“Ne do të shohim rezultatin e votimit në Itali, dhe nëse gjërat shkojnë në një drejtim të vështirë, ne kemi mjete, si në rastin e Polonisë dhe Hungarisë”.
Ka qenë ky mesazhi i fortë nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pas sondazheve se zgjedhjet në Itali parashikohen të fitohen nga dyshja ekstreme Salvini-Meloni.
Përgjigja e Leyen për gazetarët nga SHBA, nënvizonte se në mesin e kandidatëve të zgjedhjeve të së dielës në Itali “ ka figura të afërta me Putinin”.
Referenca e Von der Leyen për Italinë vjen vetëm pak ditë pas një vendimi të marrë nga Parlamenti Evropian, i cili miratoi një raport që dënon “përpjekjet e qëllimshme dhe sistematike të qeverisë hungareze për të minuar vlerat evropiane” dhe duke u kërkuar institucioneve të BE-së të marrin masa kundër Hungarisë.
Teksti thotë se “vlerat si demokracia dhe të drejtat themelore janë në rrezik të madh”.
Në konferencën e djeshme në Princeton, von der Leyen theksoi gjithashtu se “demokracia ka nevojë për secilin prej nesh, është një punë e vazhdueshme, nuk është kurrë e sigurt”.
Dhe për rezultatin e mundshëm elektoral në Itali ai shtoi: “Qasja ime është që ne të punojmë me çdo qeveri demokratike që është e gatshme të punojë me ne. E di që ndonjëherë jemi të ngadaltë dhe që flasim shumë, por kjo është edhe e bukura e demokracisë. Pra, ne do të shohim se si do të shkojnë këto zgjedhje: edhe njerëzit, të cilëve qeveritë duhet t’i përgjigjen, luajnë një rol të rëndësishëm”.
Ndërkohë, Matteo Salvini, kreu i Lega Nord i qendrës së djathtë ka reaguar ashpër për deklaratën e presidentes së Komisionit Europian.
“Fjalë të neveritshme nga Von der Leyen, mocion censure ndaj Lega. Çfarë do të thotë “nëse gjërat shkojnë në një drejtim të vështirë? Nëse e majta nuk fiton është një pushtim i pa kërkuar në fushë. Zonja përfaqëson të gjithë europianët, të gjithë italianët, jo vetëm ata që votojnë majtas, pra rrogën ia paguajmë ne.”, tha Salvin duke shtuar se
“Nëse do të isha president i Komisionit të BE-së, do të shqetësohesha për bllokimin rritjet e faturave të energjisë elektrike dhe gazit”.