Helidon Gjikoka nuk di të ndalet, duke thyer sa herë ka dashur IKMT-në, policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Krahas përvetësimit të kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, sipas prokurorisë përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, Helidon Gjikoka është kapur edhe duke ndërtuar pa leje në Dhërmi, aktivitetit për të cilin rezulton se nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.
Në vijim të procedurave, Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit pranë Bashkisë së Himarës ka vendosur fillimisht pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe më pas prishjen e objektit të paligjshëm, në atë fazë ndërtimi.
Inspektorati, po gjatë muajit prill 2020, ka marrë edhe një masë administrative me gjobë ndaj Helidon Gjikokës. Këtu përfundojnë veprimet e organeve shtetërore ndaj Gjikokës. Nuk ka më asnjë procedurë për prishjen e objektit dhe procedimin penal të Helidon Gjikokës.
Ndërkohë, Gjikoka ishte denoncuar nga kushëriri i tij, Ilir Koka, se i kishte përvetësuar kompleksin ‘Ambel’, përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në shtator të vitit 2020, Prokuroria e Tiranës depozitoi në gjykatë kërkesën për arrestimin e Helidon Gjikokës. Për shkak të dekonspirimit të informacionit në gjykatë, Gjikoka mundi të largohej nga Shqipëria, duke i shpëtuar prangave. Ai u largua në Angli.
Prokuroria kishte ngritur akuzat e mashtrimit me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, falsifikimin të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrë për një grup prej 9 personash. Ata ishin Helidon Gjikoka, përfituesi i pasurisë i shpallur në kërkim, Ariton Kasaj avokat, Adiseldo Rrapaj inxhinier, Ardian Musta drejtor i legalizimeve në Vlorë, dy punonjëse pranë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu, si dhe punonjësit pranë legalizimeve Vlorë Denis Metaj, Erdet Mandi dhe Arbër Jaupaj.
Pas një viti, Gjikoka u rikthye dhe frekuentonte hapur lokalet e Vlorës dhe askush nuk e ndalonte.
Në lojë gjyqtari Enkel Peza
Në shkurt të vitit 2022, Gjyqtari i Vlorës Enkel Peza rrëzoi pjesërisht dosjen e prokurorisë për tjetërsimin kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, përmes falsifikimeve, pasuri e cila kaloi nga emri i Ilir Kokës në emrin e Helidon Gjikokës, në fshehtësi të Kokës. Gjyqtari Peza ka rrëzuar nga dosja akuzën e bashkëpunimit. Akuza është pushuar në mënyrë të paprecedentë, pasi disa nga personat në emër të të cilëve ishin hartuar akte ekspertimi dhe dokumente, kanë deklaruar në prokurori se nuk i kanë firmosur kurrë ato akte dhe se nuk e njihnin Helidon Gjikokën.
Arrestimi dhe lirimi pas 12 ditësh
Në mars të vitit 2022, efektivët e Krimit-Ekonomik të policisë së Vlorës arrestuan Helidon Gjikokën në Vorë. Ai qëndroi vetëm 12 ditë në qeli. Vendimi për zbutjen e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”, u mor në 24 Mars nga gjyqtari i Apelit Vlorë, Engert Pëllumbi, i cili më parë dënoi me 3.4 vite burgim ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Shumë shpejt Helidon Gjikoka do të hiqte edhe masën e arrestit shtëpiak. Sot Gjikoka është i lirë, ndërkohë që kolonat e paligjshme mbajnë një ndërtesë dhe Ilir Koka nuk e gëzon kompleksin që ngriti me punën në Greqi.
Historia
Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka. Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.
Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së Ilir Kokës në emrin e tij. Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës.
Në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës. Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës. Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.
Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur Ilir Koka, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikokës. Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.
Inxhinierja Alda Qira (Kurti): Unë nuk i kam firmosur këto akte
Nga lista e dokumenteve që Helidon Gjikoka dhe avokati Ariton Kasaj kanë paraqitur në organet shtetërore për të kaluar kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi në emrin e Gjikokës, është paraqitur edhe ky akt ekspertimi mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit. Akti i ekspertimit i vitit 2018 është paraqitur sikur është hartuar nga Alda Qira (Kurti). Në 15 dhjetor të vitit 2020, Alda Qira (Kurti) është pyetur në prokurori për aktet e hartuara nga ajo, pjesë e dosjes së tjetërsimit të pronës.
Mes të tjerave, inxhinierja ka deklaruar se “U njoha me aktet e vëna në dispozicion dhe bindjet them se këto nuk janë punuar nga ana ime, për me tepër nuk kam qene asnjëherë për inspektim të këtyre objekteve të cilët pasqyrohen në akte… Gjithashtu dua të shpjegoje se edhe në strukture janë akte të cilat nuk janë punuar nga ana ime, megjithëse janë munduar t`i kopjojnë”. Inxhinierja ka deklaruar se edhe numrin e licencës së saj e kanë shënuar gabim.
Megjithatë, edhe pse dy dokumentet konfirmojnë përtej çdo dyshimi falsifikimin e akteve, gjyqtari Enkel Peza ka rrëzuar dosjen dhe ka çliruar nga akuza Helidon Gjikokën dhe grupin e tij.
Konkluzioni i prokurorisë
Pas një hetimi të thelluar, kryqëzimit të dëshmive, dokumenteve dhe fakteve, prokuroria ka arritur në konkluzionin se Ilir Kokës i është vjedhur prona nga Helidon Gjikoka. “Shtetasi Helidon Gjikoka në bashkëpunim me shtetasin Ariton Kasaj rezulton se ka përdorur formularin e falsifikuar si dhe dokument të tjera të falsifikuara si akte ekspertimi etj., me qellim për të vjedhur nëpërmjet mashtrimit pronën e ligjshme të shtetasit Ilir Koka. Dhe vepra penale e mashtrimit është kryer pasi prona e ligjshme e vëllezërve Koka kaluar në pronësi të të dyshuarit Helidon Gjikoka me ndihmën e Ariton Kasës. Në rastin konkret del mjaft qartë se prona është e shtetasit Ilir Koka dhe se është tjetërsuar nëpërmjet mashtrimit nga ana e shtetasit Helidon Gjikoka, duke u mbështetur nga zyrtarë të ish Drejtorisë së Legalizimeve Vlorë siç është pasqyruar në dinamikë, në pjesën përshkruese të këtij relacioni”.