Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje nga kapja e 320 kg kokainë në Portin e Pireut, që vinte nga Amerika Latine, ngjarje që çoi në pranga edhe disa shqiptarë nga Patosi, mes tyre 54 vjeçarin Asdren Muharremi.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se droga nuk ishte e destinuar në Shqipëri, siç është thënë në mediat greke, por do të shitej në Greqi.
Gazetari e përshkroi shqiptarin e kapur, Muharremi, si një biznesmen me “biznese të rregullta” në Shqipëri.
“Rasti i fundit i Pireut, kemi trafik të lëndëve narkotike nga Amerika Latine. Mediat greke u munduan ta nxirrnin si linjë trafiku që vjen në Shqipëri, por grupi i kapur nga Patosi, që merren me fruta ekzotike… Asdren Muharremi, 54 vjeç, një nga emrat. Pashaportën e fundit që ka marrë në 2022, në Greqi e njihnin për Andrea. Ka historik të mëparshem, është i hershëm. Në fillim është marrë me trafik heroine. Ka krijuar lidhje të forta në Greqi dhe nga Greqia është marrë me trafik narkotikësh.
Në vitin 2017, ka qenë edhe lufta e famshme në Siri dhe është rast i hetuar nga prokuroria greke sepse grupi i tij kishte krijuar larborator dhe prodhonte një narkotik, që quhej droga e xhihadistëve. E prodhonte në zemër të Athinës dhe e çonin në Lindjen e Mesme. Është dënuar dhe nuk është kapur. Ka qenë me oficerë grekë edhe në këtë rast.
Një nga bashkëpunëtorët që nis ngarkesat nga Amerika Latine, një shtetas grek i njohur, i ndjekur nga DEA, ka qenë i arrestuar për shitje armësh, shkëmbim armësh me kokainë dhe bashkëpunim me FARC. Ka qenë i ekstraduar në SHBA, ka bërë burg atje.
Sasia e kapur, u kap me informacion nga brenda. Kanë qenë dy kontejner me karkaleca që vinin nga Ekuadori. Janë ca karkaleca të mëdhenj që vijnë nga Paqësori. Diku te 8 milionë euro me çmim shumice është kapur, sepse pastaj shkon 30 e kusur milionë euro, çmimi i tregut. Është kapur shtetasi grek. Dërgesa vinte nga Panama, pra kanë lidhje dhe dyshimet janë që shtetasi grek i ka këto lidhje dhe shqiptari hyn te pjesa në Pire.
Thuhej që droga do të vinte në Shqipëri, por më rezulton se ajo do të shitej në Greqi. Pra, nuk ka qenë për Shqipërinë. Personi që u kap, Muharremi, rezulton që në Shqipëri ka patur biznese të rregullta dhe të deklaruara. Janë kapur edhe shtetas të tjerë shqiptarë dhe disa turq.
Kanë filluar hetimet për të parë pjesëtarët e tjerë të furnizuar nga kjo organizatë.
Ajo që tërheq vëmendjen, grupi ka aktivitet të mëparshëm, ka precedent por më tepër ka bërë pastrim paraje. Është hetim që duhet bërë nga autoritetet tona. Jemi në vazhdën e linjave të konsoliduara“, tha Hoxha.