E gjithë kjo Shqipëri, fillon e mbaron me “zog të zi”
Zogu i Zi, toponim pornografik dhe argument urbanistik “Zogu i Zi”, kjo është kryefjala, kjo është gjithçka që po përtypin shqiptarët ditë pas dite, orë pas ore, me ose pa oreks, në këto momente kapërcyelloi, për fatin e një mbikalimi. Fizikisht kacafytja ka nisur mes pozitës dhe opozitës për disa mure betoni dhe një xhungle që ka pjellë një ndër kryqëzimet më kryesore, e pse jo më problematikët në Tiranë. Ajo që është thënë e stërthënë deri më tash, që mund të jetë mesi i betejës për mbikalimin e “Zogut të Zi”, as nuk është artikuluar dhe as nuk mund të ketë këtë fat ndonjëherë të llomotitet kaq shumë për të njëjtën gjë, kur ata që duhet sagllam të merren me këtë mesele denjojnë të bëjnë spektatorin në këtë sallamahi politiko-sociale. “Zogu i Zi”, vetëm duke qenë tashmë politik, megjithëse nuk dihet se ç’dreqin e lidh atë “Zogu i Zi” të vërtetin me politikën, është bërë problem gjithëshqiptar. Për “Zogu i Zi” kush nuk ka dëgjuar, lexuar, kujt nuk i ka behur në kafe apo në një sebep familjar. Kjo falë jo dhe aq për të qenit “Zog” apo “i Zi”, por vetëm e vetëm se në mes të këtij toponimi pornografik dhe këtij argumenti urbanistik, e gjen veten politika shqiptare. Përvojat dëshmojnë se korbi është një shpend ndjellakeq. Ishalla nuk po don me hy ndër ne ky shpend si korb, por kërkon me u beh vetëm si “Zog i Zi”, si fakt urbanistik, si ngacmim qytetar, si kataklizmo politike. Tamam-tamam “Zogu i Zi” nuk po duket se behu në politikën shqiptare për ndonjë të mirë të madhe, vetëm si një korb. Sikur të mos na mjaftonin hallet e pafund, dimri i ftohtë, mungesat sociale dhe një katrahurë administrative e shtetërore, ja ku na del dhe “Zogu i Zi”. Politika shqiptare e gjeti veten të përfshirë nga kjo betejë, ndoshta jo tamam e bindur se cilat do të ishin përmasat që do të merrte dhe do të marrë problemi “Zogu i Zi”, nëse do të vazhdohet t’i shtohen drurët me kaq zell këtij zjarri. Gjithsesi, një të mirë e ka edhe ky zullum, të paktën shqiptarët më në fund morën vesh se kush është origjina e këtij toponimi që i bën karshillëk Tiranës. I turreshin italianët “zogut” dhe u emërtua “zogu i zi”. Edhe Shkodra ka diçka me të zi, “Gurin e Zi”, por edhe shkodranët kanë harruar hallet dhe diskutojnë me qejf për zogun, të ziun.
Fluturimi i parë i “Zogut të Zi” Kur u bë publik projekti i ndërtimit të mbikalimit tek nyja e “Zogut të Zi”, i pari i këtij lloji në vendin tonë, nuk u kursye askush ta përcillte këtë si mrekullinë shqiptare. Në këtë ceremoni të nisjes së shqiptarëve për në “Hënë”, veç kryebashkiakut, sot Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, nderonte me prezencën e tij Kryeministri dhe Kryetari i PS, Ftos Nano, sot në periudhë reflektimi politik, ndoshta të marrjes hov drejt Presidencës. Mundësimi i këtij projekti dhe eureka shqiptare e këtij mbikalimi, u servir si një shpëtim nga katastrofa e trafikut në këtë nyjë të kryeqytetit. Jo vetëm ato që kishin të bënin me Tiranën, që jetonin në kryeqytet, e atyre që përdornin tranzit këtë rrugë, por anembanë shqiptarët u bënë shend e verë. Edhe shkodranët që vonojnë 30-40 minuta të ndahen prej “Zogut të Zi”, qenë gëzuar për mbikalimin. Nuk vonoi dhe filluan punimet, rrëk-zhdrak, siç bëhet çdo punë në vendin tonë, ku nuk merret vesh se kush dhe kur punohet. Nejse. E vetmja që ishte e vrerosur nga “Zogu i Zi”, e vetmja që e shikonte zi këtë ishte Partia Demokratike dhe ekspertët e saj. Sipas tyre, ishte një projekt i mangët teknikisht etj., etj. Ajo tha sa mundi të thoshte, atëherë në opozitë, bëri ç’mundi të bënte, në atë kohë t’i fuste gurë nën rrota kësaj makine që ka ndaluar dhe bën sehir sot, jo vetëm në mes të Tiranës, por para syve të të gjithë shqiptarëve. E kush do t’ia vinte veshin fjalëve të opozitës atëherë, sot në pushtet. Rëndom, siç bën vaki ngaherë, në këtë vend, që politika e katandisi në me nderë me thënë.
Edi Rama, politikan i ditës, “Zogu i Zi” politikë e Berishës Projekti i mbikalimit në nyjën e “Zogut të Zi” mundësohej financiarisht nga buxheti i shtetit, konkretisht nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve. Normal, si administrim do t’i kalonte Bashkisë Tiranë. E thënë ndryshe, kjo felë e majme, si shumë të tjera, do t’i vihej në pjatancë Edi Ramës. Deri pas zgjedhjeve të 3 korrikut, kur Partia Demokratike, bashkë me aleatët e saj, e me dorën e Dushkut të Gjinushit, mundësoi riciklimin në pushtet, nuk u kujtua kush t’i hidhte dru zjarrit të “Zogut të Zi”. Berisha, tashmë Kryeministër i Shqipërisë, në kuadrin e mbajtjes së premtimit ndaj elektoratit që e votëbesoi projektin e tij politik, i hyri realiteteve fizike rele dhe virtuale të PS, ku po të dhemb e ku po të djeg. Një ndër këta ishte edhe mbikalimi tek kryqëzimi i “Zogut të Zi”. Për ta dirigjuar këtë, Berisha mori edhe njëfarë Lulzim Basha, një rinok shumë i pasur dhe një premtim i politikës avangard. Si për ironi të fatit, Berisha, i cili në asnjë rast nuk i beson asgjë askujt, sado lart në pjedestal ta ketë ngritur ai përfaqësimin që sjell në kabinetin e tij, ky apo ai emër. Pa apo me dashje, kjo nuk dihet ende, ai e mbrujti politikisht këtë projekt me avantazhe dhe disavantazhe sociale, duke i shtuar kështu portretin e tij si maja. Sakaq nisi lufta. Edi Rama që deri në ato momente po orvatej të rreshtonte Partinë Socialiste, e cila u hallakat me ikjen e kreut legjendar, Fatos Nano, vjen e bëhet politikan i ditës dhe “Zogu i Zi”, kryefjalë e gjithçkaje në politikën shqiptare.
Ç’t’i bëjmë “Zogut”? Çështja e bllokimit të punimeve në mbikalimin e “Zogut të Zi”, sipas analistëve dhe ekspertëve është kthyer tashmë në një çështje politike. Pak ditë më parë, një person humbi jetën në një nga gropat e lëna hapur, për shkak të pezullimit të punimeve në ndërtimin e këtij mbikalimi, që lidh veriun e Shqipërisë me kryeqytetin. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës për vitet 1996-2000, Albert Brojka, sugjeron që për të zgjidhur këtë problem, i cili ka shkaktuar kaos në trafik, duhet që të mblidhet një grup ekspertësh të pavarur politikisht dhe të japin alternativa zgjidhjeje. Zoti Brojka pranon se pezullimi është bërë konform ligjit. “Unë do të gjykoja që të dy palët, pushteti qendror dhe pushteti lokal të gjejnë pikërisht një zgjidhje të tillë sa më të shpejtë dhe sa më racionale, gjë që është e pamundur të bëhet, pasi është politizuar aq shumë problemi, sa zor që të dy palët të ulen së bashku dhe të zgjidhin problemin që bashku. Për mendimin tim do duhej një grup ekspertësh të pavarur dhe vendimi i këtyre ekspertëve të pavarur, ku mund të jenë dhe ekspertë të komunitetit ndërkombëtar, vendimi i tyre të ishte vendimi më i drejtë. Qoftë si kompozim i asaj mënyre, qoftë si një vendim për ta prishur apo për ta ristrukturuar dhe një herë në një frymë më të re ose më të pranueshme për të dy palët.” Pra, ç’t’i bëjmë “zogut”? Ndërsa kryeredaktori i gazetës “Tirana Observer”, Roland Qafoku, pezullimin e punimeve në mbikalimin në hyrje të kryeqytetit e shikon si një luftë politike mes Kryeministrit Berisha dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Ky tashmë është kthyer në një casus që duam s’duam ne ka devijacione dhe nuanca të lidhura me politikën dhe si një casus teknik i ndërthyer me politikën, çështja është që tani nuk do ta kenë më fjalën teknicienët, por do ta kenë politikanët.” Shefi i kabinetit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalci, thotë se bllokimi i punimeve është politik dhe me pasoja për taksapaguesit e kryeqytetit. “I bëj thirrje qeverisë shqiptare që të zhbllokojë menjëherë këto punime të bllokuara pa asnjë bazë ligjore dhe të ndërtojë një rrugë të re komunikimi dhe bashkëpunimi me qeverinë vendore të kryeqytetit. Gjithmonë në funksion të interesave të mëdha të komunitetit të kryeqytetasve.” Lëvizja Socialiste për Integrim, në lidhje me pezullimin e punimeve në mbikalimin e “Zogut të Zi”, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e kësaj çështjeje. Zëdhënësi i kësaj partie, Dritan Ylli, thotë për radion Evropa e Lirë, se në kushtet e politizimit ekstrem të kësaj çështjeje, sheh si rrugëzgjidhje ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. “Ne mendojmë se ai tashmë ka marrë trajtat e një problemi politik, i një përplasjeje politike, ku më i dëmtuar është qytetari i Tiranës, qytetarët e Shqipërisë që u duhet të kalojnë çdo ditë në këtë mbikalim. Si rrugëzgjidhje, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar gjithnjë që të mos kalohet në veprime apo të mos ndërmerren veprime të nxituara arbitrare dhe të palogjikshme, por të respektohen të gjitha vendimet e institucioneve. Pra, një herë duhen pritur të gjitha vendimet e institucioneve gjyqësore në të gjitha shkallët e tyre.” Punimet në mbikalimin e “Zogut të Zi” janë bllokuar para dy muajsh nga policia ndërtimore për shkak të parregullsive në dokumente. Drejtori i Policisë Ndërtimore takoi zyrtarë të Komisionit Evropian në Tiranë dhe i informoi për problematikën e mbikalimit. Gjithashtu pritej që një delegacion i Kongresit të Autonomive Lokale të Këshillit të Evropës të vijë në Tiranë për t’u njohur më konkretisht me konfliktin e Bashkisë së Tiranës dhe të Policisë Ndërtimore për mbikalimin e “Zogut të Zi”.
Berisha po i shtron sofrën PS-së Berisha, duke e futur veten që i parë në këtë këngë bajate, i jep një shans ringritjeje politike opozitës së sotme në përgjithësi dhe Edi Ramës në veçanti. Ata tashmë harrojnë se çfarë dajaku morën më 3 korrik 2005, harrojnë se kjo përdreqosje e punëve, që ua la Nano si kopilin në derë, duheshin ndrequr, harrojnë gjithashtu se duheshin domosdo të gjenden lakmues për t’u afruar me opozitën e bërë lesh e li. Dhe e gjejnë veten në krye të sofrës së shtruar nga Sali Berisha. Tashmë ata kanë se me çfarë të merren, se me çfarë t’ua mbushin mendjen shqiptarëve se vullneti i tyre zgjedhor i 3 korrikut ishte i gabuar, se Berisha ishte, është dhe do të jetë një fatkeqësi për shqiptarët, se Partia Demokratike, as nuk ka ditur as nuk do dhe as ka për të mësuar ndonjëherë për të bërë pushtet. Gjithë këtë ia bën Berisha dhuratë Ramës, si kreu i opozitës dhe Partisë Socialiste, si kalorësi i betejës politike. Kjo u bë e mundur pikë së pari ngase Berishës i pëlqente t’i fuste hundët hera-herës, ose të bëhej avokat i çështjes “Zogu i Zi”, çfarë do të thotë ta politizonte skajshëm këtë projekt. Ç’punë ka Kryeministri me një mbikalim te “Zogu i Zi”, “Zogu i Bardhë” apo ku dreqin dimë se ku tjetër? Pse duhet që për çdo gjë të jetë ai alfa dhe omega? E thënë në gjuhën popullore “Kur ke mashën, pse me djegë dorën?”. Pse duhet të kursejë personat që kanë varësi të drejtpërdrejtë këtë apo atë problem, e të dalë vetë si Lana dikur para Edvinit? Praktikat e mosbesimit kanë qenë dhe janë një problem shumë i madh i tij. Për më tepër kur ata që ke bashkëpunëtorë janë të zgjedhurit e tu dhe nuk është se t’i ka lënë dikush havale. E thënë me fjalë të tjera, Berisha me bajraktarizmin e tij politik, i cili u duk se do të davaritej nga panorama e riciklimit në pushtet të PD, po dëmton veten dhe imazhin e të djathtës shqiptare. Nëse ai i di të gjitha kjo nuk do të thotë se ai duhet t’i bëjë të gjitha. Nëse ai nuk i beson askujt, dhe në një rast qeverisjeje, në të qenit në pozitë apo opozitë, duhet t’i përvishet vetëm vetë të gjithave, s’ka pse t’i mungojë kurajoja politike për ta dëshmuar këtë si një arsye në kuadrin e një largimi të mundshëm të tij nga politika. Vijimi në rrugën e gabimeve, shihet qartë se do ta dëmtojë seriozisht imazhin e tij si kryeministër dhe do të groposë shanset e së djathtës për ardhmërinë në politikën qeverisëse të këtij vendi.
Berisha në duel Rasti i mbikalimit të “Zogut të Zi”, dalja hera-herës para medias e dyzinat e akuzave, dëshmojnë se ai po riciklon veten, por Zoti na ruajt nga një riciklim i 1997, megjithëse kësaj nuk ka nguruar t’i fryjë njëfarë Frrok Çupi, i cili jo vetëm heq paralelen mbikalim i “Zogut të Zi”, Ura e Mifolit, por u zgjon shqiptarëve pjesën emotive të atij viti ogurzi. Politika e të bërit politikë kudo dhe për çdo gjë, kurdo dhe me çdo çmim e Berishës nuk bëhet dëshmi për shqiptarët, se Sali Berisha është i vetmi politikan që ka numrin rekord të orëve të punës si kohës fizike. Ai mbetet i vetmi politikan ndaj të cilit nuk është drejtuar gishti. Ai është i vetmi në llojin e tij që ka shumë të mira që tejkalojnë çdo parashikim në testin e produktit politik shqiptar. Por kjo nuk mjafton as për atë që do të shembet “Zogu i Zi”, as për atë që nuk do. E keqja e tij është keqvendosja në kohë dhe hapësirë. Thënë me fjalë të tjera, në një vend ku bëhet politikë dhe gjithçka tjetër pa rregulla loje, ai që sakrifikohet, kush tjetër mund të jetë veç atij që kërkon ligjin kavaleresk të duelit?
Pse duhet “mbytur” “Zogu i Zi”? Një nga gabimet e mëdha të qeverisjes aktuale për sa i përket rolit të saj në përcaktimin e fatit të këtij projekti ambicioz, është se akoma nuk po bind qytetarët pse duhet të shembet. Nëse PS, Edi Rama dhe gjithë mileti rreth tij, kësaj po i mëshojmë, duke e veshur me politikën e hakmarrjes që përdor Berisha për “Zogu i Zi” ndaj tij, pse u dashka të luhet nga vetë pushteti me kartë tjetër, konkretisht me kartën e të qenit i ligjshëm ose jo, me të qenit me të meta teknike ose jo. More zotërinj të pushtetit, Berishë apo ju që duhet vërtet ta tundni këtë këmborë, pse nuk i përvishni mëngët e ta bindni popullin se pse duhet të shembet. Sa llomotitet andej-këndej, në këtë apo atë konferencë shtypi, në këtë apo atë media, duke përdorur ligjin dhe termat politike, pse nuk i thuhet shqip dhe qartë këtij mileti se ky mbikalim nuk mund të ndërtohet tek nyja e “Zogut të Zi”, sepse së pari bllokon pamjen e kryeqytetit, d.m.th. i ngrihet si një mur betoni pikërisht aty ku pikënis shpalosja e pamjes së qytetit. Pse nuk i thuhet hapur këtij mileti se ky projekt nuk ka të parashikuar rrugën e këmbësorëve, një nga çmenduritë më të rralla që mund të bëjë vaki, vetëm në këtë vend. Pse ngurrohet t’i thuhet se ky mbikalim bëhet në një vend ku cungohet parametri fizik i një mbikalimi për arsyen e vetme se është i mbushur nga dy anët e rrugës nga ndërtime që ishin aty para se t’i mbushej mendja qeverisjes socialiste të bënte mbikalimin. Këto e një dyzinë mangësish të tjera t’u bëheshin të ditur qytetarëve, për këtë dreq mbikalimi tek “Zogu i Zi”.
