Shkruan Zef Ndreka
Kjo mbetët pyetja më thelbësore për fatin e reformës në drejtësi. Për ta analizuar duhet thënë se SPAK-u nuk i shpëton politizimit vetëm përmes vullnetit, por kur të plotësoje disa kushte strukturore dhe kulturore që sot në sytë e opinionit i shohim ende të brishta.
SPAK-u sot është dukshëm nën presion politik dhe ky fakt është i pashmangshëm, sepse në Shqipëri, politika ka kontrolluar për dekada të tëra drejtësinë dhe sepse dosjet lidhen drejtpërdrejt me pushtetin dhe pasurinë.
SPAK-u ka për detyrë të prek interesa reale dhe jo simbolike e për këtë presioni nga pozita dhe opozita ndaj tij do të ishte i pashmangshëm.
Me hir apo pahir, të dyja palët e duan SPAK-un, por vetëm kur godet tjetrin. Berisha i akuzuar ekzaltohet kur akuzohet dikush nga qeveria, ndërkohë nuk lë fjalë e epitet pa thënë sapo i vjen dita të paraqitet në zyrat e hetimit si i akuzuar.
Kjo do të thotë se politizimi nuk vjen vetëm nga ndërhyrjet direkte, por edhe nga përdorimi propagandistik i çdo vendimi të tij.
Për ta vazhduar analizën, na ndihmon pyetja:
Mandati i kufizuar kohor i SPAK-ut, a është dobësi apo garanci?
Dihet se parlamenti ka miratuar me 100% të votave organin e akuzës SPAK, me mandat të kufizuar dhe kjo është një thikë me dy tehe.
Sëpari mund të konsiderohet dobësi, sepse krijon ndjesinë e përkohshmërisë dhe i shton tundimet për llogari politike apo personale.
Sëdyti mund të shihet edhe si garanci, sepse i detyron prokurorët të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri, për të lënë gjurmë para se struktura të riformatohet.
Por nqs SPAK-u nuk arrin të krijoje standarde të pakthyeshme gjatë këtij mandati dhe të ketë rezultate konkrete për peshqit e mëdhenj në veçanti, ai rrezikon të mbetet një episod kalimtar dhe jo një institucion që lë gjurmë.
Një nga rreziqet reale të SPAK-ut sot mbetet selektiviteti, që në një farë mënyre e politizon institucionin. Ky politizim nuk shfaqet domosdoshmërisht me urdhra politikë, por me
zgjedhje selektive të çështjeve, me ritme të ndryshme hetimi për subjekte të ngjashme, me
heshtje të zgjatura për dosje të nxehta siç po ndodh me vrasjet e 21-janarit, me Gërdecin, me dosjen Partizani, etj.
Sot publiku po percepton se SPAK-u po heton shpejt disa, ndërsa të tjerë nuk po prekën. Ky është momenti që besimi fillon të bie, pavarësisht rezultateve të pjesshme.
Pyetja tjetër që vjen:
Çfarë e mbron realisht SPAK-un nga politizimi?
Nga politizimi, organi i akuzës nuk mbrohet me deklarata, por me transparencë procedurale dhe sa më larg mediave.
Politizimin e SPAK-ut e mbron barazia në standardin e hetimit, pavarësisht emrave, e mbron mbështetja qytetare, jo ajo politike.
E mbron rezistenca ndaj spektakleve dhe presioneve publike.
Në rastin kur SPAK-u do të filloje të sillet si aktor politik dhe do ti përgjigjet opinionit të ditës, atëhere e humb betejën për të cilën është krijuar.
Gjithsesi, SPAK-u nuk do ta shmangë plotësisht politizimin, por mund ta kufizojë atë, duke vepruar si institucion teknik dhe jo si institucion emocional, sepse gjykimi historik me mbarimin e mandatit të tij nuk do të jetë sa politikanë arrestoi, por a arriti të ndryshoi rregullat e lojës, apo vetëm figurat në skenë!
Kjo është prova e vërtetë e pavarësisë së tij.








