Rritja e qirave dhe e çmimit të banesave duket sikur ka prapavijë të qëllimshme politike, ndërkohë që Shqipëria po përballet me një fenomen të pazakontë, atë të largimit masiv të të rinjve. E ndërsa çmimi i qirave të banesave në prag të sezonit të ri akademik po kap shifrën rekord të 400 eurove, duke e bërë akoma më të vështirë jetesën e studentëve, edhe ai i shitjes së banesave po bëhet gjithnjë e më i papërballueshëm nga të rinjtë.
Të rinjtë të cilët përfundojnë arsimin në Tiranë, nisur nga fakti që çmimet e banesave po rriten në mënyrë të pajustifikuar me shpejtësi duke u përafruar me ato të vendeve të BE-së, kanë një arsye më shumë, ose nxitje më të madhe për t’u larguar nga vendi i tyre, përderisa diku tjetër mund të paguhen më tepër dhe mund të ndërtojnë më lehtë të ardhmen e tyre.
Austria së fundmi por edhe vende të tjera të BE-së kanë hartuar politika të atilla sociale duke vendosur çmime tavan për qiratë e banesave me qëllim që t’ju vijnë në ndihmë studentëve dhe të rinjve, vetëm e vetëm që ata të mos dekurajohen për të punuar, jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në vendlindje.
E ndërsa çmimet e banesave dhe qirave po bien thuajse kudo, edhe në vende pa dramën e shpopullimit të Shqipërisë, pse ndodh e kundërta në vendin tonë, një ndër vendet me nivelin më të lartë të emigracionit!
Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve foli në lidhje me rritjen e çmimit të referencës për banesat.
Hebovija theksoi se rritja e kësaj takse do të bëjë që çmimet e apartamenteve në Tiranë të rriten me 150-300 euro për metër katror.
Hebovija nënvizoi se vendimi i qeverisë për të rritur çmimet e referencës për banesat ka ardhur pas kërkesës së lartë që ka për ndërtime.
Sipas tij bashkia dhe qeveria kërkojnë të marrin sa më shumë taksa duke para paratë që po hidhen në këtë industri, por në këtë formë ata dëmtojnë konsumatorët por dhe vetë ndërtuesit.
“150-300 euro do të rriten çmimet e banesave për metër katrorë. Nuk e kemi rritur ne, e kanë rritur çmimet e refeencës. Do paguhet ajo shifër, do t’i paguhet bashkisë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. S’e s’ka logjikë tregu që t’i ndërton, investon dhe më pas humbet”, tha Hebovija.
“Duke pasur parasysh kërkesat e larta për ndërtime qeveria dhe bashkia mendojnë se këtu ka para, nuk ke ku e transferon, pasi nuk mund ta transferosh në një vend tjetër me taksa të ulëta, është në kryeqytet dheqeveria do t’i marrë maksimumin. Kjo nuk është një zgjidhje e drejtë kapitaliste, por është një marrëveshje për t’ia marrë frymën sa më shumë biznesit. Kur nuk mund të jetë ky biznes do gjejnë një biznes tjetër për t’ia marrë frymën”, tha ai i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania.
Pra, për të ndalur shpopullimin është e nevojshme të hidhen hapa konkretë duke ndërtuar politika favorizuese dhe jo dekurajuese për të rinjtë. Ndryshe Shqipëria rrezikon të mbetet shumë shpejt një vend me të moshuar dhe të huaj.