E gjithë kjo Shqipëri, fillon e mbaron me “Zog të Zi”! Ka afro dy muaj që mediat problemit të mbikalimit të “Zogut të Zi”, i kanë rezervuar një hapësirë goxha të konsiderueshme. Kjo situatë alarmante, thua se mbikalimi te “Zogu i Zi” është dhe duhet të jetë kryefjala dhe problemi i të gjithë problemeve, ka shumë arsye që ka zënë vendin e parë. E para dhe kryesorja është se media vuan nga kriza e lajmit, kjo jo për faktin se Shqipëria nuk është një tokë e majme për lajm, por se media është katandisur në një rrëfyese të asaj që ngjet brenda unazës së Tiranës, e vetëm kaq. Thua se e gjithë kjo qyqe Shqipëri fillon dhe mbaron te “Zogu i Zi” në veçanti dhe brenda unazës së Kryeqytetit në përgjithësi. Në një vend që gëlon nga hallet e pafund, kjo që bën media shqiptare, që ngre në përmendore problemin e “Zogut të Zi”, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse krim. Ajo, duke dashur gjoja të shpëtojë Tiranën nga politika e hakmarrjes politike, me koshiencë të pastër dhe pa asnjë brejtje në ndërgjegje, lë në harresë, shurdhon mijëra zëra që kërkojnë ndihmë, që nga mungesa e dritave, ujit, punës, banesës, deri tek mungesa e sigurisë, shpërfillja në zyrat e shtetit etj.
“Zogu i Zi”, ky korb politik që po ngre të majtën Politizimi i problemit të “Zogut të Zi” do t’i interesonte Edi Ramës, Partisë Socialiste dhe vetëm atyre. Gabimi i pushtetit, i cili vetiu e mbari politikisht këtë problem, shënon pikën e kthesës dhe shpresës për ringritje të së majtës së dërrmuar nga zgjedhjet e 3 korrikut. Tashmë ata kanë pse të shpresojnë, sepse loja që i ka mundësuar pozita që ato të bëjnë si opozitë, dëshmon një garant rehabilitimi politik. Humbja në zgjedhje është një fakt i spostuar në periferi, sikurse fitorja e së djathtës është kthyer në një zhgënjim në epiqendër për shumë qytetarë. E jo vetëm në Tiranë, por edhe në bastionin e demokracisë shqiptare, Shkodrën që edhe ajo ka një hyrje për faqe të zezë, megjithëse pa “zog të zi”. Ajo që shpresoi shumëkush, se diçka do të ndryshonte në politikën shqiptare, se intoleranca do të përjashtohej me largimin e Nanos dhe me daljen në skenë të figurave gjoja të pakonsumuara politike, rezultoi vetëm si një ëndërr. Topi i sherrit ka rënë tani në fushë dhe loja ka filluar, pavarësisht se kush u bë sebepi, “Zogu i Zi” apo punët lesh arapi në këtë vend. “Zogu i Zi” erdhi dhe u transformua në një korb. Albert Vataj Sokol Pepushaj
Dyert e hapura të Italisë Përgjithësisht shqiptarët fjala emigrant i trishton. Pas kësaj shprehjeje nënkuptohet jeta plot sakrifica, plot vuajtje. Bile nënkuptohet edhe tragjikja, vdekja, pasi Kanali i Otrantos ka marrë mijëra jetë në 15 vitet e fundit, që kur Shqipëria filloi të hapet me perëndimin. Në kushte të tilla, mundësia për t’u integruar në normalitetin e jetës perëndimore ishte thuajse një pamundësi. Por, në tre vitet e fundit, që kur në drejtim të Konsullatës së Veriut Shqiptar erdhi Roberto Orlando, falë përkushtimit në detyrë, falë profesionalizmit të tërë stafit, termi emigrant nuk është më i egër, por shumë i dashur. Italia i ka hapur dyert për të gjithë ata që plotësojnë kushtet ligjore, sipas kërkesave të Bashkimit Europian. Pra, ndryshe nga tre vjet më parë, pajisja me vizë nga ana e Konsullatës Italiane në Shkodër nuk përbën absolutisht problem. Për stafin në Konsullatë mjafton dokumentacioni i rregullt, pra ligji që është i shenjtë. Është trupi diplomatik më shembullor në shtetin shqiptar. Gjithmonë larg diferencimeve politike, religjioze, raciale. Sipas Kryetarit të Dhomës së Tregtisë Anton Leka, Konsulli Orlando ka ndryshuar klimën diplomatike, sociale, kulturore. I janë hapur hapësirat ligjore biznesit, mediave, kulturës. Janë këto tri ura të sigurta për t’u integruar shqiptarët në Europë, janë këto tri urat që edhe shtetin e fuqishëm italian e bëjnë më të interesuar për resurset dhe vlerat e shumta që ka shteti shqiptar. Për këto dhe të tjera që do i publikojmë botërisht në vazhdimësi, Konsullata Italiane nuk ka qenë e përfolur asnjëherë për keq, ndryshe nga ajo e para tre viteve. Me Italinë fqinje na lidhin miqësia, kultura, interesi, pasi biznesi, si baza e shoqërisë kapitaliste, po forcohet përditë mes dy shteteve. Punojnë e jetojnë sot në Itali mbi 180.000 shqiptarë. Janë integruar mirë, kanë fituar kulturë e qytetari të pëlqyeshme. Barra më e rëndë, pra ajo që s’është e mundur të mos e përshëndesësh, i takon trupit diplomatik në Shkodër, pasi Jugu i Shqipërisë i ka interesat më shumë me Greqinë. Atje është një tjetër panoramë. Vetëm fëmijë nga mosha 5-14 vjeç, sipas shifrave të një raporti të publikuar në Amerikë, janë rreth 6400, që shfrytëzohen çnjerëzisht nga padronë, jo vetëm si lypsarë, por edhe seksualisht. Jo, me Italinë është krejt ndryshe. Janë hapur portat dhe janë të forta ligjet. Me këta ligje po edukohet edhe një pjesë e mirë e shqiptarëve.
Krishtlindja në Romë E lashtë sa lashtësia, madhështore sa madhështia, Roma e filozofëve më të njohur të botës, Xhordano Brunos e Tomazo Kampanelës, e fizikantit e astronomit të papërsëritshëm Galileo Galilei, i ngjan një amfiteatri gjigand. Me vete kemi edhe fëmijët që e mbushin vështrimin e shpirtin me gjithësinë e njërit prej qyteteve më të bukur të botës. Këtu, afër muzeut të famshëm, improvizohet lindja e Krishtit. Një “shpellë” e vogël, pak kashtë dhe përsipër saj një fëmijë si drita. Ai fëmijë është Jezus Krishti që ndriçon tërë rruzullin. Gjithsecili aty do dëshironte t’i bënte vend në familjen e vet një krijese të tillë. Gjithsecili aty mendojmë se mendon që kemi ardhur në këtë tokë për të qenë të mirë, të drejtë, të dashur, për t’u lënë brezave që vijnë më shumë të mira se ç’na lanë paraardhësit tanë. Eh, ky fëmijë i vogël, jep në mesazh të madh. Jemi në këtë jetë për sakrifica, për përtëritje, për të ndjerë e për të ndihmuar. Këtu, në këtë atmosferë festive, kërkojmë dhe gjejmë jo pak myslimanë. Ja, Mehmeti nga Maroku, me gruan e dy fëmijët, Estori dhe Mirato, Jonuzi, Lutfiu, Farija e Mejremja nga Prishtina, janë këtu, afër kashtës ku qëndron trupi i vogël i Jezus Krishtit. Bota po kupton pak nga pak se për të gjithë njerëzimin, pavarësisht besimit që është e drejtë e cilitdo, vetëm dashuria, mirësia, paqja janë ingranazhet që jetën e bëjnë të sigurtë, të bukur. Papa Benedikti XVI jep mesazh pak kilometra më tej, nga Sheshi “Shën Pjetri”. I ka kthyer sytë gjithë njerëzimi atje. Lindi Krishti. Paqe në këtë botë kaq të madhe e kaq të vogël…
Ndërrimi i viteve në Rimini 31 dhjetor 2005. Mbrëmje. Bëjmë shumë xhiro me makinën tonë për të gjetur një vend parkimi. Qyteti i bukur është plot e përplot me njerëz. Një ekran gjigand, aty në bregdet, përballë Grand Hotel, një skenë si ajo kanë përballë e përanash një “det “ njerëzish. Ashtu si shtrati i një lumi kur bie shi me rrëke, sheshi mbushet plot e përplot, rreth dy orë para mesnate. Prezentatori i njohur Karlo Konti dhe artistë e muzikantë ndër më famozët në Itali, nëpërmjet RAI UNO-s, komunikojnë e gëzojnë direkt, me tërë botën. Një spektakël që mbush me kënaqësi veçmas ata që janë aty. Kanë ardhur këtu kaq shumë njerëz, pas një viti pune të lodhshme e të kënaqshme, për të gëzuar, për të ngritur lart fëmijët që, duan të shohin e regjistrojnë gjithçka në memorie. Qielli është dritë nga fishekzjarret, megjithëse bie një shi i imët. Njohim aty edhe shqiptarë. Dhe ashtu, pa e kuptuar, vjen mesnata. Çasti final. Ndërrimi i viteve. Shishet e shampanjës hapen njëherësh. Presioni i pijes së bekuar kthen për disa metra mbrapsht edhe pikat e shiut, për t’u rikthyer sërish poshtë, mbi kokat tona. Bukur. Fort bukur. Italianët dinë të gëzojnë, të festojnë, t’i bëjnë vend edhe tjetrit, jokomunitarit, ashtu sikundër dinë të punojnë. Dhe vërtet, pas orës 01.45, kur njerëzit filluan të lënë festimin kolektiv, dëgjoje fragmente bisedash të lidhura me punët. Dhe ti thua: “Po, vetëm me punë ka ecur kaq shumë ky shtet i fuqishëm”.
2006-a për Italinë Është vërtet një vit plot aspirata. Italia ka nevojë për rreth 250.000 jokomunitarë që do punojnë sezonalisht atje. Shqipëria ka prioritet, ku mbi 6000 vetë do punësohen. Qeveria e Silvio Berluskonit ka miratuar dekretin i cili do botohet këto ditë në fletoren zyrtare. Kërkesat nëpërmjet postës italiane. Në shërbim të punëdhënësve këtë vit janë 14000 sportele, të cilat do të çelen në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë. Punëdhënësi, përveç të tjerash që do i publikojmë sapo të përcaktohen, duhet t’i sigurojë emigrantit vendbanimin dhe biletën e udhëtimit. Gjithashtu edhe mbulimi i nevojave shëndetsore. Pas miratimit të dekretit nga qeveria, Drejtori i Përgjithshëm për Emigracionin në Ministrinë e Punës, Xhuzepe Silveri, thotë se projekti nga Presidenca e Këshillit të Ministrave, do i arrijë Komitetit të Ministrave, për të kaluar pastaj në komisionet parlamentare dhe Kontrollin e Shtetit, ku përparësi do kenë profilet profesionale. Është puna afër familjes, përkujdesi për personin, ndërtimi, punët sezonale të stinës e profile të tjera. Vetëm tetë vitet e fundit nga ky ligj, pra i flukseve, kanë përfituar 79.500 shqiptarë, shumica nga veriu i Shqipërisë. Është edhe kjo një derë e çelur e Italisë për të interesuarit shqiptarë. Gjithsesi, kujdes me dokumentet. Ligji është ligj dhe Konsullata Italiane në Shkodër ka vërtetuar se e zbaton me fanatizëm. Sokol Pepushaj
Italia: Nje Atdhe i dyte Te kalosh Adriatikun ne drejtim te Italise, eshte nje emocion i vecante. Vecanarisht teksa ne krah ke edhe nje femije, vetem 5 vjecar, shume entuziast per udhetimin e tij te pare me avion, eshte nje tjeter kenaqesi. Matteo, Nilidoni dhe Kjara, akoma pa hipur ne avion shprehin nje kersheri te vecante. Teksa per ne, nuk ishte hera e pare qe kalonim Adriatikun dhe jo vetem me avion, per femijet ishte risi kalimi mbi re, duke udhetuar me nje shpejtesi teper te madhe. Imazhi i ndryshuar per mire i Aeroportit te Rinasit, te joshte drejt avionit qe do te na dergonte fillimisht ne Bari. Fale dashamiresise se njerit prej miqve te gazetareve ne Shkoder, u be e mundur qe edhe per shkak te udhetimit familjarisht, te zgjidhej rruga me e shpejte dhe e shkurter per te kaluar detin. Me kete rast, edhe pse miku yne nuk ka deshire te reklamohet nominalisht, ne i shprehim falenderimet tona te vecanta per nje tjeter kontribut. Fatmiresisht, moti u tregua bujar dhe mes kersherise se femijeve, avionic ulet pas asnje problem ne aeroportin e Barit. Ndryshon vertete nga Rinasi, por eshte shume me i vogel se Fiumicino i Romes. Vlen te permendet se jo vetem policia dhe dogana shqiptare, por edhe ajo italiane, ishin ne lartesine e detyres, duke mos krijuar as problemin me te vogel. Ftesa drejt Italise kishte ardhur nga miku yne Alban Kraja, president i Lidhjes Shqiptare dhe Arberesh ne Itali dhe me kete rast, menduam te kalojme edhe disa dite pushime me familjet tona. Pas plotesimit te dokumenacionit te nevojshem, Konsullata e Italise ne Shkoder dhe personalisht konsulli Roberto Orlando, tashme mik i Mediave te veriut te vendit, u treguan te gatshem te lehtesonin udhetimin tone drejt vendit mik. Keto rradhe, mendojme se jane nje falenderim i merituar dhe nje sinjal per te gjithe: pas plotesimit te procedurave Konsullata e Italise, eshte e gateshme te mundesoje udhetimin drejt bregut Italian. Kjo vlen per te gjithe, qe nga pushtetaret, gazetaret, bisnesmenet deri tek qytetaret e thjeshte. Mbi 7000 viza te dhena edhe per vitin 2005, jane nje tregues i punes profesionale dhe me perkushtim te kesaj selie diplomatike ne veriun e Shqiperise. Etapa tjeter e udhetimit tone, ishte me tren ne drejtim te mikpritesit tone, Alban Kraja. Nje tjeter kenaqesi udhetimi me fmijet ne tren, ne me te miret e Italise, EuroStar. Per Riminin, bukurite e tij, komunitetin shqiptar atje, per organizmin e shkelqyer te emigranteve atje, vecanarisht per mikpritjen tradicionale, kemi shkruar edhe here te tjera. Thjesht, gjithcka ishte nje rikonfirmim i mikpritjes tradicionale, me bujare te Albanit dhe miqve tane atje. Rimini eshte nje qytet i mrekullueshem. Pervec pjeses tradicionale- historike, nje bukuri shume e dukshme, eshte bregdeti, i cili eshte i mbipopulluar nga hotelet me shume yje, por edhe pensionet. Pa me te voglin dyshim, Rimini dhe rrethinat eshte nje nga zonat ku shqiptaret jane integruar ne jeten e perditeshme, pse jo duke patur nje pozicion thuajse te barabarte edhe me vendasit. E per z. Alban Kraja, mund te flitet shume, pa fund. Sic thone bashkekombasit tij, por sic e njohim edhe ne, zoteron energji te pafund te sherbim te emigranteve, dhe jo vetem shqiptare. Personaliteti i tij eshte shume planesh dhe tashme, ai shoqata e tij “Iliria” por edhe Lidhja, jane nje factor i rendesishem per Riminin dhe Italine. Ne drejtim te Krajes, prej kohesh vijne oferta nga forca te djathta politike italiene, te cilat do te ishin te nderuara ta kandidonin si keshilltar komunal ne Rimini. Pas dy diteve te kaluara ne Rimini, duke marre me vete mikpritjen mitike te dhe te rikonfirmuar atje, serish me EuroStar, nisim udhetimin drejt Romes. “Qyteti i Perjetshem” sic eshte quajtur ne nje nga filmat e Felinit, te befason. Termini, nje qytet brenda qytetit, te fton te dalesh dhe te shijosh ate qe dora e njeriut ka krijuar ne mijera shekuj. Te shkosh ne Itali dhe te mos vizitosh Romen, te vizitosh Romen pa pare Koloseun, thuaj se nuk ke qene fare ne gadishullin Apenin. Nje mrekulli shume shekullore, e cila i reziston prej shekujsh kohes, fale edhe mirembajtjes ekzemplare te strukturave te specializuara, te befason me madheshtine e saj. Jane me mijera vizitoret qe cdo dite e shijojne ate. Te shumte, jo vetem shqiptaret dhe lindoret, por edhe qytetare nga BE dhe SHBA e Kanada, fiksojne ne celluloid kujtime te paharruara. Fare prane, skena te centurioneve te Romes antike te ardhur ne ditet tona, te ftojne per nje fotografi me nje peshe te vecante ne udhetimet e sejcilit. Piazza Spagna, Navona, Shen Pjetri jane te tjera stacione te nje turi, i cili zgjat disa dite, sigurisht duke pushuar, ngrene dhe fjetur tek te afermit tane ne Marino, nje qyteze e mrekullueshme 20 km ne periferi, per bukurine e te ciles dhe komunitetin shqiptar qe jeton atje, kemi shkruar ne numrat e kaluar. Ne vazhdim, u nisem ne drejtim te Torinos. I ftohti rritet, nderkohe qe qendrimi yne atje, zgjat shume pak. Thjeshte shetisim ne vendet q na sugjerojne miqte tane atje dhe kthehemi, kete here te ndare ne dy drejtime: ne Rome dhe ne Rimini.
