Shkruan Albert Vataj
Të gjithë ikin një ditë, ashtu siç zgjolli dhjetë vite më parë, e magjishmja e traditës sonë të këngës, Vaçe Zela. Ajo që mbetet pas është çfarë do të skaliste me shkronja përjetësie shkëlqimimin prej ylli të veprës, atë sublimitet të shpirtshëm që ju mëkua gjeneratës si një ambroz perëndish.
Zërit që u “peshua me flori” i’u këputën kodrat, por kumbimi që përshkoi kohën, si një jehonë eterne mbeti ashtu e pezullt në ëndjen tonë për gjithmonshmëri të të përjetuarit të intepretimit të Vaçe Zelës si këngëtare, si lartësim i atij talenti që ndezi në ovacione frenetike, salla koncertesh e tubime të këngës, brenda dhe jashtë vendit.
Dhjetë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të asaj të enjte të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, Vaçe Zela.
Kishte shterruar së frymuari kumbimi i një zëri që mahniti një brez të tërë dhe ngasi në grishje gjeneratën që pasoi të artistëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut si një mëkim.
Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme. Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve.
Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Kujtesa jone kolektive është gjithnjë e më e gjymtuar, prej egos së njeriut bashkëkohor, i cili duke u ndjer plot energji krijuese dhe me një shpirt flakatar protagonizmi, e ka ta pamundu të ngjitet aq lart për të vendosur qoftë edhe një mirënjohje mbi mermerin e ftohtë të Panteonit ku ruhet shkëlqimi i atij dielli që na ngrohu zemrën dhe na mbush me mall kujtimesh.
Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës.
Promoted Content