Shkruan Alba Malltezi
Sekretarja besnike e Faik Konicës, Charlotte Graham, pas vdekjes së shpejtë dhe të papritur të shqiptarit të mirënjohur, në mëngjesin e ftohtë të 15 dhjetorit 1942, në apartamentin e vogël ku Faik Konica jetonte me qira në Uashington, do t’i thonte kështu doktor Robert Odenit, kur ai e pyeti nëse Konica kishte familjarë dhe të ardhura si garanci për funeralin e tij: “Faiku kishte 15 dollarë dhe 54 cent në apartamentin e tij…”
Nëse lexojmë për Faik Konicën, si në librin e çmuar të Ilir Ikonomit, si dhe në të tjera biografi apo dëshmi të shkruara për shqiptarin më të famshëm të kohëve në SHBA, do të lexojmë një jetë plot kontradikta dhe konflikte publike, personale, si me Fan Nolin, sidomos me Kostë Çekrezin, aludime dhe flirtime me fashistët e Musolinit, marrëdhënie kontradiktore me Ahmet Zogun, letra anonime sulmuese mes bashkëatdhetarësh që bëjnë zhurmë në krahasim me thelbin: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare, të rimëkëmbjes së Shqipërisë.