Shkruan Albert Vataj
Kjo paradë pikturash është pjesë e galerisë të piktorit të studios, spanjollit, Joan Marti Aragonés.Ata janë femra seksi, ndjellëse, joshëse dhe vetë shprehia e simbolikës së të bukurës, si më e epërmja ëndje, ardhur tek ne si shpërblim hyjnor.
Theksimi i linjave duke tonuar nëpërmjet dritëhijes dhe plazmimit të koloritit, afron komunikimin dhe përbashkon ndijimin me shprehjen. Piktori i ka derdhur këto kurme në një hijeshi që kapërcen bukurinë klasike femërore, manifestimin dehës të kandjes së saj për të behur trandëse Është shumë interesant fakti, se si ai ka një numër të konsideruar punësh me subjekt femrën, të trajtuar në atë madhështi hiresh, në një këndshikim ndryshe nga të tjerët. Dukshëm evidentimi i sensualitetit në pikturën e tij tregon shpinën e femrave dhe ai e bën këtë me një pasion të shpenguar. Ngjyrat e ndezura i vënë zjarrin kësaj shprehie shpengimi të femrave në pikturën e tij. Po pse ai nuk denjon të na i tregojë të hirshmet e tij të pikturës nga përpara, pse grish kaq intrigues ti qaset bukurisë femërore kësisoj? A është një insistim për të qëndruar përballë pozimit të femrës në një pozicion krejtësisht të ndryshtë ngase priren klasikja e kësaj ngasje, apo ka diçka më misterioze se kaq? Kjo pyetje thjeshtë mund të marrë një përgjigje hamendësuese.
Kjo shprehi sensualiteti të femrës e bën unike kahjen dhe trajtesën që ai i bën subjektit fëmër, dhe njiherash sjell një ngucatje më të veçantë. Ndryshe nga piktorët e tjerë që kërkojnë me ngulm e zell të shpërfaqin portretin, gjoksin dhe komponentë të tjerë të hijeshisë femërore, Joan Marti Aragonés ofron një mënyrë të re dritëpamësie të epshit dhe dalldisjes. Pjesa e pasme e femrës, ajo gjysmëlakuriqsi drithëruese pluskon në tablo si drita reflektuese e asaj bukurie që druhet ti shfaqet syve dhe ëndjeve përpirëse, ka frikë të jepet pamjes të ballshme, po kaq sa është e dyzuar të tregojë lakuriqsinë e sajë të kulluar edhe në një vështrim tinzar, në një shikim që grish dhe teptis.
Sigurisht që galerinë e tij krijuese nuk e përbëjnë vetëm femrat. Ai ka një gamë të pasur trajtesash dhe aplikim të begatë teknikash, gjë që e rritin veprën e tij në sytë e kritikës.
Piktori spanjoll Joan Marti Aragonés është një nga artistët më të rëndësishëm në kapërcyellin e dy shekujve. Lindur në Barcelonë, ai filloi studimet e tij artistike më 1950.
Talenti i tij artistik u zhvillua dhe u përsos së pari në Akademinë Valls dhe më vonë në Escuela de Bellas Artes de Sant Jordi, në Barcelonë. Ai studioi me mësues të tillë të njohur si Nolase Valols, E. Santasusagna dhe Garcia Morales.
U ballafaqua me publikun në ekspozitën e tij të parë në Galeria Atenea në vitin 1959 në Barcelona. Juan Carlos I është një nga artistët zyrtarë të portreteve të Mbretit të Spanjës.
Me kërkesën e këngëtarit të operës, Placido Domingo, ai pikturoi skena nga opera e Verdi, Otello, ku interpretonte Domingo dhe sopranoja Katia Ricciarelli që performonin në La Scala në Milano.
Këto arritje janë rezultat i një karriere të përkulur në përkushtimin ndaj teknikës dhe një vizioni estetik të unifikuar. Joan Marti Aragonés është një mjeshtër i të gjitha aplikimeve pikturike: shkëlqeu në bojrat e vajit, pastelet e tij e ridimensionuan vlerën artistike në Spanjë. Punoi gjithashtu me qymyr, stilolaps dhe bojë. Aftësitë e tij për të ofruar figurën njerëzore nuk janë të dyta për asnjë. Ai i do pikturat e zhanreve të Katalonjës së tij të lindjes, peizazhet, studime të personazheve dhe akoma më shumë.
Ai është një piktor në studio. Piktura e tij është më së shumti në koleksione private në të gjithë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Ndërkombëtarisht, puna e tij është vlerësuar në Paris, Luksemburg, Caracas, Washington, New York, Bruksel, Miami, Quebec, dhe natyrisht në të gjithë Spanjën.