Shkruan Zef Ndreka
Është fjala për Mrika Trumshi-n, zërin e veçantë të muzikës shqiptare, veçanërisht asaj mirditore, e njohur për fuqinë dhe pathosin që përcjell në këngët e saj.
Ajo është bërë e dashur për publikun me interpretimin e këngëve epiko-atdhetare si “Xhamadani i Trimërisë”, një kryevepër e repertorit patriotik që mban gjallë ndjenjën e unitetit mbarëkombëtar, dhe me këngën kushtuar së fundmi Nënë Terezës, ku shfaqet dimensioni shpirtëror dhe human i artit të saj.
Të gjithë e kanë vërejtur, se në çdo dalje skenike, Mrika Trumshi mbart me krenari simbolikën shqiptare, veshjet kuq e zi, shqiponjën dykrenore, gjestin solemn, duke e kthyer interpretimin në një akt artistik, por edhe kombëtar.
Zëri i saj i fuqishëm dhe plot emocione, i shoqëruar me një interpretim të natyrshëm dhe të ndjerë, e bën të veçantë mes shumë këngëtarëve.
Mrika Trumshi është jo vetëm këngëtare, por edhe zëri që bashkon historinë, krenarinë dhe shpirtin shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë muzikore.