Krishtlindje ne Marino Atmosfera e festes eshte e pranishme shume dite me pare. Thuajse cdo rruge, nga komuna apo nga vete qytetaret, eshte zbukuruar me drita shumengjyreshe. Jane te shumta edhe Presepet sic i quajne ne Itali, apo Betlemet sic i themi ne: skena te lindjes se shpetimarit te botes, Jezu Krishtit. Nderkohe, ne intervale per percktuara kohore, permes bokseve te vendosura ne te gjitha sheshet dhe rruget kryesore te qytetit, perseritet programi i aktiviteteve ne kuader te Krishlindjeve. Nata e 24 dhjetorit, na sjell nje atmosfere shume familjare. Jane te shumte shqiptaret, pa dallim feje, qe festojne sa bashku ne locale, por me shume ne familje. Nuk mungojne as edhe te huajt, madje edhe nje vajze nga Jemeni, Nada, e cila eshte e dashuruar me nje djale nga Malesia e Madhe. Pas darkes, festa vazhdon ne rruge dhe sheshe, ku kryefjala tashme eshte Feste!
Nderrim vitesh ne Rome Sigurisht, nuk ka solemnietin e Krishlindjeve, por edhe 31 dhjetori eshte nje moment ku mund te festohet publikisht. Pas nje darke te bollshme, ku tradita shqiptare nderthuret edhe me ate italiane, fishkezjarret pushtojne qiellin. 5 minuta para ores 12 te nates dhe thuajse 30 minuta me pas, zhurma dhe festa zoteron sheshe dhe rruge. Mese shumti, jane te rinjte, te cilet braktisin shtepite e tyre dhe derdhen rrugeve. Urimet per nje vit 2006 me te mire, me prosperitet, shoqerojne jo vetem shqiptaret por edhe italianet. Ne radhet e emigranteve, nuk mungojne urimet edhe per daljen e nje ligji te ri legalizimi per ata qe akoma nuk kane nje Leje Qendrimi (Soggiorno) ne Itali. Edhe kjo eshte nje pjese e rendesishme e jetes dhe te gjithe urojne, madje jane te bindur se para zgjedhjeve te ketij viti ne Itali, do te kete nje tjeter legalizim.
Arome atdheu Ndjehet fort tek te gjithe emigranet, kudo ku shetitem. Ka nje etje te madhe per gjithcka qe vjen nga Shqiperia. Qe nga muzika dhe deri tek gjerat me te imta, preferohet gjithcka nga atdheu. Nje vend te vecante ka muzika popullore, ku ne mes verioreve shqiptare, preferohet me se shumti Bujar Qamili, por edhe Merita Halili e Artjola Toska. Nje videoklip i Greta Kocit dhe Indrit Mlikes, po fiton mjaft simpatizante. Shqiperia eshte e pranishme edhe ne shume shtepi te shqiptareve ne Itali. Platformat digitale DigitAlb apo edhe SAT+, jane blere duke perfituar edhe nga ofertat e fundvitit. Nuk eshte aspak e cuditeshme, kur thuajse te gjitha kanalet e shumta italiane, fshihen nga televizoret. Ne nje atmosfere te tille, nuk ka esi te mos ndjehesh si ne Shqiperi, nuk ka sesi te mos ndjesh edhe nostalgji per vendin e shqiponjave. Jane te shumte emigrantet, te cilet pas shume viteve ne Itali, mendojne te kthehen, pse jo per te investuar ne vendin e tyre. Ka nga ata, te cilet duan edhe te punojne ne vendin e tyre, duke sjelle pervojen e fituar, e cila eshte mjaft e vlefshme.
Ah rruga e Rinasit! 3 javet kalojne shpejt dhe data e kthimit drejt atdheut na fton te marrim trenin ne drejtim te Barit. Na takon te presim pak ne aeroport dhe perfitojne nga momenti te pijme nga nje kafe teksa femijet ushqehen. Udhetimi me avion, kete here si pasoje e kohes se keqe, eshte disi me pak i kendeshem dhe femijet e pasqyrojne kete. Megjithate, ne me pak se nje ore, avionic prek token e Rinasit. Pas kontrolleve rutine ne polici dhe dogane, dalim dhe hipim ne dy makina qe na prisnin. Rruga e Rinasit eshte nje kalvar i vertete. Edhe pse makinat jane fuoristrada, udhetimi eshte shume i bezdisshem. Nga lekundjet e makinave, femijet i ze gjumi. Rruge te tilla, te duket sikur te heqin deshiren e udhetimit ne rruget e vndit tend. Pas tre javeve udhetime dhe pushim ne Itali, tashme fillojme te perballemi me realitetin shqiptar. Fillojme me rruget. Me pas, dritat. Ikje- ardhjet e tyre, fillojne te bezdisin femijet. Pas nje udhetimi te tille, edhe uji per te bere nje banjo, te mungon. Kjo eshte Shqperia e tanishme, shpresojme ne ndryshime positive, porn e veshet tone, eshte e fresket ceshtja e Zogut te Zi….
Epilog Nje udhetim ne mes atij te punes por edhe pushimit per ne dhe familjet tona. U mundesua fale shume institucioneve dhe miqve tane, te cileve me deshiren e tyre, nuk u permendim emrat por thjeshte u themi: FALEMINDERIT! Eshte e veshtire qe te mos reflektosh ne mes asaj q eke perjetuar gjate 3 javeve ne Itali dhe premisave per zhvillim e integrim te Shqiperise ne BE. Rruga te duket vertete e gjate dhe e mundimshme, sado fatmirendjelles dhe optimist te jesh. Kryefjala e cdo arritjeje ne Itali, eshte puna, puna dhe serish puna, nga mengjesi ne darke, nga e hena deri te shtunen. Ne mjedise shqiptaresh dhe italianesh, fare pak flitet per politike. Ne rastin me te mire, teksa i nxit te flasin te japin thjeshte per ndonje epitet per politikane apo prti politike, ne Shqiperi api ne Itali. Jeta atje ka nje ritem tjeter, te ndryshem nga ne. Gjithcka ecen shpejt, zhvillohet dhe ndryshohet ne pak ore, dite, jave e muaj. Shumica e kafeneve paraditeve, eshte e zbrazet. Jane vetem te moshuarit apo te papunet, ata qe i frekuentojne. Ky eshte mesazhi qe ne rimorem edhe pas ketij udhetimi ne Itali, i cili sigurisht, do te pasohet edhe nga te tjere per motive pune, apo pushimi. Eshte nje vend ku shqiptaret, vecanarisht verioret e shkodranet, ndjeen ne nje atdhe te dyte. Blerti DELIJA
“SWEETY” ARENCA – basti I humbur i Berishës Ka startuar në krye të ministrisë që drejton me një gafë të panevojshme të liberalizimit të vizave për shqiptarët por për fatin e mirë të saj nuk mori koston e pritshme, kjo ndoshta edhe për faktin e thjeshtë se si mediat ashtu edhe opozita e re ishin të përqëndruara më së shumti tek ministrat big dhe tek mungësia e një gafe po aq big sa edhe emrat e tyre e cila do të ishte një armë shumë më efikase në duart e tyre sesa emri krejt I panjohur I Arenca Trashanit. Një emër thuajse I panjohur nga të gjithë, pedagoge e universitetit të Shkodrës me një CV të plotësuar akademike, një emër I nderuar I familjes së saj të vjetër në Shkodër por vetëm kaq. Shumëkush ka ngritur supet kur ka parë një emër aq anonim në kabinetin Berisha por më të cuditur kanë ngelur ata që njohin nga afër zonjën Trashani, ndërkohë që akoma edhe sot gazetarët nuk e kanë zgjidhur dilemën e emrit të saj mes TRASHANI apo TROSHANI. Megjithatë duket se për shkak të balancave gjinore dhe krahinore duhej e pakta një femër ministre dhe e pakta nga qyteti I Shkodrës, dhe ky kriter I pashkruar e ngushtoi dukshëm spektrin e kandidaturave tek emri I ministres aktuale të integrimit. Nga ana tjetër shumëkush në qytetin e saj të lindjes e ka fare të qartë se cili ishte personi-ja që realizoi me shumë lehtësi katapultimin e zonjës Trashani së bashku me dy tre personazhe të tjerë anonimë në jetën politike të Shkodrës. Që në ditët e para të daljeve publike të ministres së re, ajo që më së shumti u vërejt nga sytë vëzhgues të ndjekësve të politikës ishte jo vetëm mangësia jo e vogël e informacionit që zonja ministre kishte për institucionin që ajo kishte marrë përsipër të drejtonte, por edhe mungesa e theksuar e aftësive drejtuese të saj. Nëse grupi I negociatorëve të stabilizim-asociimit, gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes së djathtë ka bërë një punë të admirueshme, kjo realisht nuk mund të thuhet për zonjën Trashani e cila si për të mbyllur “me nder” këtë afat kohor, bëri (të paktën sipas asaj që deklaruan socialistët) gafën e dytë, atë të vetshpërblimit të saj dhe punonjësve të ministrisë që ajo drejton. Një precedent I ngjashëm vetshpërblimi ndodhi kohë më parë me kabinetin e ish-kryeministrit të fundit socialist gjë që ngjalli reagime të ashpra të mediave duke u kthyer në “gate” të rradhës të zotit Nano. Duke njohur personalisht zonjën ministre, kam njëfarë bindjeje që ky vetëdhurim i pragfestave të fundvitit që shkoi nuk mund të jetë një vepër e mendjes së saj, por nuk mund të kem të njëjtin vlerësim për personat që rrethojnë atë dhe që duket se kanë një ndikim jo të vogël në vendimarrjet e saj. Nga sa publikohet në dokumentin që socialistët disponojnë duket se zonja ministre ka qenë aq dorëlëshuar sa që vetëm për katër muaj punë ka shpërblyer veten e saj me 80 mijë lekë të reja ndërsa shuma jo më pak të fryra kanë përfituar edhe disa nga pjesëtarët e ngushtë të stafit të saj. Kjo gafë e dytë e ministres ka qenë padyshim e tepërt. Edhe pse shefi I saj I kabinetit deklaroi shumën zero të lekëve të përfituara nga shpërblimet brenda stafit, punonjës të ministrisë së integrimit deklarojnë të kundërtën duke e justifikuar këtë me ecurinë e suksesshme të negociatave. Nga logjika e thjeshtë por dhe nga praktikat e njohura, shpërblimet e fundvitit në institucione jepen pas një viti të tërë pune që detyrimisht të ketë pas vetes edhe sukseset e mundshme. Nga kjo logjikë I bie që një pjesë të konsiderueshme të tortës së vetshpërblimit ta përfitojë edhe ish-ministrja Meksi me stafin e saj. Kjo me logjikën e një pune afro 9-mujore të vitit që shkoi. Askush nuk mund të kundërshtojë me fakte se nga paraardhësja, zonja ministre aktuale ka gjetur parregullsi jo të vogla financiare por ky assesi nuk mund të jetë kusht për vijimësinë e këtyre praktikave absurde dhe të paargumentuara vetshpërblyese. Padyshim që pas publikimit të dokumentave të ministres Trashani nga opozita, nëse ka patur një njeri që ka zënë kokën me duar, ai ka qenë kryeministri Berisha. Qeveria e tij në dietë është përfolur nga një pakujdesi e vullnetshme e ministres së vetme femër të kabinetit. Opozita ka goditur në një nga pikat më të forta të programit qeverisës sic është reduktimi I fondeve të administratës por edhe në një nga pikat më të dobëta të kabinetit sic është ministrja Trashani dhe kjo nuk kishte sesi të mos linte një shije të hidhur tek zoti Berisha. Nëse ky I fundit akoma publikisht nuk ka deklaruar ndryshime në formacionin që prej më shumë se 100 ditësh ka qeverisur vendin, për tre apo katër ministra duket se muaji qershor do të jetë një finish I paarritshëm. Duke e konsideruar të paktën deri tani një nxënëse të dobët (në mos më e dobëta), ministrja Trashani duket se do të jetë një nga ngelëset e para në klasën e disiplinuar të Berishës. Në sfond shfaqen emra vërtetë sugjestionues të KOP-it të cilët kanë dhënë tashmë jo vetëm prova aftësie por edhe vullnet të mjaftueshëm ndershmërie packa se në role konsultative. Këto cilësi të KOP-istëve janë padyshim të mjaftueshme për ti kthyer humorin deri diku të prishur kreut të ekzekutivit por edhe për ti dhënë një tjetër imazh kështjellës ministrore të ndërtuar me aq kujdes nga ai e cila deri tani pavarësisht problemeve vazhdon të qëndrojë në pozita të palëkundura. Tashmë zoti Berisha e ka dhënë sinjalin se kërkon intensitet dhe rezultate sa më të shpejta nga të zgjedhurit e tij. Shumë nga emrat aktualë të qeverisë kanë krijuar tashmë fizionominë e liderit “poëerful” duke I hequr vetes njëherë e mirë etiketa të tilla si sozi apo të klonuar të cilat lidershipi I opozitës I ka lëshuar pa kursim në adresë të tyre. Por në këtë kabinet ka edhe individë që për të mirën e Berishës do ishte e udhës që brenda mundësive të shfaqeshin sa më rradhë përpara gazetarëve pasi në të kundërt po kthehen gjithnjë e më shumë në pre të lehta për ta e rrjedhimisht edhe për opozitën. Aktualisht qeverinë Berisha e pret një betejë ku e ku më e vështirë sesa ai 100-ditësh I startit I cili testoi një nga një të gjithë pjesëtarët e kabinetit. Suksesi apo dështimi I ekipit Berisha në këto gjashtë muaj të parë të vitit është një gur prove në prag të zgjedhjeve lokale dhe këtë më mirë se kushdo e di vetë shefi I qeverisë. Më mirë se kushdo ai e di se nuk I lejohen më gabime dhe më shumë se kushdo ai di të përdorë dorën e fortë ndaj vartësve që gabimet të mos përsëriten. Për tu rikthyer fenomenin Trashani, nuk përbën më një cudi që posti I saj pas dy gafave në katër muaj të jetë lëkundur ndjeshëm. Për fatin e saj të keq ajo asnjëherë nuk arriti të integrohej në ministrinë që si për ironi mban të njëjtin emër. Prandaj me të tilla zhvillime të pritshme ka shumë gjasa që ministres aktuale të integrimit qytetarët shqiptarë të cilët asnjëherë nuk arritën ti marrin vesh germën e tretë të mbiemrit, ti mbajnë mend vetëm buzeqeshjen e vazhdueshme të cilën nuk e heq nga fytyra as edhe kur është vërtetë në hall. Taulant KOPLIKU
