500 milionë ton naftë të pashfrytëzuar në Shqipëri

0

I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në Tv Klan, Prof. Dr. Fatmir Shehu, ish-Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, tha se në përgjithësi industria e naftës dhe gazit në Shqipëri ka përjetuar një rënie të konsiderueshme në kapacitetin prodhues dhe kualifikimin e specialistëve që nga vitet ’90.

“Industria e naftës dhe gazit në vendin tonë pas viteve ’90 nuk pati progres, përkundrazi ka regres në organizim, në kërkime, ka regres në prodhim dhe kualifikim. Gjithashtu, regres ka ndodhur dhe në humbjen e kualifikimeve, çka e bën katastrofike për mendimin tim, sepse ne krijuam shkollën shqiptare të hidrokarbureve”, u shpreh Shehu.

Për të rikthyer industrinë e naftës në gjurmët e duhura, Fatmir Shehu thekson se e ardhmja varet nga politika që do të ndërmerret. Ai parasheh nevojën për një organizim ku industria e naftës të menaxhohet nga specialistë shqiptarë, pasi ata e kanë këtë mundësi.

Një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të industrisë së naftës në Shqipëri janë kërkimet në det. Sipas Fatmir Shehut, kërkimet në det për naftë janë një ndërmarrje e vështirë për vendin tonë dhe do të ishte mirë që për një gjë të tillë të thirren kompanitë huaja, pasi ka kosto dhe rrezik të madh për ne.

Shqipëria, sipas Shehut, ka një potencial të jashtëzakonshëm në sektorin e naftës dhe gazit, me rezerva të pashfrytëzuara që e bëjnë atë një “gjigant të fshehur” në rajon. Sipas të dhënave, vendi ynë ka 50 herë më shumë naftë se Greqia, me rreth 500 milionë tonë akoma të pazbuluara.

“Vendi ynë ka më shumë naftë se Italia, edhe Greqia dhe ish-Jugosllavia. P.sh. Greqia ka rreth 10 milionë tonë naftë rezerva, ndërsa ne kemi rreth 500 milionë tonë akoma të pazbuluara. Ka perspektivë për zbuluar naftën edhe në pjesën lindore të Shqipërisë deri në Kosovë, duke mos llogaritur më pas pjesën e detit për këtë.”

Eksperti këshillon se vetëm nëpërmjet një qasjeje të integruar dhe të planifikuar me kujdes, duke u mbështetur në ekspertizën vendase dhe partnerët strategjikë të jashtëm, Shqipëria mund të shfrytëzojë pasuritë e saj natyrore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu