The Washington Post
Chris LaCivita dhe Paul Manafort këshillojnë fushatën e Berishës përballë Ramës, ndërsa lobistët republikanë kërkojnë heqjen “non grata”-s në SHBA
Disa prej strategëve kryesorë të fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar në Shqipëri, në një përpjekje për të ndihmuar kandidatin “trumpian” Sali Berisha në zgjedhjet e kësaj fundjave.
Në ekipin e Berishës janë përfshirë Chris LaCivita, ish-menaxher i fushatës së suksesshme presidenciale të Trump në 2024, Tony Fabrizio, sondazhisti i njohur i Trump, dhe Paul Manafort, ish-kryetar i fushatës së Trump në 2016, i dënuar më parë për lobim sekret në favor të presidentit pro-rus të Ukrainës.
Ky grup po punon për ish-kryeministrin dhe ish presidentin Sali Berisha, kreun e Partisë Demokratike në opozitë, i cili po sfidon kryeministrin Edi Rama për t’i kthyer demokratët në pushtet, ndërkohë që vetë Berisha është në pritje të gjykimit për akuza korrupsioni.
Berisha, i cili shpreson se administrata e re amerikane do të heqë sanksionet që e ndalojnë hyrjen e tij në SHBA, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 2-vjeçare me vlerë 6 milionë dollarë me firmën lobuese amerikane “Continental Strategy”, e afërt me republikanët.
Në të njëjtën kohë, edhe Rama ka lidhjet e veta me aleatë të Trump-it. Në dhjetor, kabineti i Ramës miratoi negociatat me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Trump, për ndërtimin e një resorti luksoz 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.
Gjatë fushatës, Berisha është paraqitur si figurë e ngjashme me Trump-in, duke pretenduar se është viktimë e një skeme politike të mbështetur nga miliarderi George Soros. Fillimisht, ai nisi fushatën me sloganin “Make Albania Great Again” (Ta bëjmë Shqipërinë sërish të madhe), por më vonë e ndryshoi në “Shqipëria madhështore” për të shmangur keqinterpretime politike.
Në shumë vende, lidhjet me Trump-in janë parë si avantazh elektoral, ndërsa në vende të tjera janë kthyer në problem. Në Argjentinë dhe El Salvador, figurat e afërta me Trump kanë shënuar fitore politike të mëdha.
Sipas PD-së, angazhimi i amerikanëve është një arritje e rëndësishme. Partia thotë se konsulentët po ndihmojnë në strategjinë dhe komunikimin publik. LaCivita dhe Manafort janë shfaqur publikisht në ngjarjet elektorale të Berishës.
Ndërkohë, kontrata e PD-së me Continental Strategy ka shkaktuar debate dhe ka çuar në hetime nga SPAK-u. Firma lobuese është paguar nga fondacioni “Make Albania Great Again”, i krijuar nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Nuredin Seci.
Sali Berisha u shpall “non grata” nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, për akuza të korrupsionit të rëndë gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2013. Ai është gjithashtu në proces gjyqësor për korrupsion lidhur me privatizimin e tokave publike.
Në janar, Berisha deklaroi se zgjedhja e Trump ishte një mrekulli për njerëzimin dhe tha se do t’i kërkonte administratës së re të rishikojë shpalljen e tij “non grata”. LaCivita e ka cilësuar Berishën si një “mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara” dhe e ka krahasuar atë me Trump-in si viktima të persekutimeve politike.