Kur do të zgjidhet çështja e pronave në Shqipëri? “Prona është e shenjtë”, kështu thuhet në një nga përcaktimet më thelbësore të shoqërisë kapitaliste. Megjithatë, në Shqipëri edhe pas më se 15 viteve rrugëtim në këtë sistem, prona akoma nuk ka shkuar tek i zoti. Madje, në mjaft raste, prona është kthyer në një shkak konflikti, duke detyruar edhe largimin nga vendlindja të pronarëve të ligjshëm. Orges Shkreli, lindur në qytetin e Shkodrës më 29 nëntor 1987, ndodhet jashtë vendit, i detyruar si pasojë e një konflikti pronësie. Zanafilla e këtij problemi, siç edhe shumë familjeve të tjera autoktone të Shkodrës, starton pas vitit 1991, kur si pasojë e ndryshimit të sistemit dhe e anarkisë, ishin me mijëra familjet që zbritën nga zonat malore në qytet, duke zaptuar mjaft prona të qytetarëve shkodranë. Pas ngjarjeve të vitit 1997, kur shteti nuk ekzistonte në Shqipëri, fenomeni i zaptimit në bazë të formulës “asht xan”, u bë mjaft shqetësues. Familja e Orges Shkrelit është pronare e një sipërfaqeje toke në qytetin e Shkodrës, pikërisht pranë vendit të quajtur Instituti. Toka është trashëgim i familjes brez pas brezi dhe familja Shkreli disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të pronësisë. Pas ndryshimit të sistemit komunist në Shqipëri, prona u njoh si e sekuestruar nga regjimi monist. Rreth viteve 2000-2001 një pjesë e tokës së familjes Shkreli u pushtua forcërisht dhe pa të drejtë nga pjesëtarë të familjes Gjugjaj nga Dukagjini. Në këtë pronë Gjugjajt ndërtuan objekte si shtëpi banimi, apo edhe kafene. Pjesëtarë të kësaj familjeje, nëna, babai dhe xhaxhai i Orgesit, bënë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur problemin me mirëkuptim dhe në mënyrë ligjore, për t’i dhënë fund pushtimit të padrejtë të tokës nga familja Gjugjaj. Megjithëse të gjithë këta, duke ndjekur procedurën ligjore të ankimimit pranë organeve kompetente si policia apo edhe pushteti vendor, me të vetmin justifikim se çështje e pronës ishte mbarëkombëtare dhe ishin të pafuqishëm për t’i dhënë zgjidhje. Pasi shteti dhe strukturat e tij ishin të pafuqishme, babai dhe xhaxhai i Orgesit, vendosin të bëjnë diçka për të vendosur drejtësinë në vend. Më 20 maj 2001, ata shkojnë tek kafeja që familja Gjugjaj kishte çelur tek pronat e Shkrelëve, duke kërkuar të bisedojnë me burrat e familjes. Gjugjajt nuk kishin dashur të bisedonin dhe ishin shprehur se vetëm vdekja i largon nga ajo tokë. Një nga pjesëtarët e kësaj familjeje, godet xhaxhanë e Orgesit. Më pas, i fyer rëndë, ky i fundit merr një pistoletë dhe pa dijeninë e babait të Orgesit qëllon në drejtim të shtëpisë së Gjugjajve. Më vonë u mor vesh për plagosjen e një pjesëtari të familjes Gjugjaj, por pa rrezik për jetën. Në bazë të Kanunit, familja Shkreli mori njoftimin se familja Gjugjaj i konsideronte në gjak me ta. Në këto kushte, familja Shkreli duhej të ngujohej dhe t’i ruhej hakmarrjes së Gjugjajve. Pas kësaj mandate, më i rrezikuari ishte Orgesi, pasi xhaxhai i tij kishte tre vajza. Në këto kushte, në mes sakrificave të jashtëzakonshme, për t’i shpëtuar jetën, babai e dërgon Orgesin në shkollë në Greqi. Më vonë, pranë djalit erdhi edhe motra më e madhe e tij, Erlisa e cila kujdesej për Orgesin. Gjatë gjithë kohës, mendja e fëmijëve ishte tek babai dhe nëna, të cilët ishin shënjestër e hakmarrjes së familjes Gjugjaj në Shkodër. Pasi kreu studimet në Greqi dhe pasi ky shtet nuk kishte procedura të mbrojtjes në këto raste të kërcënimit të jetës, Orgesi u kthye në Shqipëri. Megjithatë babai i kërkoi të mos vinte në Shkodër, por të qëndronte në Tiranë tek Vilson Topulli, djali i dajës së prindit. Me ndërmjetësimin e disa personave, psai Vilsoni u tregoi hallin e rrezikun për jetën e Orgesit, më në fund, më 3 nëntor 2005, u nis drejt vendit që do t’i shpëtonte jetën, Kanadasë, duke u ndalur tranzit në Gjermani. Më 5 nëntor 2005 ai mbërriti në Kanada. Në mbrojtjen e shtetit kanadez, Orgesi ndjehet më i qetë, por vazhdon të jetë i shqetësuar për babain dhe nënën e tij në Shqipëri, të cilët, sipas Kanunit janë të ngujuar. Jetmir Delaj
Edmond Ramaj sërish i detyruar të largohet nga Shqipëria Se në Shqipëri vazhdojnë ende kërcënimet dhe grabitjet e pas vitit 1997 dhe veçanërisht në radhët e biznesmenëve dhe të familjeve të tyre këtë e tregon më së miri ngjarja që i ka ndodhur një të riu nga fshati Gashaj i Bajzës në Komunën e Kastratit në Malësinë e Madhe. Një histori e dhimbshme kjo që vazhdon që në vitin 2001 dhe që e kërcënon të riun Edmond Ramaj edhe tani në vitin 2006. Po si ndodhi? Në ditët e para të janarit të vitit 2001, kur po kthehej nga shkolla e mesme “Dodë Kaçaj” e Bajzës, ku Edmond Ramaj vazhdonte mësimet në vitin e dytë, pak para se të mbërrinte në shtëpinë e tij, pesë persona të armatosur i dalin përpara dhe tentojë që ta grabisin fizikisht dhe për ta mbajtur të fshehur për shkak se babai i Edmond Ramajt ishte biznesmen i njohur në Malësinë e Madhe. Prandaj, qëllimi i tyre ka qenë që Edmondin ta marrin peng, duke kërkuar një shumë të madhe parash. Por fatmirësisht, i riu Edmond Ramaj arrin të largohet me shpejtësi duke u dalur nga duart grabitësve. Sapo shkon në shtëpi ai tregon historinë babait të tij, i cili menjëherë lajmëron policinë, por ata nuk marrin asnjë masë për ta mbrojtur të riun e kërcënuar për marrje peng. Mirëpo ngjarja nuk mbaron me kaq, pasi vazhdojnë me letra anonime, duke i kërkuar babait të tij biznesmen shuma të mëdha parash. Që nga ajo ditë, pikërisht më 10.1.2001, çfarë e dëshmon edhe drejtoria e shkollës ku Edmond Ramaj vazhdonte mësimet, ai detyrohet që të mbyllet në shtëpi dhe të braktisë shkollën. I ndodhur në këto kushte të pasigurisë për jetën, pas përpjekjeve të babës së tij, Edmondi arrin që të largohet dhe të shkojë në SHBA, duke kërkuar sigurinë për jetën ku qëndron për pesë vjet, por fatkeqësisht nuk arrin që të përfitojë dokumentin e qëndrimit në SHBA, dhe kjo ndodh në fund të muajit dhjetor të viti 2005, kur e kthejnë pa dëshirën e tij. Por, për Edmond Ramajn sërish rikthehet e njëjta situatë. Pasi kërcënuesit e Edmondit sapo e marrin vesh se Edmondi është kthyer, vazhdojnë të njëjtat metoda si më parë, si para shkuarjes së Edmondit në SHBA, ku Edmond Ramaj përsëri detyrohet që të rrijë i fshehur nga kërcënimet e herëpashershme. Tani edhe duke kujtuar se ai tani ka sjellë para edhe nga SHBA, vend nga ku Edmondi u kthye forcërisht dhe pa dëshirën e tij, por që kurrsesi nuk mund të jetojë dhe punojë. Edhe pse në moshën 21 vjeç Edmond Ramaj nuk ka asnjë mundësi mbijetese, pasi në çdo moment mund të merret peng, prandaj i ndodhur në këto kushte, Edmond Ramaj sërish është i detyruar që të largohet nga vendlindja dhe vendbanimi i tij, edhe nga Shqipëria. Vasel Gilaj
Vatikani: Vandalizëm shqiptar me kryqin katolik Gazeta e Vatikanit “l’Ossevatore Romano”, deklaron se “kurrë nuk lejojmë të na rrëmbejnë kryqin” Gazeta zyrtare e Vatikanit “l’Osservatore Romano”, protestoi dje në lidhje me dëmtimin e kryqit të vendosur në zonën e Bushatit në Shkodër nga persona ende të paidentifikuar. Sipas gazetës zyrtare, sharrimi i kryqit ndodhi në ditën kur myslimanët festonin Kurban Bajramin, ditë e shënuar e sakrificës. Sipas “l’Osservatore Romano”, “ky episod intolerance, i drejtohej pikërisht besimtarëve kristianë”. Vatikani në këtë pikë citon fjalët e Papës Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij më 1998 në Austri: “Nuk mund të lejojmë kurrë që kryqim, simboli i shpëtimit, të na rrëmbehet nga të tjerët”. Më tej, “l’Osservatore Romano”, gazetë zyrtare e Vatikanit, përshkruan se më 10 janar të këtij viti, dy persona kanë prerë këmbët e një kryqi gjashtë metër i lartë i vendosur në një kodër, sipër lagjes “Rranxa” të Bushatit, në rrethin e Shkodrës. “Kryqi ishte vendosur në një zonë të populluar në mënyrë dominuese nga katolikë”, thotë gazeta zyrtare e Vatikanit. Sipas saj, “kryqi ka qenë shkaktar për mosmarrëveshje të zjarrta mes katolikëve të fshatit në të cilin ai ndodhet dhe myslimanëve të fshatrave përreth”. “L’Osservatore Romano” detajon se incidenti erdhi në ditën kur Presidenti shqiptar Alfred Moisiu ndodhej në Shkodër me rastin e festës së Kurban Bajramit. Myslimanët janë mazhorancë në popullsinë e Shqipërisë. Rreth 70 për qind në këtë vend janë myslimanë, 20 për qind ortodoksë dhe pjesa tjetër prej 10 për qind janë katolikë, evidenton gazeta zyrtare e Vatikanit “l’Osservatore Romano”. ed.ku
Shqiptaret, nen hijen e kishes dhe te xhamise Cdo histori e ka nje fillese ashtu sic edhe nje fund. Edhe ajo e Kryqit ne Bushat ka nje pikenisje dhe nje fund, i cili urojme te mos arrije kurre! E para ishte fjala, keshtu fillon nje nga librat e shenjte, themel i njerit prej besimeve. E keshtu me rradhe, pa dashur te zgjatemi ne historine e zanafilles se jetes mbi Toke. Erdhi Njeriu! I ndertuar bazuar ne shembelltyren e Krijuesit, Njeriut iu dha nje Liri, ne kuptimin e plote te fjales, e pamate. I panjohur me ate qe e rrethonte, Njeriu filloi te shikonte me frike shumecka e fenomene edhe te thjeshta. Eshte epoka e Paganizmit, kur koncepti i vertete i Besimit, akoma nuk kishte hedhur rrenje. Nje nga besimet me te hershme, eshte ai i Hebrenjve. Jane te shumte librat e shenjte te ketij besimi, te cilet sherbyen si pikenisje edhe e besimeve te tjera, ndoshta duke filluar me devijacionin e pare, Krishterimin. Mbi dymije vjet me pare, ishte Jezusi nga Nazareti, tek i cili u misheruan shume shkrime te shenjta, ai qe shenoi lindjen e Katolicizimit. Ne pjesen me te madhe te botes se atehershme, Lajmi i Mire nga Dishepujt e Jezuit, u perhaps per mese 5 shekuj, teksa doli ne skene Islami. Ishte profeti Muhamed, Njeriu permes te cilit Allahu zbriti Kuranin, librin e shenjte te besimtareve muslimane. Qe prej asaj kohe, jane dy besime kryesore ai Kristian dhe ai Islam, qe jo vetem ecin parallel njeri me tjetrin, por edhe “i tregojne forcen” respektivisht, pse jo edhe me numer besimtaresh te shtrire ne mbare globin. Fakt interesant eshte se ne bote, jane edhe shume besime te tjera, pore to dy besime duket se “i bejne karshillek” njeri- tjetrit. Shqiperia e sotme apo Iliria e dikurshme, ishte nder te parat vende qe perqafuan fene e Krishtit, teksa udhetonte ne fillim te eres sone ne keto vise Shen Pali. Ne keto troje, Krishterimi gjeti nje shtrat te ngrohte dhe rrjedhimisht, u krijua nje bastion i ketij besimi. Perpara se te arrijme tek Mesjeta e Gjergj Kastriotit, duhet pranuar se Islami kishte filluar prej shekujsh te perhapej. Vecanarisht, perhapja ishte me e dukshme gjate pushtimeve te shumta te Otomaneve, te cilet tashme kishin perqafuar Islamin. Ne kushtet e nje pushtimi, Pushtuesi te imponon shumecka. Nuk ka me te voglin dyshim se nje pjese e Arberise dhe arberve, u konvertua ne besimin Islam permes forces, qofte ajo edhe psikologjike. Pjesa tjeter nderroi fene e te pareve kundrejt pronave dhe ofiqeve, por edhe thjeshte duke ndryshuar emrat. Fakt eshte se filloi konvertimi nga nje vend me mazhorance absolute te Krishtere, ne besimin Islam. Teksa shekulli i 15-te i dhuroi shqiptareve dhe Evropes Gjergj Kastriotin, vendi yne po pergatitej per nje periudhe te eger roberie nen osmanet. 25 vitet e Kastriotit, shenuan nje faqe te lavdishme ne historine tone, por edhe per fatet e Kontinentit Plak. Jo me kot, ai u cilesua si “Atleti i Krishtit”, per mbrojtjen qe i bere Evropes, te pakten per 25 vite, duke e shpetuar nga nje pushtim asimilues gjitheplanesh. Edhe pse vdiq, Kastrioti ishte nje nga shkaqet kryesore qe Pushtuesi Turk nuk arriti te depertonte ne zemer te Evropes. Fati i keq i pushtimit ishte i Shqiperise, e cila do te lengonte per shume shekuj, duke gezuar fare pak te drejta dhe aspak liri. Ne fund te ketij pushtimi, le te themi me “Shpalljen e Pavaresise” me 1912, Shqiperia ishte kthyer ne nje vend shume te prapambetur, por mbi te gjithe me nje ndryshim rrenjesor te perkatesise fetare. Rreth 65% e popullsise ishte konvertuar ne besimin Islam. Pertej arsyeve te ketij konvertimi, te cilat jane te shumta dhe te ndryshme, realiteti ishte ai. Nderkohe, pergjithesisht ishte ruajtur e forte ndjenja kombetare, ku popullsia pergjithesisht ishte homogjene. Vlen te permendet se ne periudha te ndryshme, nuk ishin te pakta karvanet qe sillnin ne Shqiperi muslimane me kombesi te ndryshme, kryesisht nga vendet e Lindjes se Larget. Duhet pranuar se gjate gjithe ekzistences se Shqiperise, pavaresisht perkatesise fetare, komunitetet kryesore monoteiste Islame dhe te Krishtere, kane respektuar njeri- tjetrin. Si ne cdo gje, nuk kane munguar drite- hijet, ulje- ngritjet ne marredhenie. Sigurisht, nuk ka patur asnjehere konfrontim fizik, pervec atij te ideve dhe qendrimeve per ceshtje te ndryshme. Nderkohe, me 10 janar 2006, diten e Kurban Bajramit, ne Bushat te Shkodres u konsumua nje veper e shemtuar: nje symbol fetar- kryq i vendosur ne Malin e Zefjanes u rrezua. Ngjarja u amplifikua shume nga disa media, te cilat madje thane se kryqi u hodh ne ere me dinamit. Per kete, kishin si deshmitare banoret e zones, te cilet paskeshin degjuar edhe shperthimin. Versioni ishte pak i besueshem, ndersa akti i shemtuar ishte verifikuar rreth ores 15.00, ndersa kishte rreth 3 ore qe presidenti i Republikes Moisiu ishte larguar nga Shkodra pas nje vizite ne Myftinine e qytetit verior. Simboli fetar u ringrit nga besimtaret e krishtere ne vendin ku ishte para se te sharrohej. Fale nderhyrjes se drejtuesve te besimeve fetare ne Shkoder, ngjarje nuk pati pasoja ne marredheniet e dukshme ne mes komunitetit musliman dhe atij katolik. Drejtuesit luajten rolin e amortizatoreve me deklaratat e tyre publike mediatike. Nga ana tjeter, policia brenda nje kohe te shkurter arriti te gjente fajtoret, por nuk i publikoi me mencuri per te mos rrezikuar jeten e tyre dhe te familjeve. Nje takim ne Komunen e Bushatit ne mes perfaqesuesve te komuniteteve dom Gjovalin Sukaj dhe Shukri Kapllan, shenoi mbylljen zyrtare te incidentit. Pas nje ngjarje te tille, jane te shumta polemikat. Duhej vene apo jo kryqi ne majen e Zefjanes? Nuk preferoj ti kthej pergjigje pyetjes, aq me shume kur ai ndodhej atje i vendosur prej 4-5 vitesh. A duhej te hiqej kryqi, aq me pak me nje akt te tille? Pergjigja eshte e thjeshte: JO! Pala tjeter, e besimit Islam, kishte te gjitha mundesite te vendoste nje symbol te sajin ne nje koder apo mal tjeter, qofte edhe tek i njejti vend. Pse doli ne skene tani ceshtja e atij simboli, pas shume viteve i vendosur ne Zefjane? Hamendjet jane te ndryshme, duke e lidhur edhe me ceshtjen e objektit te kultit ne Kalane Rozafa. Ne kete drejtim, mendjet njerezore krijojne edhe alibi te tjera, duke e lidhur edhe me shembjen e Zogut te Zi, duke i dhene edhe support politik. Mjaft interesante ka qene edhe nderhyrja e Vatikanit permes gazetes se saj zyrtare “Osservatore Romano”, e cila denonte aktin e paprecedent. Pergjigja e Kryetarit te Komunitetit Musliman Shqiptar, Selim Muca ishte se “Vatikani nuk duhet te merret me kryqet ne Shqiperi?!”, ku mesa duke tai nuk ka konceptin e centralizimit te Kishes Katolike dhe jo si Islami, ku nuk ka nje drejtues te vetem suprem. Gjithsesi, edhe ky incident u kalua pa shume pasoja. Megjithate, situate duket jo shume e qete, edhe pse fasada tregon ndryshe. Shkodra eshte nje rreth shume delikat ne lidhje me besimin. Ekulibrat jane shume te brishte dhe duhet shume pak te prishen. Kete e kane kuptuar mire nje pjese e shkodraneve, por edhe drejtues te komuniteteve fetare. Ngjarja e Bushatit ka patur nje support politik te qarte, me sakte, nje frymezim ideologjik politik. Sigurisht, jane gjetur edhe disa “kamikaze” te cilet kane marre ne dore sharren e shkeputjes se marredhenieve muslimane- katolike…. Blerti Delija
