Shteti paranoid: Kur shteti çmendet, por vjedh me ndërgjegje

0

Shkruan: Naim Flamuri

Ka pushtete që gabojnë. Ka pushtete që dështojnë. Dhe ka pushtete që dëmtojnë me vetëdije. Ky i fundit nuk është më thjesht autoritarizëm. Është patologji pushteti: një përzierje paranoje, agresioni institucional dhe psikopatie të ftohtë, ku shteti pushon së qeni shërbim publik dhe shndërrohet në armë kundër qytetarit, ndërsa arka e shtetit në bankë private të pushtetit.

Lideri-shpëtimtar dhe realiteti i copëtuar.

Në këtë sistem, udhëheqësi nuk gabon kurrë. Ai është i pazëvendësueshëm, i domosdoshëm, shpëtimtari i përhershëm. Çdo kritikë është komplot. Çdo opozitë është armik. Çdo gazetar është tradhtar. Kështu lind realiteti paralel: një botë propagande ku suksesi shpallet çdo ditë, ndërsa varfëria, ikja dhe korrupsioni fshihen pas gjuhës së frikës dhe alarmit të përhershëm. Kjo nuk është siguri kombëtare. Kjo është paranojë shtetërore. Shizo-paranoja politike: kur pushteti refuzon të vërtetën. Në këtë mendësi: faktet ndahen në “të dobishme” dhe “armiqësore”, e vërteta ekziston vetëm kur i shërben pushtetit, gënjeshtra quhet stabilitet, Shteti flet për fitore, qytetarët për mbijetesë. Shteti shpall projekte madhore, ndërsa milionat zhduken. Jo sepse nuk dihen. Por sepse nuk duhen parë.

Psikopatia me vetëdije: krimi i planifikuar.

Mos u mashtroni: këta nuk janë të hutuar, as të paditur. Ata e dinë: kur firmosin kontrata që vjedhin, kur shkruajnë ligje që mbrojnë grabitjen, kur heshtin drejtësinë dhe ndëshkojnë denoncuesit. Këtu vjedhja nuk është incident, është strategji. Korrupsioni nuk është skandal, është arkitekturë pushteti. Psikopatia me vetëdije nuk beson propagandën. Ajo e përdor atë.
Paranoja si perde e hajnisë
Në këtë shtet: transparenca quhet rrezik, hetimi quhet destabilizim, drejtësia quhet armike. Dhe ndërkohë: buxheti copëtohet, pasuria publike privatizohet, shteti shitet pjesë-pjesë Jo natën. Por në dritë. Me ligj, me vulë, me arrogancë. Agresioni institucional: shteti kundër qytetarit. Ky pushtet nuk bind, ndëshkon. Nuk dialogon, kërcënon. Nuk shërben, kontrollon. Ligji zbatohet selektivisht. I forti mbrohet, i dobëti shtypet. Denoncuesi persekutohet, hajduti promovohet. Kjo nuk është rend. Kjo është disiplinë frike. Kur pushteti: e sheh veten si shpëtimtar, kritikat si armik, shtetin si plaçkë, atëherë nuk kemi më demokraci, por shtet paranoid me fasadë demokratike. Dhe rreziku më i madh nuk është se pushteti çmendet, por se e di saktësisht çfarë po bën. Sepse paranoja nuk ndërton. Psikopatia nuk qeveris. Dhe pushteti që vjedh me ndërgjegje nuk zgjat përgjithmonë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu