Shkruan Albert Vataj
Kongresi i Manastirit më 22 nëntor 1908 finalizoi një prej sfidave më të rëndësishme, përcaktimin e alfabetit. Ditët prej 14 nëntorit deri më 22 nëntor 1908 kohëzgjatje që ju desh këtij kuvendi për të gjetur një dakordësim mbi shkronjat e shqipshkrimit, ishte koha kur u zhvilluan betejat më të ashpra të asaj që do të zgjidhnin shqiptarët, për kahjen që do të zgjidhnim njëzëshëm në histori, perëndimin apo lindjen, origjinën shekullore dhe dëshmimin e kahmotshëm të traditës dhe shpirtit apo t’i viheshim nga pas oportunizmit politik të kohës.
Flitej dhe është shkruar, pranuar me gjysmë zëri dhe pajtuar jo fort shpirtërisht, se shqiptarët e një gjaku e të një fare, ata të të njëjets origjinë e të njëjtit amanet, nuk patën dhe aq njëmendje. U ndeshën dhëmb për dhëmb ide dhe ideologji. U cingëritën nerva e u përplasën dyer e tavolina. U përpushën grupe interesi, e radikalët rrëmbyen flamujt antishqiptarë për Shqipërinë që donin hyzmeqarët, të ashpra qenë përleshjet në këto orë dhe ditë të shoshitjes së derteve të kombit. Palë që mbronin interesa dhe të tjerë që i përgjigjeshin shpirtit të kombit, kulturës dhe traditës sonë të mbrujtur në hershmëri, shumë më heret se koha kur u ngjizën ato përkatësime, që kërkonin të na gllabëronin, duke na vjedhur shqipen, shqipen e pemës gjenealogjike ku shënjua gjurmën e vet identitare kombet e botës.
Si sot 115 vite më parë, historikisht dhe shkresërisht, i mbylli me një vend arritjeje të fortndritur, punimet Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i Alfabetit. Ai ishte tubimi i dijetareve shqiptarë, të cilët të yshtun prej nevojës atdhetare, më 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908, u gaditën në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes, bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm, për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.
Siç dihet në Kongresin e Alfabetit, Manastir, 14-22 Nandor 1908, morën pjesë, (përveç të deleguarve zyrtarë) edhe (400) vëzhgues, nga të cilët (300) të besimit mysliman.
Nga të ftuarit zyrtarë, (prej tyre erdhën nga Bukureshti, Sofja, Siçilia (Itali), Bostoni (SH.B.A). Nga katër provincat (vilajetet) e banuara me shqiptarë në Perandorinë Osmane, ajo e Shkodrës dërgoi (6) delegatë, Kosova (4), Manastiri (24), Janina (10), qyteti i Selanikut kishte vetëm një delegat, ndërsa Stambolli (3). Për sa i përket qyteteve, Korça kishte ( delegatë; Gjirokastra (5), Shkupi dhe Elbasani kishin nga katër. Komisioni Drejtues i krijuar për hartimin e Alfabetit, i kryesuar nga Atë Gjergj Fishta, përbahej nga katër anëtarë – myslimanë, katër ortodoksë, dhe tre, katolikë.
Historianët përmendin një takim të fshehtë mes delegatëve, që u zhvillua në një nga dhomat e ndërtesës ku mbahej kongresi. Është fjala për një propozim që Shahin Kolonja kishte përgatitur për t’a paraqitur në parlamentin osman. Sipas këtij propozimi, mësimet në të gjitha shkollat duhej të zhvilloheshin në gjuhën shqipe, ndërsa turqishtja si gjuhë e perandorisë, duhej të hynte në këto shkolla vetëm pas klasës së katërt fillore. Shkollat, si edhe më parë, duhej të financoheshin nga shteti (në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla). Në propozim, hidhej edhe idea e krijimit të shkollave të larta. Në buxhetin e perandorisë duhej të caktohej një fond vjetor për arsimimin e studentëve shqiptarë në Evropë ose Amerikë, ku ata të përgatiteshin për të dhenë mësime në universitetet shqiptare. Për të shmangur ndërhyrjen e Italisë, Greqisë a Austrisë në këto çështje, në mbledhjen e fshehtë në Manastir u propozua që priftërinjtë katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti osman. Ky ishte një projekt i guximshëm, ndikuar edhe nga entuziazmi që rilindësit provonin në prag të Kongresit Manastirit. Propozimi, që sot pasqyron vizionin e atdhetarëve të asaj kohe për arsimin, kurre nuk u paraqit për diskutim në parlamentin osman. Ai mbeti brenda dyerve të mbyllura, ndoshta në pritje të kushteve kombëtare kur ide për pavarësi të ishte e mirëpritur, ashtu si u deshën disa vite derisa alfabeti i miratuar në Manastir të pranohej pa kundërshtime nga të gjithë në mbarë trojet shqiptare. Në gjithë këtë zhvillim, një veçori vihet re, se në një kohë kur shqiptarët të përçarë e pa një shtet të vetin, arritën brenda pak ditësh të binin dakord mbi një vendim kaq monumental, siç është Alfabeti.
Sot, ajo që ndodhi 115 vite më parë, mund të mos rrok me pasion nacionaliteti, atë që mbeti gjurmë në histori, por s’kishte tjetër arritje më të rëndësishme në ekzistencën tonë si komb. Falë atyre burrave dhe patriotëve ne gëzojmë një gjuhë dhe histori, kulturë dhe përkatësim identitarë që na nderon dhe më të cilin përfaqësohemi denjësisht.