2700 vjet ma parë, mbreti romak Numa Pompili formuloi kalendarin e parë Festa e vitit të ri, që festojmë sot, së bashku me dokumentin që shënon kohën, kalendarin që prej mijëra vitesh kanë kaluar nëpër rrugët e një evolucioni të gjatë ndryshimesh, sipas popujve, vendeve e sundimtarëve të ndryshëm. Para mijëra vitesh në shumë vende të botës, viti i ri konsiderohej i lidhur me fenomenet e natyrës, si me vërshimin e lumenjve në Egjiptin e lashtë, etj., me pjekjen e arrave te aztekët e Amerikës, në bazë të lëvizjes hënore tek hebrenjtë e disa popuj aziatikë si kinezët etj. Por dita e fillimit të vitit të ri më interesantja paraqitej tek romakët të cilët e festonin ditën e ekuinoksit, pra më 25 mars. E, ndërsa në disa popuj të kohës (në Europë) fillimi i vitit të ri konsiderohej edhe 1 marsi, pra fillimi i pranverës etj. Të gjitha këto ndryshime për fillimin e vitit të ri u shoqëruan me “kalendarët” e kohëve, ku më interesanti mbetet ai i zbuluari në një tempull të vjetër në Meksikë në vitin 1790, që njihet si kalendari aztek, dhe është i gdhendur si një cilindër graniti me diametër 4m dhe peshë 250kv. Në këtë kalendar një shekull shënohej me 52 vjet, ndërsa dy “shekuj” shënoheshin një epokë. Në vitet 715-672 para lindjes së Krishtit, mbreti romak Numa Pompili përpiloi kalendarin e parë romak që shënonte kohën, madje edhe vetë fjala kalendar e ka prejardhjen nga latinishtja kalendarum, që do të thotë të mbledhësh, të thërrasësh… Gjithsesi, viti 153 para Krishtit shënon festimin e parë të fillimit të vitit. Duke qenë se vitet e brishta atëhere konsideroheshin në çdo tre vjetë e jo si sot në çdo katër vjet, u bënë gabime të cilat u mundua t’i korrigjonte perandori romak Jul Qezari, i cili i vuri muajit korrik emrin e tij Juli, dhe ndërtoi kalendarin e njohur me emrin e tij, kalendarin Julian, i cili kishte një jetë mjaft të gjatë ndër popuj e vende… Për shumë shekuj pas lindjes së Krishtit festimet e vitit të ri dhe festave të tjera u bënë sipas kalendarit Julian, i cili mbështetej në lëvizjet hënore, duke pasur spostime ditësh e datash. E ndërsa kalendarët ndryshonin, u desh të vinte viti 1582, kur Papa Gregori XIII nga Selia e Shenjtë në Romë vuri në funksion kalendarin e saktë që përdorim sot, dhe ky kalendar që atëherë njihet me emrin kalendari Gregorian. Besimtarët katolikë dhe shtetet me dominancë të tillë menjëherë filluan të zbatojnë këtë kalendar që kemi sot, ndërsa disa shtete me popullsi kristiane, por me besim ortodoks, apo protestan e pranuan shumë më vonë kalendarin e ri Gregorian… Për shembull Gjermania e pranoi në vitin 1700, Britania e Madhe në vitin 1752, vendet nordike (Suedia) në vitin 1753, Japonia në vitin 1873, Kina në vitin 1912, ndërsa Rusia ortodokse mori vendim ta njohë këtë kalendar në vitin 1918, por që nën presonin e kishës u tërhoq, duke bërë që ta rikthejë zyrtarisht në vitin 1924, por që kisha e saj edhe sot vazhdon të “punojë” me kalendarin e vjetër Julian… Gjithsesi viti 1924 shënon zyrtarisht njohjen dhe zbatimin e kalendarit Gregorian që kemi sot nga thuajse e gjithë bota e civilizuar, duke përfshirë edhe atë Islame, e cila fillimisht kishte njëfarë stepjeje pasi paragjykohej 1 janari si dita e regjistrimit zyrtarisht të Jezus Krishtit, dhe kalendari ishte mbi motive kristiane, por që sot është sqaruar gjithçka dhe kemi siç thamë një kalendar të përbashkët. Është interesant të thuhet se në Shqipëri kalendari i sotëm u përhap së pari në zonat katolike të Veriut të Shqipërisë nga Kisha Katolike, që në vitin 1590, por mbetet enigmë kundërshtimi i popullsisë së Mirditës për kalendarin Gregorian në vitin 1610. Shqipëria si shtet e njohu zyrtarisht kalendarin që kemi sot, pas çlirimit nga pushtuesit shumëshekullorë otoman, konkretisht në vitin 1914… Përgatiti Ndue Bacaj
Mësuese Europa ka mbetur në klasë nxënësen Shqipëri Shqipëria, si vend ka bërë hapa të mëdhenj! Këtë e dëgjoni në median vizive dhe të shkruar. Po shumë mirë, kjo është një shenjë e mirë. Pasi janë bërë investime të reja, ndërtime, janë ngritur institucione të ndryshme, janë firmosur kontrata, marrëveshje etj. Por,… të mos harrojmë nuk kemi ujë, drita, kemi rrugë të prishura, jemi të zhytur në korrupsion deri në palc, varfëria po na zë frymën, punë nuk kemi etj. Tani, sikur t’i bëjmë një balancim këtyre dy kohëve, si mendoni ju, Shqipëria këto hapa të mëdhenj po i bën para apo pas?!… Ja, këtë nuk e mora vesh kurrë! Megjithatë, do të ishte e pafalshme të hidhja poshtë gjithë këtë zhvillim që ka prekur Shqipërinë. Po a nuk ju duket se është një zhvillim me ritme të ngadalta? Po ne duket sikur sapo e kryem dhe e arritëm një reformë dhe gjithë shend e verë bëhemi gati të bëjmë hapin tjetër, kur na del po e njëjta gjë. D.m.th. t’ia nisim edhe një herë nga e para. Po pse? Sepse asgjë nuk është bërë siç duhet, gjithçka është bërë gabim, për së mbrapshti. Atëherë?! Atëherë, asgjë! Filloje nga fillimi! Pa bërë këtë të parën nuk mund të kalosh tek e dyta. E kështu, ne ia fillojmë edhe një herë nga fillimi, pa e kuptuar as vetë se çfarë jemi duke bërë dhe pse po e bëjmë një gjë të tillë. Dhe sigurisht, ndërkohë që ne e bëjmë dhe e ribëjmë dhe rezultatet dalin gjithnjë e më shumë negative dhe të papranueshme, atëherë ç’kuptim ka kjo? Pse vallë po e bëjmë dhe gjithçka prishet?! Koha ikën si pa e kuptuar dhe ne nuk e kuptojmë se po mpakemi çdo ditë e më shumë. Ndërsa koha pa na pyetur aspak nëse kemi vështirësi apo jo, formon atë që quhet histori e një vendi. Po ne, si po e krijojmë historinë e vendit tonë?! E, n.q.s. mbani mend ne nuk bëmë asgjë për së mbari, edhe pse koha kaloi, ne qëndruam ashtu të ngrirë, edhe pse hapin e kemi çuar tashmë. Po çfarë po bëjmë në të vërtetë?! Po bëjmë detyrat që mësuese Europa na ka caktuar ne nxënësve. Dhe pikërisht të njëjtën detyrë, i njëjti test i vihet nxënëses Shqipëri për kaq kohë, por që fatkeqësisht asnjëherë nuk e kaluam provimin, d.m.th. kaq e kaq vite të ngelur në klasë. Po si ka mundësi, ne që jemi aq të vëmendshëm në mësim, të ngelemi gjithmonë në të njëjtin stad, të paaftë kaq vite për të kaluar klasën. E, historikisht siç jeni dëshmitarë, asnjëherë mësuese Europa nuk na e dha qoftë edhe një “pesë” të vetme, të paktën në njërin nga provimet e shumta. Gjithmonë ngelës që ngelës mbetëm. Po pse kaq të dobët të jemi vallë?! Po, a mund të jetë krejtësisht i gjithë faji ynë? Nxënësi nganjëherë, për të mos thënë gjithmonë, nuk ka të drejtë të ankohet apo të pretendojë për notën qoftë edhe për një “pesë” sa për të kaluar, dhe ky duket sheshit si është rasti i nxënëses Shqipëri. Tani, të gjithë ju do të thoni se mësuese Europa nuk shahet dhe nuk kam të drejtë të vë gojë mbi të, por pse kaq të këqinj qenkemi ne?! Po mësuese Europa si na e shpjegon mësimin? A nuk mundet kurrë ajo që edhe pas kaq vitesh të na shikojë me një tjetër sy. Sepse fundi i fundit ne jemi dhe ngelemi nxënësit e saj për kaq vite radhazi. Apo ne jemi thjesht një nxënës që nuk di të zgjidhë atë tezë tmerrësisht të vështirë dhe që nuk mund t’i falet as edhe gabimi më i vogël. Mos vallë gjithmonë do të shihemi nga “mësuesja jonë” si nxënës që duhen ngelur?! Që jemi nxënës të dobët, e pranojmë, e për rrjedhojë nuk pretendojmë që t’i zgjidhim të gjitha detyrat “e dashur mësuese”. Por që ta dish, ne në atë tezën tënde kemi zgjidhur goxha ushtrime, si p.sh. kemi bërë investime të ndryshme në sfera të ndryshme, kemi firmosur marrëveshje, ndërtime të reja etj. Paçka se nuk kemi arritur të mposhtim papunësinë, varfërinë, nuk kemi ujë, drita dhe nuk mundëm të zhdukim korrupsionin. Siç duket ky i fundit është edhe ekuacioni i cili po na e merr shpirtin. Po mirë, moj mësuese, ato arritjet që sipër përmendëm a nuk mjaftojnë që ti të na vësh një pesë, pastaj këto të tjerat me ndihmën e tënde dhe me angazhimin tonë mund t’i zgjidhim me kalimin e kohës. Me sa duket, jo. Ato nuk mjaftojnë për të kaluar të paktën një klasë e të mos quhemi “nxënësi ngelës”. Po tani çfarë do të ndodhë me ne? Jo se dua të bie në pesimizëm, por unë mendoj se ti nuk na do. Por, mos qoftë e thënë. Kjo nuk do të ishte e drejtë. Në fakt, e drejtë apo jo, këtë e vendos vetëm ti, “mësuese Europë”, ne ndërkohë vazhdojmë të jemi po ata, nxënësit ngelës, me po të njëjtën tezë përpara, për kaq vite me radhë. Po mirë, po sikur mëuseses sonë të dashur i “shkrep” në kokë dhe sado që vitet të kalojnë, ne të vazhdojë të na ngelë në klasë e aq më tepër me të njëjtën tezë?! Pra, po sikur ne të ngelemi përfundimisht dhe ajo të mërzitet me ne. E them këtë sepse me ç’po shihet ka shumë mundësi të ndodhë, pasi ngelëm në vend gjithë kohës. E, ç’mendoni ju se mund të bëhet?! Se mos po i bëhet merak asaj shumë për ne. Fundja bëhet fjalë për një nxënës më shumë a më pak. E nuk do të humbiste asgjë veçse një nxënës të dobët, që nuk ishte kurrë në gjendje të bënte të gjitha detyrat. E ritheksoj “të gjitha”, sepse të thotë që nuk ka bërë asnjë detyrë, këtu nuk ka të drejtë aspak. E, kur na thotë mësuesja jonë Europa se na do të mirën të gjithë nxënësve. Ndoshta nxënësve të mirë ua do të mirën, por nxënësve të dobët nuk u jep dot as një “pesë”. E, në këtë grup hyjmë edhe ne. Pra, mësuese Europa do të humbte një nxënës që nuk e ka dashur ndonjëherë. E pra, përfundimisht asgjë nuk do të bëhet vetëm ne mbetemi ngelës përgjithmonë. Po mirë, moj mësuese Europë, ti na ngele, s’na ngele nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Ne këtu na ke gjithmonë në të njëjtin vend, duke riprovuar për të disatën herë, po të njëjtën tezë, atë që nuk e plotësuam asnjëherë. Tani, a do të mund ta plotësojmë ndonjëherë të shkretën tezë, d.m.th. të na kalosh klasën?! Këtë nuk e dimë dhe duhet të ndodhë ndonjë mrekulli që kjo të bëhet realitet. Por, gjithsesi e dashur mësuese, ne nxënësit e tu mbetemi, të ngelur ose të kaluar. Ne, gjithmonë në një vend do të ngelemi të ndryshuar apo jo. Tani, çfarë do të bëhet me fatin tonë? Këtë nuk e dimë por sigurisht një gjë do të ngelet e qartë, ne ishim dhe jemi nxënës. Po, mirë se fundi i fundit nxënës të dobët, nuk arritëm kurrë t’i bënim detyrat e tua, o mësuese, edhe pse për vite me radhë e provuam dhe riprovuam, po e pranojmë humbjen, po bindemi përfundimisht se nuk jemi të aftë të kalojmë klasën tënde, por kjo nuk do të thotë që ti mundesh që përveç se të na ngelësh, edhe të na diskriminosh. Kjo do të ishte fatale, aq më tepër për një nxënës të dobët si ne. Asnjeri nuk ta lejon e dashur mësuese edhe pse gëzoni autoritet të madh mbi ne, por po të kujtoni e dashur mësuese, ju vetë na flisni nëpër leksionet tuaja të vështira për barazi në të gjitha fushat e jetës, aq më tepër duhet të ketë barazi ndërmjet njerëzve. Siç duket, leksionet e tua vlekan vetëm për ne, nxënësit e tu. Do të pyesësh ti, se ku po na diskriminon? Gjithkund e në gjithçka. Mendoj, moj mësuese Europë, se kjo nuk mund të ketë asnjë emër tjetër përveçse diskriminim. Po me ç’të drejtë?! Të mos harrosh se ti na jep mësim, ne ndoqëm leksionet e tua, edhe pse asnjëherë nuk ishim në gjendje t’i përvetësonim këto leksione të gjitha, edhe pse u munduam aq shumë. Ne ishim në radhët e nxënësve të tu të shumtë e pavarësisht e kaluam apo jo klasën dhe provimet e tua, ne këtu na ke. Nuk e di a do të denjoje ndonjëherë të na jepje një tjetër mundësi, ndoshta dhe të fundit fare, dhe pse jo të na e kalosh klasën. Mbase kjo do të ndodhë një ditë edhe pse në dukje mbetet një shpresë e vakët që vjen e zbehet çdo ditë e më shumë. E, sigurisht, një pjesë të mirë të fajit e kemi ne, sepse jemi kaq të pazotë, por edhe ti, e dashura mësuese Europë a mund të mendosh pak, a e ke kryer siç duhet detyrën tënde si mësuese? Mos vallë roli yt ka qenë më shumë si ndëshkuese se si mësuese? Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë disa prej detyrave, e ndoshta do të tentojmë edhe për më tej, por të bindur se asnjëherë nuk do t’i bëjmë detyrat ashtu siç do ti. Por, a të gjithë fajin për këtë e paska nxënësi?!… Emiranda Lukaj
Shqetësimi i PS-së Partia Socialiste, dega Malësi e Madhe, proteston për aktin e dhunshëm të datës 7.11.2005 kundër anëtares së Partisë Socialiste, Lindite Ujkaj, ku persona të panjohur e kanë kërcënuar dhe goditur. U bëjmë thirrje forcave të rendit të identifikojë menjëherë autorët e këtij krimi dhe të vërë para përgjegjësisë ligjore këta persona që kërkojnë destabilizimin e vendit. Zëdhënësi i P.Socialiste, dega M.Madhe
Kur Gjergj Kastrioti i “dikton” Kuranin Sulltan Muratit Duke shfletuar librin plot vlerë të Dhimitër Frangut, të përkthyer nga italishtja e vjetër nga studiuesi, historiani, poeti dhe publicisti i njohur Lekë Pervizi (autor i disa librave), shkëputa nga ky libër këtë fragment në kreun e katërt, të tij, në faqet 66-69. Siç e thamë më lart, me shumë sukses drejton revistën “Kuq e Zi”, në Bruksel të Belgjikës. Kapitulli i sipërpërmendur më tërhoqi për vetë faktin se këtu mësova një gjë të panjohur, dhe pikërisht letërkëmbimin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) me Sulltan Muratin, të cilin do ta citoj besnikërisht sipas autorit. “Sulltan Murati, duke qenë shumë i inatosur me Skënderbeun, i çoi një letër (përmes ambasadorit të tij) me këtë përmbajtje: “Murati, Perandor i turqve dhe Princ i Lindjes, ty, Skanderbeg, njeriu ma mosmirënjohës në botë. Nuk mund të përshëndes as shumë, as pak, duke qenë se ti u bane anmik për vdekje i kunorës sime, ndërsa të rritsha me dashuni, si t’ishte biri im, duke u mundue gjithmonë me të nderue e me të ngritë në pozita të mëdha e të nalta, siç baj me miqtë e dashamirët e mij. Ti u rebelove e më ke shkaktue shumë dame, siç e di vetë dhe siç është e njohur nga bota mbarë. Unë, nuk mund ta marr me mens di shkoi kjo punë, ndoshta për faktin se nuk ta ktheva shtetin prindëror ose pse ti ke pasë gjithmonë qëllimin që të mohosh fenë e Profetit Muhamed dhe të kthehesh (siç ke veprue) në fenë kristiane, për të humbë shpirtin tand. Por, s’ka dyshim se po ta kisha ditë dëshirën tande, do të kisha ba gjithçka ti do të dëshiroje, sepse ti e din mirë, (siç shpesh ta kam thanë), që unë kam dëshirue për së tepërmi me të plotësue çdo kërkesë. Unë jam përpjekë me të dashtë ma shumë se këdo tjetër në oborrin tim, për virtytet e tua të rralla. Duke e ditë ti se unë mbrenda pak ditësh do të ta ktheja shtetin atnor, e duke e ditë se unë nuk do ta mohoja fjalën e dhanë, ti je sjellë kundër detyrës sate, duke u rebelue, veprim për të cilin meriton qortim të madh dhe dënim të rreptë, pra e meriton mërinë dhe mohimin tim. Nga ana tjetër, duke pasë parasysh veprat e tua të lavdishme, që në të kaluemen (duke qenë në shërbimin tim) i ke krye për mbrojtjen dhe naltësimin e shtetit tim, duke i shërbye besnikërisht kunorës sime, pothuejse jam i detyruem ta zbus inatin, që me të drejtë më ka pushtue ndaj teje. Duke pasë vendosë me veprue kështu, të them se due që pas faljes sime, të vlejnë ma shumë shërbimet që kam pasë prej teje, për me të shpërblye (që nga ana ime nuk do të mungojnë) se sa hakmarrja që duhet të përdorsha ndaj teje për mungesat e tua, me qenë se u rebelove kundër meje pa asnjë arsye dhe që shkaktove aq damtime ndaj meje dhe njerëzve të mi. Prandaj, ta dish se ti mund të sundosh mbi shtetin tand, që të përket si trashëgim, por me një konditë, që t’më rikthesh atë pjesë të Shqipnisë që kam përfitue nga tjetërkush e jo nga prindi yt, të cilën kundër çdo të drejte ma ke marrë e përvetësue, tue mbajtë kundër vullnetit tim. Të them që ti t’ma rikthesh, për ndryshe betohem në Zotin dhe Profetin Muahmed, në shpirtin e babës timdhe në aftësitë dhe forcën time e të shpatës time, që do ta përdor kundër teje për me të dëbue nga ai vend për inatin tand. E në qoftë se do të shpëtosh i gjallë, do të detyrohesh që të shkosh lypsar nëpër botë. Ti e din se unë mund të ngrej një ushtri prej 150.000 vetësh, ndërsa ti ke pak ushtarë e nuk mund të jesh në gjendje të më përballosh. Këto po t’i them sepse nuk due me të ba të keqen. Të kam paraqitë të mirën dhe të keqen. Ty të takon me zgjedhë si të kesh qejf dhe për këtë mund t’i besosh ambasadorit dhe shërbëtorit tim Hajredinit, i cili do të të flasë gojarisht në emen tim për gjithçka, sipas porosisë sime. Në Andrianopol më 16 qershor 1444.” Pasi kuptoi shumë mirë letrën dhe pasi i dëgjoi me kujdes fjalët e ambasadorit të Sulltan Muratit, Skanderbeu e falënderoi dhe e nderoi ambasadorin e pas pesë ditësh e nisi, tue i dhanë me vete një letër për padronin e tij, në përgjigje të asaj të Sulltanit, me këtë përmbajtje: “Gjergj Kastrioti, i quejtun Skanderbeg, Princ i shqiptarëve, i çon të fala të shumta Sulltan Muratit, Princit të turqve dhe Perandorit të Lindjes. Prej shërbëtorit dhe ambasadorit tand, Hajredinit, e mora letrën që më kishe nisë, ku fillimisht ti më thoje se nuk mund të më jepshe as shumë as pak të fala, sepse unë të qenkam rebelue dhe sepse unë të paskam ba (siç thue) shumë dame. Po të përgjigjem: megjithëse çdo gja që kam ba kundër teje ngjan sikur të jetë ba prej një anmiku, të them se çdo herë që ti do t’i shikosh punët me synin e arsyes, në këtë rast se çka e sa asht krye prej meje unë e gjykoj se jam tregue jo anmik por shumë mik. Për këtë të them se asgja nuk do të ishte e vështirë të bahej, të cilën unë të mos e bajsha, por që të mos ishte kundër vullnetit të Zotit. E për sa thashë, duhet të bindesh nëse unë pretendoj të të jem mik. Por në qoftë se ti ankohesh se unë kam rifitue lirinë time, me shtetin e tim eti, gabohesh, sepse nuk mendoj të të kem fye, sepse më takon vetëm mue dhe jo ty, dhe jam përpjekë të baj çka i takon nderit tim. Në qoftë se turqit, ushtarët e tu, që rrinin në viset e Shqipnisë, erdhën kundër meje që të më luftojnë me armë në dorë, a nuk ishte e drejta ime me u mbrojtë kundër atyne që donin të më sulmonin? E, në qoftë se e përvetësova atë pjesë sepse i munda me trimninë time, faji nuk asht i imi, por i tyne, ose i atij që i shtyni të më sulmojnë mue. E pse unë e kam thye ushtrinë tane, të komandueme nga Ali Pasha, nuk besoj se kam veprue kundër detyrës time, duke qenë se unë po mbrohesha nga ai që më sulmonte. Së fundi, në qoftë se unë e braktisa fenë e Muhamedit, e u ktheva në fenë time të vërtetë të Jezus Krishtit, jam i sigurtë se kam zgjedhë anën ma të mirë: sepse tue zbatue mësimet e Tij të shejta, jam i bindun se shpirti im do të shpëtojë dhe jo (siç thue ti) të humbë. Prandaj të lutem, që për shpëtimin e shpirtit tand, të dëgjosh prej meje një këshillë shumë të mirë. Po të lexosh me kujdes Kuranin, d.m.th. përmbledhjen e mësimeve hyjnore, do të kuptosh se cili prej ne të dyve e ka gabim. Nga kjo kam shpresë se në qoftë se ti do të arrish të gjykosh gjithçka drejt e të bindesh nga arsyeja, do të pranosh fenë shumë të shenjtë të krishtenë, e vetmja në të cilën të gjithë njerëzit që kërkojnë shpëtim, shpëtojnë, e jashtë saj çdokush tjetër shkatërrohet. Dhashtë Zoti që ti të pranosh që të ndriçojë Shpirti i Shenjtë e të vish e të pagëzohesh e të fillosh me jetue si i krishtenë. Atëherë unë do të kisha kënaqësi me të njohë si Princin ma të madh të Botës, e me t’u ba (siç kam qenë) një shërbëtor i mirë dhe mik. Për këtë ti do të bindeshe shumë mirë kur të shikoje se sa me sinqeritet dhe mirësi unë të ftoj me të shpëtue shpirtin, për lavdinë dhe madhështinë e shtetit tand. Përfundoj tue të thanë se, megjithëse jam përpjekë të mbrohem nga ti dhe forcat e tua, të mbetem mik, tue të premtue se kurdo që të bash atë që të këshillova, (pra që të kthehesh i krishtenë) unë do të rikthej jo vetëm atë pjesë të Shqipnisë që ti më kërkon, por edhe gjithçka unë mbaj e kam në këtë botë dhe do të jem gjithmonë shërbëtori i jot i mirë. Përndryshe, të jesh i sigurt se unë nuk mundem, nuk due dhe nuk detyrohem, për shumë shkaqe dhe arsye, që të pranoj ato që ti shkruen. Kryesisht, pse turqit nuk e mbajnë kurrë besën ndaj të krishtenëve dhe janë fqinjë të këqij të tyne, e nuk due që të rrezikoj e të humbas atë që Zoti më ka dhanë. Prandaj, mos u fodullos përsa më thue, që me ta rikthye atë pjesë të Shqipnisë që ti ua ke marrë të tjerëve, e jo babës tim. Ato vise që ti vetë thue se kanë qenë “të krishtenë” edhe të mos kishin qenë të prindit tim, meqenëse unë jam një princ i krishtenë, më takojnë mue e jo ty. Si rrjedhim, asht ma se e volitshme dhe e arsyeshme që një i krishtenë të zotnojë atë që ka qenë e të krishtenëve (mbasi nuk kanë një princ të tyne). Shpresoj me rimarrë (gjithçka dhe sa ma parë) ato çka ti ke përvetsue nga pronat e të krishtenëve, e jo që unë me të lëshue asnji pëllambë tokë. E përsa thue se do t’më bajsh fatkeq, të përgjigjem se kam besim e shpresë se me ndihmën e Zotit do të di të mbrohem e të fitoj. Megjithate duhet të dijsh se fitorja nuk përcaktohet nga sasia e njerëzve, por përparësisht nga vullneti hyjnor, tue pasë nga ana e vet madhërinë hyjnore dhe të drejten, pastaj në aftësitë dhe urtësinë e komandantëve. Por dua të them se as lajkat as kërcënimet e tua nuk janë të mjaftueshme që të lëkundin shpirin tim. Megjithate i premtoj madhnisë sate se nuk do të ndërmarr kundër teje asnjë veprim, pa qenë i ngacmuem dhe i provokuem ma parë prej teje ose prej njerëzve të tu. Juve sa mund të ju duket e pëlqyeshme, përunjësisht ju përfalem. Nga Kampi ynë, më 14 korrik 1444” P.S. “Letërkëmbimet e Gjergj Kastriotit, për herë të parë janë dhanë nga Dhimitër Frangu, prej të cilit i kanë marrë autorët e tjerë”. L.Pervizi. “Historia e Gjergj Kastriotit (Skanderbeut) Shkruar me dorën e tij, nga Dhimitër Frangu, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i heroit legjendar. Përktheu nga italishtja e vjetër Lek Pervizi Në 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit (Skanderbeut) Arbëria 2005
Zotëroj 13 gjuhë dhe s’mund të abuzohet me emrin tim Ju kisha lutur shumë, që përmes gazetës shumë të mirë që drejtoni t’i tregoni z.Agron Luka se citatet në tekstin e tij (SHE 75), ku ai më sulmon mua (Skënder Kajoshaj), nuk përputhen assesi me artikullin tim. Ai mund ta ketë lexuar atë artikull në gazetën “Illyria” të New Yorkut, por artikulli është botuar origjinalisht në revistën time kombëtare “Iliria”. Pothuajse të gjitha citatet që ai ka dhënë janë të ndryshuara – ndoshta këtë e ka bërë “Illyria” por jo unë. Ndërsa lidhur me sulmet e tij dhe tentimet që në çdo mënyrë mua të më lidhë me “turqizmin” apo “arabinë”, nuk di fare ç’të them – unë askund në tekst as përafërt nuk kam aluduar në lidhjen e zbulimeve të mia me Turqinë apo Arabinë. (Çfarë argumenti i mbrapshtë është se fjala që unë kam përdorur maraz na qenka turko-arabe? A nuk e njeh z.Luka fjalën që edhe sot përdoret në shqip: mërzi) Të them të vërtetën unë nuk e kuptoj fare mesazhin e tij se çfarë ai dëshiron të tregojë me atë tekst kundër meje. A don ai të tregojë se zbulimet e mia nuk janë të vërteta, apo diçka tjetër? “Inshallah” (siç shprehet z.Luka) ai është në gjendje të kuptojë esencën e shkrimit të tij, meqë unë nuk jam, dhe megjithëse, siç kam cekur në artikullin tim origjinal, unë nuk kam ndonjë titull të llojit “dr”, “mr”, apo “prof”, prapëseprapë unë i zotëroj (deri tani) 13 gjuhë të huaja, dhe tërë jetën jam marrë me linguistikë. E vetmja që e kuptoj është që ai duket se në çdo mënyrë tenton të zhvlerësojë gjenialitetin dhe rëndësinë e gjuhës shqipe, si gjuhë amë e të gjitha gjuhëve indo-europiane, dhe dëshiron që me argumente të llojit “mendja” vjen nga latinishtja/italishtja “mente” – të tregojë se gjuha jonë e artë nuk qenka kurrgjë pos 60% gjuhë latine dhe ndoshta ato 40% të tjera greqishte, etj. Po, çfarë nëse është e kundërta – nëse “mente” vjen nga “mendja”? Këtu nuk kemi të bëjmë me problemin “vezë dhe pulë”, meqë jo unë, por pothuajse të gjithë linguistët botërorë më të shquar pajtohen me faktin që pikërisht shqipja ishte para latinishtes. Dhe është shqipja gjuha e vetme e cila pothuajse nuk ka pësuar fare ndryshime jo vetëm nga fillimi i gjuhëve indoeuropiane, por edhe më tej deri tek Nostrata. Së fundmi, pse disa autorë gjithsesi tentojnë që mua, gjegjësisht stafin e revistës “Iliria” ta lidhin me Stalinin, Enverin, komunizmin etj., është ende mister për mua. Unë, Skënder Kajoshaj, nuk kam qenë as nuk jam stalinist, apo enverist, apo komunist, etj. Unë, sikur baballarët dhe gjyshërit e mi jam nacionalist dhe do të jem përgjithmonë. Nëse ju pëlqen më shumë, mund t’ua zbërthej: jam djathtist ekstrem që komunizmin, socializmin dhe ideologjitë e poshtra të tjera universaliste i urren nga zemra. Për mua ekziston vetëm një e shenjtë: Shqipëria. Skënder Kajoshaj, USA
Krishtlindja, evenimenti ku takohen njerëzorja me hyjnoren Prej shekujsh është bërë traditë për mbarë botën kristiane e më gjerë që evenimentin hyjnor të Krishtlindjes ta presin e festojnë si asnjë datë tjetër. Festimi i Krishtlindjes fillon që natën e 24 dhjetorit, që njihet si nata e fundit e pritjes rreth 4000-vjeçare që lajmëroi ardhjen e Mesisë, apo më saktë, lajmëtarit dhe shpëtimtarit të botës njerëzore plot mëkate. Është pikërisht mbarimi i mesnatës së 24 dhjetorit dhe fillimi i 25 dhjetorit, kur vetë Zoti dha sinjalin se në Betlehem, nga trupi i Marisë së virgjër (sot Shenjtja Marie), lindi Mesia dhe emri i tij do të ishte Jezus, që do të thotë i dërguari i Zotit, me “mbiemër” Krisht, që do të thotë mëshirë për krijesat e Zotit. Lindja e Jezus Krishtit para 2005 viteve, jo vetëm ishte realizimi i profecive të kohës, por edhe lindja e shpresave për një jetë më dinjitoze e më afër jetës tokësore e hyjnore që vetë Krijuesi ua kishte dhuruar krijesave të tij, njerëzve, por që nga regjimet e kohës njerëzit më shumë bënin një jetë djalli se jetë njerëzore. Është kjo arsyeja që mbreti i kohës ndër hebrej, Herodi, kërkoi të vrasë të gjithë fëmijët e lindur meshkuj që ishin 0 deri në 2 vjeç, ku qëllimi kryesor i tij ishte vrasja e Mesisë së paralajmëruar, por që një gjë të tillë nuk arriti ta bëjë, pasi ky “fëmijë” me përmasa tokësore e hyjnore ishte i dërguari i Zotit që tashmë e ruante kudo… Sapo Jezus Krishti filloi të rritet në gjirin e nënës Marie dhe nën mbrojtjen e të gjithë atyre që e njohën për të dërguarin e Zotit, ky Mesi filloi predikimet dhe mrekulli që vërtetuan plotësisht se ishte shpëtimtari dhe ndërlidhësi me Zotin i mbarë njerëzimit. Predikimet hyjnore të kombinuara me vepra njerëzore, por që mund të realizoheshin me Frymën e Shenjtë, bënë që Jezus Krishti të ndiqet e besohet nga mbarë populli i thjeshtë i trevave të Palestinës e më gjerë, në tërë Perandorinë Romake. Vitet kalonin dhe predikimet e Krishtit për jetën tokësore e hyjnore, për moralin njerëzor, për shoqërinë e re që duhej të ndërtohej me themel, familjen e shenjtë filluan të mrekullojnë mbarë njerëzimin e mësuar me huqet dhe mjerimet e paganizmit, dhe predikuesve të tij të regjimit shtypës romak. Tashmë vetë Perandoria Romake dhe kasta e saj filluan të shqetësohen për predikimet dhe mrekullitë e Jezus Krishtit, që në themel kishin jetën e lirë e me të drejta të barabarta për të gjithë njëlloj, si krijesa të Zotit, qofshin këta të pasur apo të varfër, me pozita shtetërore e ushtarake apo punëtorë të thjeshtë. Pikërisht për këto, Perandoria Romake filloi përndjekjet e persekutimet ndaj Jezusit dhe ndjekësve të tij, ku kulmi arrin me kryqëzimin e tmerrshëm që i bëhet vetë Mesisë, i cili jo vetëm i duroi këto tortura, por predikoi atë moral faljeje që ka mbetur deri në ditët tona, e që thotë: “Fali Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!” Në të vërtet kështu ndodhi, pasi vetë Krishti i gozhduar në kryq dhe i varrosur, mbas tre ditëve u ringjall, duke dhënë sinjalin kuptimplotë se jeta është në duar të Zotit, e jo të atyre krijesave që të mashtruar nga djalli e pushteti e kujtojnë veten se janë mbi të gjithë… Predikimet dhe veprat hyjnore të Jezus Krishtit janë sot e do të jenë mot, busulla e pagabueshme për çdo krijesë të Zotit, që kërkon të qëndrojë e tillë si në jetën tokësore të përkohëshme, dhe në atë qiellore të pambarim. Nata e Krishtlindjes më 24 dhjetor dhe dita e bekuar më 25 dhjetor janë momente të shenjta, kur mbarë njerëzia lutet ndër kisha e institucione të tjera kristiane, lutet për Jezus Krishtin dhe veprën e tij e cila sot është themeli i qytetërimit e zhvillimit që e ndien, prek e jeton shumica e botës, duke përfshirë edhe atë pjesë që ka zgjedhur rrugë tjetër për t’u takuar me Krijuesin dhe mëshirën e tij… Sot, gjithë bota kristiane përkujton Krishtlindjen më 24 e 25 dhjetor, me përjashtim të dy kishave, asaj ruse dhe serbe, të cilat ende vazhdojnë ta festojnë me kalendarin e vjetër Julian e jo atë Gregorian, por që gjithsesi edhe këto dy kisha i falen Jezus Krishtit dhe doktrinës së tij jetëdhënëse… Natyrisht edhe ne shqiptarët festojmë e përkujtojmë Krishtlindjen më 24 e 25 dhjetor, si gjithë Europa perëndimore që i përkasim, madje ne kemi një arsye më shumë, pasi baticat e zbaticat e shekujve na bënë që shpesh të kemi një jetë të mundimshme si vetë Jezus Krishti, për doktrinën e të cilit kemi kontributin më të madh, por mjerisht shpërblimin më të vogël nga Kontinenti plak… Gjithsesi gëzuar dhe për shumë mot Krishtlindjen… Ndue Bacaj
Piktorja me përvojë 42-vjeçare Ditë më parë në holli e Teatrit “Migjeni” të qyetit tonë u organizua dhënia e titullit “Kolë Idromeno”, akorduar nga Këshilli Bashkiak piktores së talentuar Nineta Verbica, e cila me këtë rast hapi edhe ekspozitën vetjake me punimet e saj të kohëve të fundit, me rastin e 60-vjetorit të lindjes. Nxënëse e piktorit të madh Simon Rrota, piktorja Nineta Verbica që në rininë e saj të hershme ka shfaqur talentin e vet në këtë fushë dhe që nga viti 1962 e në vazhdim ka qenë aktive si pjesëmarrëse e denjë në ekspozitat e shumta të arteve figurative, duke lëvruar kryesisht portretin e peizazhin. Veçanërisht mbas viteve ’90 ajo ka pësuar një hop cilësor në nivelin artistik të punimeve të saj dhe ka arritur suksese të mëtejshme, shprehur në ekspozitat e shumta vetjake që ka hapur në Tiranë e Shkodër, si dhe në Itali e në Mal të Zi. Në ekspozitën që u hap sot duket qartë se Nineta Vërbica në çdo tabllo paraqet shembullin e vërtet të piktores së talentuar dhe me vizion të qartë. Ekspozita vetjake e piktores Nineta Verbica është në fokusin e ngjarjeve kulturore të qytetit të Shkodrës si një vazhdimësi e njohur në fushën e artit. Në pikturat e Nineta Verbicës zotërojnë kryesisht peizazhi me tone të ngrohta e koloristike, duke mishëruar emocione të forta krijuese, impresionet e para e të shpejta nga jeta e përditshme, që paraqesin nuancat, romantikën, nektarin dhe ngjyrat më të ngrohta të natyrës sonë. Punimet e saj të shumta i përshkojnë ngjyrat e ngrohta e joshëse të natyrës shkodrane, të duket se në to ndjen aromën e këndshme të luleve, freskinë e drandofilles, finesën e zambakut apo kaltërsinë e dallgëzimin e ujërave të liqenit, gërshetuar edhe me bukurinë e rrallë të natyrës së bjeshkve tona. Në mënyrë të veçantë u pëlqyen pikturat “Ëndërrime”, “Vallja”, “Shkëmbinjtë-Ulqin”, “Fund deti”, “Portret i Inës”, “Furtunë në bjeshkë” etj. Në këtë ekspozitë shihet qartë se Nineta Verbica është një piktore e talentuar, e kompletuar dhe serioze, me një bagazh të dukshëm artistik, me aftësitë e saj krijuese ajo ka ditur të krijojë larmi koloristike të pasur dhe mjaft të pëlqyeshme për masën e gjerë të admiruesve të këtij arti. Me rastin e përvjetorit të lindjes së piktores Nineta Verbica, shumë pjesëmarrës në këtë ceremoni si piktorët Nikolin Luci, Ikbal Kalaja, Pjerin Sheldia, Nirvana Bushati e të tjerë, vlerësuan nivelin e krijimtarisë së saj të gjerë dhe kontributin që ajo ka dhënë në zhvillimin e arteve figurative të qytetit tonë. Për të gjitha vlerat e piktores Nineta Verbica, Këshilli Bashkiak i Shkodrës me të drejtë i dha titullin e nderit “Kolë Idromeno”, i cili iu dorëzua nga përfaqësuesi i Këshillit Bashkiak, Filip Guraziu. Trioja Shllaku, Kaftalli e Mataj ekzekutoi pjesë nga repertori i tyre. Me këtë rast edhe gazeta “Shqipëria Etnike” i uron piktores së talentuar Nineta Verbica përvjetorin e lindjes, jetë të gjatë dhe krijimtari të pasur. Lekë Plani
Ti moj Shkodër je ma e mira Por si kopsht me drandofila Karajfilat bajn gajret Ti moj Shkodër je ma e mira Kerkund shoqen nuk ta gjejn
Se per mu je gja e shtrejt Por si drita e syve t’ballit N’zemer teme gjithmon ke ndejt Ti moj Shkodër si yll sabahit
Ti je lule qi del n’pranver Ti je lule qi del n’pranver Qi tan baçet i zbukuron Se ç’na knaqe plot me er Njikjo zemër fort të don
Ma e bukra je ndër lule Shoqen tande nuk e ke Për çdo nadje vij e ulem Gonxhes tande i marr erë
Ti moj lulja e drandofilit Qi kaq bukur ke lulzu Ban gajret qi karajfili Afër teje me qëndru
Flokt e tuja porsi ari Flokt e tuja porsi ari Qi m’shndrit moj bukuri Un me ty si t’ia baj hallit N’zemër teme ti ke hi
Kur më bjen moj rrugës teme Me at shtat mos si selvi Se ç’ma knaq moj njiket zemër M’ban derman qi t’kem në gji
Shum dashnin qi kam për ty Un s’po di me ta diftu Mos i paça të dy syt Përveç teje tjetër s’du
Vajz e bukur porsi zanë Vajz e bukur porsi zanë Ka shum kohë qi jam tuj t’dasht Mos më rri larg aman Un dashnin moj tu ta dhash
Pasha sytë e ballit, zemër Un gjithmon ty ta kam thanë Mos ma thirrshin ma ket emën Nuk të ndrroj me tanë dynjanë
Ti e sheh se sa të du Dit e natë për ty mendoj Ti je zemër e shpirt për mu Vajz e dashtun për ty jetoj
Mendo mir moj bukuri Zemra jeme asht tuj t’folë Se të du për nuse ty Un me ty do t’ve kunorë
Unë të du djalë pa ia da Unë të du djalë, pa ia da Veç për ty shpirt un mendoj Se me ty kam ra n’sevda S’bashkut jetën ta kalojmë
S’ka ma t’bukur se dashninë Dhe dy zemra i bashkon Eja djalë bashkë të rrimë Njikjo zemër fort të don
N’zemër teme ka xan vend Gja ma t’shtrejt për mu nuk ka Ti je yll që shndrit ket vend Sy e zemër t’i kam fal
Vajz e dashtun xhevahire Vajz e dashtun xhevahire Je e bukur për merak Un dashnin ta dhashë pa hile Hajde shpirt e t’rrim bashkë
U ban ditë qi s’të kam pa Mìka marrë malli bashkë të rrimë M’ka nis zemra për me m’kja Si t’ja baj as vetë s’e di
Ti s’je zog meu ndry n’kafaz T’lutem vajzë ti del njiher Pas dashnin qi kena pasë Del të tham moj si ke nje
Mos ke frikë moj bukuri As prej nanës as prej babës Se të çoj un nuse ty Bash te shpija e Bajram Dyl Agës
Për njat bukuri qi m’ke Për njat bukuri qi m’ke Ti moj lule, lulja e allit Gonxhet tuja kur i çel Me i marrë erë m’ka marrë malli
A mos je lule dimnore Apo lule qi del n’pranverë M’ka marrë malli me t’pasë në dorë E me u knaqë me t’kandshmen erë
Pra difto moj lulja jeme Se si ti nuk gjen në botë Ke xanë vend në zemrën teme Du t’kem afër përgjithmonë
Vjollca asht nji lule e parë Në muajin mars fillon pranvera Edhe ftofti vjen t’u largu Qelin lulet si përhera E gjithçka vjen t’u zbukuru
Vjollca asht nji lule e parë Çi del n’stinë t’pranverës Kjo asht lule shumë e rrallë Ma e dashtun ka kenë përherë
Pra m’ndigjo ti e dashura jeme Du me t’lanë nji amanet Ke me m’dalë ti n’njato vende Nji tufë vjollca me m’i gjetë
Ftyra jote bukuri Ftyra jote bukuri Qi kaq t’bukur ta ka ba nana Mos i paça dy syt e mi Prej dashnisë ket kangë e bana
Ti je lule shumë e rrallë Për mu je shum e shtrejtë Je dashnia jeme e parë S’të harroj mos kurrë n’ket jetë
Sy larushe porsi zanë Nuk po di si me fillu Po pys zemrën çka me t’thanë Zemra m’thotë se shumë të du Sy larushe porsi zanë
Kur ta ndij at za të ambël Qi më flet me përvujtni Zemra jeme fort përmallet Dhe më mbush me lumturi
Pash njat kangë qi këndon bilbili Pash njat kangë qi këndon bilbili Fort ket zemër po e gzon Ku të kam moj rrezja e diellit Zemra jeme fort të don
T’kisha krahë me fluturu E me ardhë si zog n’at vend Dojsha fort me t’përqafu E me shfry un mallin tem
Natë e ditë i lutem Zotit Mos me ndej i damë prej teje Se prej mallit pikon loti Fal me shndet tanve prej meje
Ku të kam moj lulja e verës Pash njatë t’bukren stinë pranveret Qi tanë jeten e gjallron Ku të kam moj lulja e verës Zemra jeme fort të don
Nëpër baçe e saksi Shtatin tand moj ti ke rritë Ke hapë gonxhet me shumë dashni Ti na mbyte me bukuri
N’zemër teme të kam rujtun Ku më je moj lule e bukur Që të rrita me përvujtni N’zemër teme të kam rujtun Prej dashnis qi kam për ty
Ti moj gonxhja e drandofilit Qi shpërthen n’t’bukren pranverë Ban gajret qi karajfili T’mos i vyshkin lulet mejherë
Po t’baj be moj lule e dashtun Kur t’na vijnë tjetra pranverë Un prej teje s’kam me u ndamun Bashkë do t’jena si përherë
Vinçens Gjergji Shënim: Të gjithë kompozitorët apo këngëtarët shqiptarë kudo në botë që janë të interesuar për këto këngë, të kontaktojnë me këta numra telefoni: 00393201729372 – 00355692666215, me autorin
Me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Gjon Kastriotit i mbiquajtur nga turqit Iskender në përkujtim të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë ose Iskender Zül Karneyn dhe nga kristianët “Atlet i Krishtit”.
Agron Luka Aleksandri i Madh “Biri i Zeusit” me përkrenare me “një bri cjapi të mrekullueshëm” në Shkodër!
Zbulimi arkivor surprizë i studiueses italiane Luçia Nadin. Zbulimi i Statuteve të Qytet Komunës Republikane të Shkodrës të shek XIV-XV dhe brenda tyre i një lloj testamenti me privilegje të Aleksandrit të Madh, akorduar disa popujve të gadishullit tonë “me gjuhë të përafërt”, na jep mundësinë të shprehim disa mendime. Bëhet fjalë për librin “Statuti di Scutari”, della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469, a cura di Lucia Nadin, giugno 2002, Roma. Këtë libër të plotë ka pasur mirësinë të ma dhurojë prof. Nadin, me të cilën patëm edhe rastin të njihemi personalisht dhe të bashkëbisedojmë gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Një material të pjesshëm ajo ma kishte dhuruar qysh më 1997. Besoj se këtu po plotësoj edhe një kërkesë të prof. Nadin, për një diskutim në interpretimet e ndryshme, rreth këtij zbulimi. Fillimisht do të ishte me interes që lexuesi të njihet konkretisht me këtë dokument, të cilin po e citojmë sipas përkthimit shqip: “PRIVILEGIUM ALEXANDRI MAGNI MACEDONIS EX GRECO ORIGINALI TRADUCTUM” Unë Aleksandri, bir i Filipit mbretit të Maqedonasve, mishërim i Monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, bir i Zeusit të madh, bashkbisedues i Brahmanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe i hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zot i botës prej ku lind dhe deri ku perëndon dielli, nga veriu në jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë, Liburnisë, dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qëndrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të të gjithë atyre që do të më ndjekin në sundimin e botës. Duke qenë se ju gjithmonë më jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap e u dorëzoj juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën prej Akuilonit e deri në skaj të Italisë së jugut. Askush tjetër veç jush, të mos guxojë të vendoset e të qëndrojë në ato vende, dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj. U shkrua në kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit, në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitarë të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe njëmbëdhjetë princë të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashigimtarë të mi dhe të të gjithë botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.
Aleksandri i Madh i Maqedonisë, në vitin 325 para lindjes së Krishtit, ose siç njihet ndryshe, viti 4874. Në lidhje me këtë dokument të cilësuar si apokrif, që është një kopjim me dorë i shek XV nga një tekst në latinisht, i cili pretendohet se ishte përkthyer nga një “ish origjinal greqisht”, konsideratat e para janë shprehur se kemi të bëjmë me një lloj fallsifikimi, të një kohe të papërcaktuar ende. Pa e përjashtuar këtë vlerësim, ne shprehemi se ka shumë mundësi që fallsifikimi, nqs se ka pasur një të tillë, zë fill qysh te dokumenti i parë greqisht. Na rezulton se kemi të bëjmë me një njohës ekspert të burimeve antike dhe ndërkaq nuk kemi as pse ta përjashtojmë me 100% siguri se formulimi nuk ka pasur ndonjë bazë reale. Nga formulimi i tekstit bindemi plotësisht se aty kemi një lloj akti testamentar kolektiv të kohës dhe tipit të natyrës skllavopronare dhe jo të një kohe feudale. Në ndihmë vjen edhe vërejtja se aty nuk ka asnjë lloj prezence e as pretendimi të sferës sllavojugore. Gjithsesi, këto “Privilegje” duhet të jenë shfrytëzuar për pjesën kohore kur i hynin në punë komunitetit e më pas Komunës Qytetare Republikane mesjetare të Shkodrës. Në këtë arsyetim, ndonjë premisë na çon sëpaku në një kronologji aty rreth shek XI. Kështu nuk mund të mohohet se, “Privilegjet dhe Testamenti”, kanë shërbyer si një lloj preambule e dëshmie për të treguar lashtësinë dhe ligjshmërinë e të drejtës së pronësisë autoktone etj. Qytetarët shkodranë mund ta kenë shfrytëzuar, për t’u mbrojtur, për të ruajtur e konfirmuar autonomitë e privilegjet e tyre, përballë okupatorëve sllavojugorë dhe përgjithsisht nga feudalët. “Privilegjet dhe Testamenti”, janë pasuar pastaj me të drejta dhe privilegje të reja qytetare, siç i gjejmë nga disa gjurmë të ish “Statuteve antike” para këtij Statuti mesjetar, të cilat janë përforcuar edhe me dekrete të akorduara nga perandorët bizantinë. “Privilegjet” dhe “Testamenti”, edhe sikur t’i marrim në minimumin e vlerës së tyre, na tregojnë se kemi një lloj dokumentimi për të hetuar vetëdijen e mbrendshme të atyre popullsive autoktone që e pretendonin trashigiminë e lavdishme të Filipit II dhe gruas së tij epirote Olimpisë, të Aleksandrit të Madh, Aleksandrit Mollos e Pirros së Epirit.
