Zgjedhjet, jo vetëm politike por edhe kushtetuese

0

Shkruan Zef Ndreka

Pezullimi i dekretit të Presidentit nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë përbën një moment të rëndësishëm institucional. Vendimi tregon se Gjykata ka konsideruar të nevojshme të ndalojë procesin, për të shmangur pasoja të pariparueshme, nëse më pas dekreti do të shpallej antikushtetues.
Ky veprim nuk është një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë e dekretit, por një masë e përkohshme mbrojtëse. Në thelb, ai rikthen ekuilibrin mes institucioneve dhe e vendos çështjen në rrugën e shqyrtimit të qetë dhe ligjor.
Ndërkohë, procesi zgjedhor në Tiranë ndalon, derisa Gjykata të vendosë në themel. Kjo tregon se vendimmarrja për zgjedhjet nuk është vetëm një akt politik, por mbi të gjitha një akt kushtetues që kërkon respektim të rreptë të procedurave.
Në plan më të gjerë, ky rast është një provë për pjekurinë e shtetit shqiptar dhe për mënyrën si institucionet e tij trajtojnë situata tensioni pa kaluar në krizë politike.
Por pa kaluar 24 orë nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit mbi zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, ky vendim po interpretohet ndryshe nga analistët. Një pjesë e sheh si shenjë përplasjeje mes institucioneve, madje si dështim të rolit të Presidentit që, sipas tyre, është përdorur politikisht nga mazhoranca për të legjitimuar procesin zgjedhor.
Megjithatë, ky zhvillim duhet parë në dritën e funksionimit normal të një shteti demokratik. Vendime të tilla, ku Gjykata Kushtetuese pezullon ose rrëzon akte të qeverisë apo të Presidentit, nuk janë shenjë krize, por dëshmi se institucionet po ushtrojnë kontrollin e ndërsjellë që garanton Kushtetuta.
Raste të ngjashme ka pasur edhe më parë në Shqipëri, si vendimi për rrëzimin e marrëveshjes me Greqinë për ujërat detare, por edhe në vendet më të konsoliduara perëndimore, ku balanca midis pushteteve është themel i sistemit demokratik.
Në këtë kuptim, pezullimi aktual duhet lexuar jo si përplasje politike, por si një proces institucional që i jep drejtësisë vendin që i takon në zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme për shtetin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu