82 shqiptarë nën hetim për kontrabandë ilaçesh nga Italia

0

TIRANË- 82 shqiptarë nën hetim për kontrabandë ilaçesh nga Italia. Dy nga medikamentet që janë kontrabanduar nga grupi i mjekëve në Itali dhe Shqipëri kanë qenë ndër më të rrallat gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit në vendin tonë. Bëhet fjalë për “Clexane” si dhe “Enoxaparin”. Të dyja këto medikamente përdoren për mpiksjen e gjakut, ndërkohë që një dozë e këtyre ilaçeve shitej me nga 20 mijë euro.

Këto ilaçe përdoreshin gjatë periudhës së pandemisë nga pacientët e infektuar me Covid, pasi një nga efektet anësore të vaksinave por edhe të pasojave të infektimit, ishte dhe mpiksja e gjakut. Medikamentet ishin shumë të vështira të gjendeshin dhe grupi kriminal i kontrabandonte nga Italia për t’i shitur në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë.

Aksioni për goditjen e grupit të trafikut të medikamenteve, por jo vetëm, u finalizua sot edhe pse kishte nisur që në vitin 2020, ndërsa në pranga janë vënë 6 persona, ndërsa nën hetim janë 82 shqiptarë, mes tyre mjekë dhe biznesmenë. Mes mjekëve, emrat deri më tani u kanë dalë Edvin Priftit, Aurel Vulës, Ilir Broqajt dhe Vladimir Peto. Biznesmenët nën hetim janë Aleksandër Gjoka dhe Ngue Pulaj.

Nga hetimet rezulton se në periudhën 2020-2021, mjekët kanë bashkëpunuar me një grupi të organizuar kriminal që vepronte mes provincës së Milanos, në Itali, dhe Shqipërisë. Grupi i organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme e për dokumentacionin e nevojshëm kanë pasur asistencën nga mjekët shqiptarë.

Hetimi mes organeve ligjzbatuese shqiptare dhe italiane ka dokumentuar lëshimin e certifikatave të rreme mjekësore që vërtetonin nevojën e shtetasve shqiptarë për trajtim urgjent mjekësor jetëshpëtues në Itali, kur në fakt nuk i kishin aspak të nevojshme. Në këmbim mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal duke marrë para ose shërbime seksuale kundrejt personave që merrnin trajtimin mjekësore apo u lejohej hyrja në Itali.

Pacientët që kanë paguar me para ose shërbime seksuale rezultojnë të kenë marrë të paktën 383 shërbime ambulatore dhe 1,554 vizita të specializuara, qëndrime në spital dhe receta, në kundërshtim me ligjin në Itali. Gjatë aksionit të përbashkët u sekuestruan mbi 500 000 euro nga llogaritë bankare dhe barna me përmbajtje narkotike të të dyshuarve në vlerë prej 20 000 euro.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu