Policia informon se në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”. “Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë. Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht: 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore”, njofton policia.
Sipas saj, nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i saj, shtetasi Admi Murataj. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë, përfundon njoftimi.
Por kush është Admir Murataj?
Admir Murataj ka qenë një prej drejtuesve kryesorë të një grupi grabitësisht në shtetin grek. Ai u arrestua në janar të 2013 në Greqi, I akuzuar për disa grabitje në banesa, banka dhe automjete por qëndroi në burg vetëm për 2 muaj. Emri i Admir Murataj u dëgjua për herë të parë në Shqipëri në vitin 2013 kur së bashku me 11 shqiptarë të tjerë kryen arratisjen e bujshme nga burgu i Trikallës. Me 23 mars një grup i armatosur nga jashtë burgut, sulmuan me armë zjarri rojet duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre dhe bënë të mundur arratisjen.
Pas arratisjes nga burgu ky grup i mirëorganizuar pjesë e të cilit ishin Admir Murataj, Ilir Kupa Marian Kola etj, vijuan aktivitetin kriminal. Si fillim ata grabitën një tavernë dhe në largim e sipër iu kundërpërgjigjën me zjarr policisë, por të shtënat rezultuan fatale për një vajzë 25 vjecare e cila ishte kalimtare.
Më 17 qershor të 2013 do vinte një tjetër përplasje mes policisë greke dhe bandës, ku nga shkëmbimi i zjarrit humbi jetën një oficer policie, baba i dy fëmijëve, 37 vjeç.
Pas ngjarjes forcat speciale janë vënë pas tyre, ku nga shkëmbimi i zjarrit mbetën të vrarë dy prej anëtarëve të bandës. Pavarësisht se Murataj dhe grupi i tij ishin në ndjekje në 16 qershor 2013 ata guxuan të grabisnin 1 milion euro në një bankë në Larisa, grabitje kjo që u faktua nga shenjat e gishtave të autorëve. Prej 2013, disa prej anëtarëve të këtij grupi u arrestuan, disa u vranë në përplasje me policinë ndërsa për Admir Murataj dyshohej se kishte hyrë në territorin shqiptar.
2 vjet më pas Murataj u shfaq në një ngjarje të bujshme. Më 13 shkurt 2015 rreth orës 12.30 pranë bulevardit “Zogu i Parë” nën kërcënimin e armëve bashkë me 2 të tjerë grabiti një bankë te nivelit të dytë.
Më 3 dhjetor 2015, në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, grabiti me armë një furgon të blinduar, që transportonte një vlerë të konsiderueshme valute.
Më 9 shkurt 2017, rreth orës 12:00 dy automjete të blinduara u përballën me grabitësit në rrugën e Rinasit, që me dhunë e nën kërcënimin e armëve grabitën rreth 3.2 mln euro. Në vitin 2019, ai ishte pjesë e grupit që kreu grabitjen brenda pistës së avionëve në Rinas, por u qëllua për vdekje nga policia.