njeriu që kërkon të ndërtojë shtetin përtej heroizmit.
Ai e sheh lirinë jo si fitore për t’u festuar, por si përgjegjësi për t’u përmbushur.
Në thelb, Kurti është udhëheqësi i një brezi që kërkon të pastrojë hijet e pasluftës, të ndajë idealin nga abuzimi, dhe të ringjallë moralin në politikë.
Në kontrast me Thaçin, Kurti është njeriu i reflektimit. Ai se sheh pushtetin si shpërblim, por si provë.
Ai kërkon një shtet që nuk mbështetet te besnikëria e luftës, por te drejtësia e ligjit.
Në këtë rrugë shpesh ka qenë i vetmuar, sepse idealizmi në politikë është gjithmonë rrugë e ngushtë.
Përplasja e dy arketipeve.
Kur Thaçi dhe Kurti përplasen në arenën publike, në fakt përplasen dy faza të ndërgjegjes kombëtare.
Njëri përfaqëson Kosovën që fitoi lirinë me gjak, tjetri Kosovën që kërkon ta fisnikërojë me drejtësi.
Njëri ka pushkën si simbol, tjetri fjalën.
Njëri ka shokun e luftës, tjetri qytetarin e barabartë.
Por ndoshta historia e Kosovës ka nevojë për të dy.
Sepse pa Thaçin s’do të kishte liri, dhe pa Kurtin ajo liri mund të humbte kuptimin.
Pa pushkën e UÇK-së nuk do të kishte flamur në Prishtinë, por pa ndërgjegjen kritike të Kurtit, ai flamur do të rrezikonte të mbulohej nga korrupsioni dhe padrejtësia.
Dy rrugë që duhet të takohen.
Sot, Thaçi ndodhet në Hagë, si simbol i sakrificës së gjeneratës së parë.
Kurti në krye të qeverisë, si simbol i premtimeve të gjeneratës së dytë.
Njëri lufton me kujtesën, tjetri me të ardhmen.
Por Kosova nuk do të jetë e plotë për sa kohë këto dy figura mbeten në skaje të ndryshme të historisë.
Ndoshta koha do të bëjë atë që politika se bëri dot, të pajtojë pushkën e Thaçit me fjalën e Kurtit, që liria e fituar të kthehet më në fund në drejtësi të merituar.
Sepse Kosova nuk ka nevojë të zgjedhë mes tyre, ajo ka nevojë t’i bashkojë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu