Shkruan Prof. Dr. Arben Malaj
Angazhimi i hershëm në politikë, në një nga periudhat më të vështira të tranzicionit të Shqipërisë, më lidh fort me angazhimin dhe modelin inspirues të Marek Belkës[i]. Përballja si Ministër i Financave në marsin tragjik të vitit 1997; nevoja urgjente për të pastruar ekonominë shqiptare nga skemat piramidale; domosdoshmëria jetike për të fituar besimin e donatorëve; emergjenca e arritjes së një marrëveshjeje post-konfliktuale me FMN-në/ ESAF[ii] si dhe hartimi dhe zbatimi i politikave, strategjive dhe reformave strukturore për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, përmbajnë edhe kontributet e çmuara të ekspertizës të spikatur dhe angazhimit të përkushtuar të Belkës. Në ditët e mia të para si ministër i Financave, Banka Botërore ofroi mundësinë e një këshilltari të huaj. Pak ditë më vonë më dorëzuan një “short list” të kandidatëve.
Kërkova dy kritere themelore përzgjedhëse: të ishte nga Europa Lindore, me njohje të mentalitetit dhe me ndjeshmëri humane për pasojat sociale të reformave. Së dyti, të kishte aftësi të shkëlqyera pune në ekip. I refuzoja “të diturit arrogantë”. Këto kritere i plotësonte më mirë se kushdo Marek Belka. Isha vetëm 36 vjeç, përball përgjegjësisë morale dhe politike të menaxhimit të krizës më të rendë në historinë tonë të pas viteve 90-të. Shqiptarët investuan kursime dhe të ardhura nga emigracioni në skemat mashtruese në rreth 1.2 miliardë dollarë. Kjo ishte rreth 50% e PBB-së. Numri i shqiptarëve që u mashtruan arriti në rreth 1.8 milionë veta ose 60% e popullsisë. Koha ishte armiku më i madh. Çdo orë vonesë “prodhonte” viktima. Humbën jetën mbi 2.500 njerëz të pafajshëm. Shpresa lindi nga krijimi në 9 mars 1997 i qeverisë së “Pajtimit Kombëtarë” me kryeministër Bashkim Fino. Shpresa u rrit nga fitorja , në zgjedhjet e korrikut 1997 e “Aleancës për Shtetin” me kryeministër Nano. Shpresa u bë mbështetëse e reformave të dhimbshme pas Konferencës së Donatorëve në Bruksel në tetor 1997. Integriteti i lartë moral dhe thellësisht profesional krijojë besueshmëri, respekt reciproke dhe bashkëpunim maksimal, tek donatorët. Kjo krijoj premisat për arritjen në kohën më të shkurtër të marrëveshjes post konfliktuale/(ESAF) me FMN-në. Në konferencën shpresë-prodhuese të donatorëve në Bruksel në tetor 1997, FMN deklaroi se programi i qeverisë shqiptare prodhon rritje ekonomike dhe stabilitet financiare. Ne e besojmë dhe e mbështesim qeverinë shqiptare.”
Ky “certifikim” ishte i mundur edhe falë kontributit të Belkës, Pashkos dhe ekipit të Ministrisë së Financave. Konferenca, e drejtuar me dashamirësi dhe profesionalizëm maksimal nga zv.presidenti i Bankës Botërore Johannes Linn, mblodhi realisht rreth 600 milionë dollarë donacione për programe kundër varfërisë, ringritjen dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë tonë. Por kontributi i Belkës shfaqej sidomos në momente kritike të negociatave me FMN-në, që jo në pak raste zhvilloheshin në Ministrinë e Financave deri orët e para të mëngjesit. Në një moment kritik, negociatat me FMN-në u bllokuan.
Kryeministri Nano më tha: “Suksesi i negociatave është përgjegjësia jote. Negocio, por mos vono asnjë orë nënshkrimin e marrëveshjes me FMN-në.” Në një tjetër pikë tensioni midis dy ekipeve, ndërhyrja e matur dhe qetësuese e Belkës riktheu tryezën e dialogut. Ai më qartësoj se teknikisht ke të drejtë, por pa miratimin e tyre/FMN-se nuk mund të ecim përpara. Gjejmë një kompromis të pranueshëm për të dyja palët.” Pas rënies së qeverisë Nano, Belka vazhdoi të këshillonte qeverinë Majko dhe Meta. Pak ditë përpara konkurrimit mes meje dhe Metës në KPD për kandidatin për kryeministër të socialistëve për zgjedhjet parlamentare 2001, Belka më kërkoi një kafe “jo pune”. Prisja sugjerim për tërheqje nga gara pasi Belka vazhdonte këshilltar i Metës. Por mora një këshillë të vyer: “Arben, ju jeni ekspert deri në detaje, por, nëse dëshiron një ditë të jesh lider i vendit tënd, fokusohu më shumë në vizionin e sfidave të zhvillimit.”
I njëjti mesazh më ishte përcjellë edhe nga Presidenti i BERZH në një darkë pune në Tiranë. Këto këshilla ndikuan drejtpërdrejt në përzgjedhjen time për të fituar në 2002 në Georgetown University. Këtë mundësi e humba sepse në gusht 2002 u riktheva në qeveri si ministër i Ekonomisë. Në 2005 fillova një program si Senior Fellow në Universitin e Harvardit. Etja për dije dhe investimi në integritet publik mbeten themele përcaktuese në angazhimet dhe rrugëtimit tim publik, akademik dhe politike. Gjatë karrierës sime 35-vjeçare kam pasur fatin të takoj dhe frymëzohem nga shumë figura të shquara, por Marek Belka mbetet më i drejtpërdrejti dhe më i dobishmi që në hapat e parë.
Katër mësime vlerat e integritetit në lidershipit politik të Belkës janë:
1. Përgjegjësia publike mbi ambiciet personale. Si ministër i Financave në Poloni, Belka dha dorëheqjen kur kryeministri i ndryshoi në parlament draft buxhetin e miratuar nga qeveria. Kryeministri argumentonte se polakët kishin votuar atë për të qeverisur Poloninë. Përgjigjja plot integritet e Belkës ishte, po ju jeni kryeministri i Polonisë, por unë jam ministri i Financave i polakëve.” Ajo dorëheqje tregoi se integriteti dhe respekti për institucionet ishin të panegociueshme për Belkën. Ky është modeli më inspirues për çdo ministër financash në çdo vend dhe përballë çdo situate.
2. Pozitiviteti dhe thjeshtësia maksimale. Pavarësisht posteve të larta në një nga vendet më të mëdha dhe më reformatore të Evropës Lindore dhe në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, pavarësisht diplomave nga tre universitetet më të mira në botë, Belka kurrë nuk shfaqte ndaj askujt qasje arrogante, imponuese apo nënvlerësuese.
3. Integriteti i lartë – investimi afatgjatë më i mirë dhe më i dobishëm për vetveten dhe vendin tuaj. Emërimi i Belkës si drejtues i menaxhimit të fondeve për rindërtimin e Irakut nga donatorët ndërkombëtarë u bë për shkak të reputacionit të tij për ndershmëri dhe efikasitet. Më pas, si Drejtor i Departamentit Evropian në FMN, Belka mbrojti politika fiskale të përgjegjshme, me qëndrime të pavarura ndaj presioneve politike.
4. “Kurrë mos u dorëzo.” Si Guvernator i BQ të Polonisë, Belka pas publikimit të një përgjimi të një takimi informal ku një ministri i kërkonte një politikë monetare më të butë përpara zgjedhjeve refuzoi presionin këmbëngulës për dorëheqje. Ai nuk u tërhoq dhe ruajti integritetin e tij publik. Belka publikisht sqaroi se ministri i bëri një kërkesë, por ai as i premtoi dhe as e ndryshoi politikën e pavarur monetare. Belka u përball edhe me akuza për bashkëpunim me CIA-n. Kundërshtarët e tij të përhershëm, i publikuan një dokument për një takim të Belkës me agjentë të CIA-s gjatë studimeve në Columbia University. Belka qetësisht dhe publikisht sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një road-map/manual për angazhimin e elitës polake në rrëzimin e komunizmit. Një takim të tillë CIA kishte bërë edhe me Papa Wojtila[iii] dhe disidentë polakë. Integriteti i lartë publik, transparenca dhe sqarimet bindëse mbeten arma më e fortë në lidershipin e Belkës. Karriera e Marek Belkës mbetet një model frymëzues se si të udhëheqësh me integritet, edhe në kohë krizash dhe nën sulme të pamëshirshme. Vendimet e tij të guximshme, refuzimi për të kompromentuar parimet dhe përkushtimi i tij ndaj interesit publik përbëjnë një trashëgimi dhe model të vyer edhe për lidershipin e sotëm politikë.