Krahasime të “Testamentit dhe Privilegjeve” me burimet e shkruara antike dhe mbi disa interpretime të kultit të njeriut perendi të Aleksandrit të Madh Për shkakun e ndërhyrjeve dhe ndryshimeve të mëdha të mëvonshme, nga pozitat e kohës moderne, nuk qe e mundur të evidentoheshin me siguri të plotë shkencore lidhjet fisnore, zakonore, etnografike, gjuhësore” etj, ndërmjet fiseve të afirmuara si ilire, epirote, albane, dardane, dalmate, liburne, maqedone, thrake, tribale etj, të cilët helenët të gjithë i konsideronin “si barbarë”, pra që nuk ishin inkuadruar në etnosin grek. Në plan të parë, nga teksti i Shkodrës, sigurisht na vjen ajo deklarata e kushrinisë farefisnore e gjuhës së njejtë dhe e një autoktonie të thellë gadishullore. Sipas mitologjisë së lashtë bazileusi Maqedoni ishte bir i Zeusit dhe Etrisë. Maqedoni u martua me një vajzë vendase dhe kështu i lindën dy fëmijë Pierja dhe Emathi, që tek Homeri, në “Iliada” na dalin si emëra toponime të dy krahinave të Maqedonisë. “Dhe Hera fluturim…kaloi mbi Pierje dhe u hodh mbi fushat pjellore t’Emathjes”. Homeri përmend edhe një nimfë detare me emrin Amathia. (Homeri, “ILIADA”, përkth. shqip Gj. Shllaku 1979, XIV, v.275-277; po aty shën. 7, f 485; po aty XVIII, v. 59) Një paraqitje interesante, bazuar në autorë më të hershëm, na jep Straboni: “Maqedonia kufizohet nga perëndimi me bregdetin e Adrias…dhe arrin në lindje deri në Thesalonik…Maqedonia më përpara quhej Emathia. Emrin e mori nga një udhëheqës i vjetër që quhej Maqedon. Ishte edhe qyteti me emrin Emathia, afër detit. Këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire…”. (Strabonis, “Geographica”, Frag. VII, 10,11 etj) Është shumë e qartë dhe llogjike se një pjesë nga kjo ish krahina homerike Emathia, ruhet me krahinën e sotme të Matit tonë, ku kemi edhe lumin omonim Mati dhe në grykë derdhjen e tij në buzë det edhe fushën Breg Matia (breg nga sllavishtia). Në brendësinë e kësaj krahine, sëpaku qysh nga konstatimi mesjetar, hyn edhe një mikrokrahinë e quajtur Maqellarë (me një ndërhyrje të sufiksit turk “llarë”). Mund ta supozojmë se në bregdetin e Adrias/Adriatikut, diku matanë Kepit të Rodonit, duhet të ketë qenë edhe qyteti, për të cilin nuk ka ndonjë lloj hetimi nga arkeologjia jonë. Vërejtja që bën Straboni për mbi një ndërthurje e kontestim të një zone adriatike, midis ilirëve dhe maqedonëve rezulton te disa autorë antikë. Sipas Pompe Trogut në shek I p.e.r. (në kompilimin e Justinit të shek II) dhe gjeografit K. Ptolemeu të shek II, edhe fisi i albanojve e qyteti Albanopolis, rradhiteshin midis fiseve e teritoreve maqedone etj. Ndonjë nga autorët antikë mendonte se Emathia ishte emri më i lashtë i Maqedonisë. (Shih në përmbledhjen “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, bot. shqip 1965, te Plini, NH, IV, 10; Justini, VII,1, 1; Claudio, V, 44 etj) Sipas sa shkruhet në dokumentin e cituar të Shkodrës, rezulton se popullsitë gadishullore ilirike, që përmenden shprehimisht dhe ato që nënkuptohen, ishin të lidhura me një unitet e interes reciprok me Aleksandrin e Madh. Do të ishte jo llogjike të mendohej, që perandoria e Aleksandrit të Madh me atë shtrirje gjigande të mos e kishte zotëruar bregdetin tonë Adriatik. Pra, shtrirja e maqedonëve si lider mbi gadidhullin tonë, nuk duhet parë thjeshtë tek pushtimet direkte maqedone, por si një aleancë mbarë gadishullore e më gjerë. Popullsitë ilire ishin kontribuese e bashkpjestare të atij pushtimit më të madh botëror dhe në një kohë rekord aq të shkurtë. Aleksandri pati rastin t’i njihte ilirët dhe gjuhën e tyre direkt dhe kjo tregon se ajo “afërsia e të njëjtës gjuhë” e tekstit të Shkodrës e ka një bazament, së paku llogjik. Aleksandri e konstatoi vetë, në betejat kundër ilirëve në vitin 335 p.e.r., se ishte pothuajse e pamundur që t’i nënështronte nën zgjedhë “ilirët kryelartë”. Në vitin 337 p.e.r. për t’u mbrojtur nga një zëmërim i Filipit, Olimpia iku në Epir, ndërsa vetë Aleksandri vajti te mbreti i Ilirisë. (Q. Curti Rufi, “Historiarum Alekxandri Magni Macedonis”, Supl. Lib. I, 11, cit, sipas “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965, f 185; Në këtë libër bazohemi edhe për citimet e tjera të autorëve antikë) Me mendimin në kokë të një fushate evropiane kundër Azisë, fillimisht kundër Persisë, Aleksandri nxitonte të formonte aleancën gadishullore evropiane dhe të mos linte vatra të rrezikshme “prapa shpine” dhe kështu dalngadalë: “tribalët, ilirët dhe fise të tjera të pavarura që jetonin buzë Istrit (Danubit A.L.) …të gjithë thanë se kishin ardhur të kërkonin miqësi me Aleksandrin; të gjithë ata lidhën me të miqësi”. (Flavii Arriani, “Alexandri Anabasis”, Lib. I, 1, 4.) Siç e shohim, pra e kemi edhe të shkruar në burimet antike atë shtrirje aleance dhe dhënie bese nga Epiri te Iliria e deri në Danub, për të cilën na bën fjalë teksti i Shkodrës. Dhe detyrimisht të gjitha do të këto kondicionoheshin edhe nga hiseja në privilegje tokësore, në pagesat me ar e argjend etj. Ja se si pasqyrohet kjo në betejën kundra Darit të Persisë: “Aleksandri vizitoi gjithë ushtrinë dhe popujve të ndryshëm iu drejtua me fjalë të ndryshme. Ilirët dhe thrakët i nxiti me pasuritë e mëdha të persëve…” (Justini, cit. Libri XI) Qysh në kohën e Filipit II, sa duket maqedonët e fuqizuar e zgjeruan prezencën e tyre, mbi hapësirën detare adriatike dhe kjo është arësyea, që athinasi oratori i famshëm Demosteni i shqetësuar jep alarmin: “Filipi po fortifikon qytete në Iliri.” (Demosthenis, “Orationes”, IV, 48) Në këtë linjë është llogjike edhe një vazhdimësi prezence ndërtimtare dhe fortifikuese nga Filipi, te Aleksandri i Madh. Këtu ne tentojmë ta fusim Shkodrën. Por, duhet të kemi parasysh edhe pohimin që kishte bërë para 500 vjetëve M. Barleti ku shprehej: “…tashti pra disa të huaj thonë se Shkodrën e paska themeluar Aleksandri i Madh, por ky pohim nuk duhet pranuar sepse Shkodra ka ekzistuar shumë kohë më përpara se të lindte Aleksandri i Madh, por edhe vetë turqit muhamendanë shkojnë me këtë mendim sepse qytetin e Shkodrës, në gjuhën e tyre e quajnë Skanderie/Iskenderie dhe ky emërtim sipas tyre, është i njejtë me emrin Aleksandrie…”. (M. Barleti, “Rrethimi i Shkodrës”) (vijon)
Ujqërit e politikës Të parët tanë, përveç shumë e shumë traditave të mira na lanë edhe shumë fjalë të urta popullore. Këto fjalë janë shumë të vjetra, me shekuj dhe me vite. Brezat e trashëguan njëri pas tjetrit deri në ditët e sotme. Këto fjalë popullore kanë një bazament të fortë dhe një domethënie kuptimplotë. Të parët tanë ndoshta i detyroi koha, jeta, vështirësia, lufta për t’i përdorur. Një ndër këto fjalë është ajo që thotë populli: “Ujku qimen e ndërron, por vesin s’e harron”. Kjo fjalë nuk lindi vetvetiu nga populli. Popullin ndoshta dikush e detyroi ta nxjerrë këtë fjalë të urtë. Patjetër në mes punës dhe jetës ka qenë pabesia, nëmes luftës dhe ndërtimit ka qenë tradhëtia e mashtrimi. Po kështu e shprehën ato… Pabesia dhe tradhëtia siç janë mbeten, me atë veprimtari por në fakt figuracionin e ndryshojnë sipas interesave të veta… Në pseudonimin “ujku” populli i ka treguar ashpërsinë, dëmin e madh që të sjell. Po ujku i maleve, ujku i pyjeve, ujku i territ. Ujku mishngrënës vërtet qimen e ndërron, por vesin s’e harron…, sepse vetëm don të mbijetojë në kurriz të bagëtive të buta. Ai i ka të gjitha negative. Ujkun nuk e detyroi koha, klima por mashtrimi, pabesia, ashpërsia dhe tradhëtia vetëm për të ngrënë mish… Mish deleje e qengji, lope dhe viçi… Herë përdor butësinë për mashtrimin e deleve…, i përçan ato dhe pastaj i sulmon dhe i shkatërron. Herë-herë përdor ashpërsinë, dhunën e forcën kështu ai mishin e ka të siguruar. Po ç’faj kanë delet e shkreta të cilat bëhen ushqim i domosdoshëm i ujqërve? Po ja që kështu ujqërit vërtet qimen e ndërrojnë, por vesin s’e harrojnë. Ato janë produkt i mashtrimit, pabesisë dhe tradhëtisë. Kurse sot, në vendin tonë, tingëllon e ashpër kjo fjalë e urtë popullore dhe që nuk duhet hedhur mënjanë si e pavlerë. Por vallë duke kujtuar këtë fjalë popullore që është e trashëguar nga brezat e mëparshëm në brezat e sotëm të viteve të qytetërimit po e provojmë vërtet ujqër njerëzor. Po, po, ju ndoshta do të çuditeni! Ato janë sot politikanët tanë që për 16 vjet të tranzicionit janë kthyer vërtet në ujqër të popullit. Këta ujqër ndër vitet e vështira dhe shumë të vuajtura të tranzicionit nuk po ndryshojnë asgjë tek populli por vetëm vjedhjen e tij… ata ndryshojnë vetëm politikën apo partinë ku militojnë… Vitet e demokracisë dhe të pluralizmit në Shqipëri populli i priti si zogu që pret pranverën, për një ndryshim rrënjësor nga e kaluara moniste, ku ujqit hanin njëri-tjetrin për karriket e veta dhe për të ngrënë në kurriz të popullit. Mirëpo në këto vite në politikën shqiptare hynë shumë ujqër të mirë dhe të këqinj. Por të gjithë ujqërit një ves kanë… Ujqërit politikanë Shqipërinë po e bëjnë si xhunglat e Afrikës duke e shfrytëzuar vetëm në interes të vet dhe jo të popullit, por vetëm në kurriz të tyre. Politikanët tanë vërtet janë ujqër të popullit shqiptar sepse veç mendojnë për veten dhe jo për popullin. Ata sot kurrë nuk e hanë njëri-tjetrin, por vetëm hanë në kurriz të popullit dhe po e përçajnë atë duke shfrytëzuar nëpërmjet mashtrimeve të pabesisë dhe tradhëtisë kombëtare. Ujqërit e sotëm politikanë dogjën dhe shkatërruan Shqipërinë tre herë, vodhën popullin nëpërmjet firmave piramidale, shkatërruan shtetin dhe ndërtimet 50-vjeçare që monizmi i ndërtoi me punën, mundin dhe djesën e popullit… Premtimet elektorale të tyre deri tani janë vetëm mashtrim sepse 10% e tyre zbatohen. Kështu, politikanët e sotëm me sa duket janë të një kazani dhe të gjithë hanë nga e njëjta gjellë e këtij kazani ku vetë pasurohen në kurriz të varfërimit të popullit. Populli vuan, merr bukën dhe ushqimet me listë, ku vazhdon papunësia, krimi, kontrabanda, korrupsioni, kur nuk ka rrugë dhe drita… në një kohë që liqenet janë të stërmbushur me ujë dhe kufizimet e energjisë elektrike vazhdojnë, ujqërit politikanë sa për sy dhe faqe debatojnë në ekranet televizive me njëri-tjetrin por ato çdo gjë e bëjnë vetëm për të mashtruar popullin dhe për të mbushur thasët e tyre me lekë… Arrijnë deri aty sa mundohen të përçajnë popullin në Gegë dhe Toskë, në Veri e në Jug, në të djathtë e në të majtë, në ngjyrë blu e në ngjyrë rozë, ku populli po e ndjen fort peshën e rëndë mbi kurriz, të këtyre politikanëve ujqër… këtyre politikanëve të pabesë aq dhe tradhëtarë të popullit dhe të kombit tonë të nderuar… Ku edhe sot vesin nuk po e harrojnë ndërsa politikën e tyre e ndryshojnë sipas interesave të veta. Vërtet politikanët e sotëm nuk kanë asnjë dallim me ujqërit sepse politika në Shqipëri është biznesi më i fortë dhe në krye të tij qëndrojnë politikanët ujqër shumë të fuqishëm. Makina dhe vila luksoze brenda dhe jashtë vendit… ndërsa populli i stërvuajtur. Roje dhe badigarda pas vetes. Politikanët tanë as s’ japin llogari as nuk dënohen për gabimet e tyre dhe as nuk vriten kur në një kohë populli i ka drejtuar sytë tek Europa, tek emigrantët tanë. Politikanët tanë vetëm me mashtrime po majmen si ujqërit… Sa mbushin thasët me para të majtët, pushtetin e marrin të djathtët. Kështu këta politikanë nuk kanë asnjë dallim me ujqërit sepse partitë i ndërrojnë por vesin nuk e harrojnë…, ç’të presim prej tyre kur në politikë kemi një tufë të madhe me ujqër, kur në Shqipëri kemi mbi 60 parti… Rrok Lazri
Administrata e majtë nën mëshirën e pushtetit të djathtë Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike dhe forcave të koalicionit, u mendua shumë vështirë zëvendësimi i administratës socialiste me atë që kërkonte fitorja e 3 korrikut 2005. Kjo për arsyen ligjore se Parlamenti i vitit 1997, pasi kishte larguar gjithë administratën demokrate, në vitin 1999 kishte miratuar statusin e nëpunësit civil, me Dekret nr.8549, datë 11.11.1999. Duke qenë se fitorja e socialistëve u mendua e gjatë, ata bënë një status të cilin thuajse nuk e zbatuan kurrë, pasi u duhej të punësojnë militantët e tyre në shumicë edhe pse nuk plotësonin kërkesat minimale të nëpunësit civil. Gjithsesi, për të vërtetuar këtë mjafton të ballafaqohet dokumentacioni i administratës me kërkesat e statusit të nëpunësit civil dhe pas kësaj do të konstatohet lehtë se ky status në përgjithësi është shpërfillur. Së pari, neni 13, pika 1, thotë që pranimi në shërbimin civil kryhet nëpërmjet konkurimit të hapur. Në fakt kjo nuk ka ndodhur thuajse në asnjë pjesë të administratës që trashëgojmë, gjë që u jep të drejtën drejtuesve të rinj demokratë e të koalicionit të zbatojnë statusin e nëpunësit civil të miratuar nga socialistët. Gjithashtu, pas konkurimit duhej që çdo nëpunës të kishte kontratën me punëdhënësin e cila thuajse nuk ekziston. Është interesant të thuhet se në bazë të Statusit, neni 13, pika 5c, “Eprori, direkt nën varësinë e të cilit nëpunësi do të punojë, zgjedh një nga tre kandidatët”… Kjo do të thotë se drejtuesi i institucionit që organizon konkurimin mund të zgjedhë cilin të dojë ai, pavarësisht se cilin vend ka zënë kandidati për nëpunës, duke bërë kështu që gjithçka të mbetet në dorë të drejtuesit… gjë e cila në kohën e qeverisjes socialiste ndihmoi drejtuesit socialistë për të përkrahur militantët e majtë e shmangur të djathtët që i “besuan” statusit… Tashmë që gjithçka ka filluar të sqarohet, statusi i nëpunësit civil lejon pa mëdyshje drejtuesit e rinj të institucioneve demokratike për të riorganizuar administratat e tyre, ndërsa administrata socialiste aktualisht është e zbuluar plotësisht nga ky status, që deri sot kujtohej si ligji çudibërës që mbronte administratën e majtë nga organizimi i asaj të djathtë… Gjithsesi, duke parë këtë dhe çudira të tjera të statusit të nëpunësit civil, mund të thuhet me plot gojën se administrata e majtë është lënë nga partia e tyre në mëshirën e pushtetit të djathtë… Sidoqoftë, shqiptarët presin administratën që do t’i ulë në sofrën e Europës Perëndimore. Ndue Bacaj
Kujdes nga “erozioni”… Krijuesi i gjithësisë çdo gjë e ka vendosur në vendin e vet, dhe çdo gjë funksionon sipas ligjeve të tij. Janë pikërisht njerëzit të cilët e prishin këtë ekuivalencë. Shikoni sa na ka kushtuar dëmtimi dhe prerja pa kriter e pyjeve, ata, përveç dëmtimit ekologjik, kanë shkaktuar shembjen e tokës, fryrjen e lumenjve dhe mbytjen e tokave, duke dëmtuar prodhimet bujqësore, duke shkatërruar shtëpitë, madje kanë shkaktuar edhe viktima. Por duhet pranuar se ky erozion i cili shkuli rrënjët e lisave është gjysma e së keqes. Erozioni më i rrezikshëm është ai që po na shkul rrënjët e nacionalitetit dhe për këtë soj “erozioni” përgjegjësia bie mbi politikanët dhe më shumë se këta, përgjegjësi mban Akademia e Shkencave, e cila po fle në gjumin “letargjik” dhe nuk e dimë se kur do të zgjohet! Demokracia nuk duhet të “liçensojë” antihistorinë për hir të politikës së çastit. Shqipëria (nëse mund ta krahasojmë me një lis) është një lis me rrënjë, madje me rrënjë shumë të thella, ndaj këto rrënjë duhen ruajtur, sepse po u thanë rrënjët, lisi do të rrëzohet dhe nëse koj do të ndodhë, të parët do ta pësojnë ata që janë në “majën” e lisit, pastaj ata që janë nën lis… Jam ndjerë thellësisht i befasuar kur kan pushuar nga puna drejtorin e Muzeut Kombëtar, z.Moikom Zeqo! Pse? Unë nuk kam qenë ndonjëherë komunist apo socialist, madje as nuk kam qenë as nuk do të jem ndonjëherë fashist, por nëse njerëzit do t’i paragjykojmë nga ndjesitë e tyre politike, nuk bëjmë asgjë tjetër veçse përsërisim luftën famëkeqe të klasave, d.m.th. do të vazhdojmë të sjellim “kostumin” nga njëra anë në tjetrën. Zotin Zeqo nuk e njoh nga afër, unë si studiues njoh punën e tij plot vlerë dhe me sa konstatoj sot (për fat të keq) predominon antivlera. Jam i mendimit se militantët e çdo force politike mund të stimulohen me çdo mjet por në asnjë mënyrë me drejtimin e institucioneve shkencore. Z.Moikom Zeqo ishte një “bahçevan” që diti aq mirë t’i vadisë “lulet” dhe i ruajti kaq mirë “rrënjët”… E kisha parashikuar se të njëjtin “fat” do të pësonte dhe z.Aurel Plasari. Ky historian, studiues dhe publicist klasi, ka dhënë një kontribut të admirueshëm dhe që i shërben demokracisë së vërtetë. Unë nuk bëj politikën e kuadrit, dhe jam plotësisht dakord me qeverinë në shkurtimin e organikave, por në asnjë mënyrë kur ato dëmtojnë cilësinë. Jam i mendimit se qeveria aktuale, duke thjeshtuar administratën ka bërë veprimin më të mirë duke larguar të paaftët, të korruptuarit dhe dembelët. Por, gjithnjë në vazhdën e kësaj reforme duhet të jetë shumë e ndjeshme në ruajtjen e kualiteteve, sepse populli është ai që do të përballet me zyrtarët dhe pa dyshim ai do të dijë të gjykojë. Edhe zyrtarët janë pjesë e rrënjëve të shtetit dhe të qeverisë, ato e mbajnë shtetin ndaj dhe përzgjedhja e tyre duhet parë duke patur parasysh tri kritere bazë: aftësi, ndershmëri, guxim. Nëse ky kriter do të zbatohet, vetëm atëherë do të kemi qeveri dhe shtet të vërtetë demokratik. Kujdes nga “erozioni”! Nuk e kam ndërmend të bëhem “avokat” i Zeqos apo Plasarit, por jam i bindur se edhe vetë Ministri i Kulturës është koshient se ka larguar nga detyra dy shkencëtarët më produktivë që me shumë korrektësi i kanë shërbyer atdheut. Asnjëherë nuk ka qenë më efiçente arkeologjia shqiptare se sa gjatë viteve të fundit. Asnjëherë nuk janë realizuar gërmime dhe nuk janë zbuluar monumente kulture se sa në vitet e fundit. Të gjitha këto kanë shkuar në Muzeun Kombëtar, ku zoti Zeqo i ka reklamuar dhe komentuar me pasionin e shkencëtarit. Pa dyshim çdo zbulim monumenti është zbulim i një “arterie” të rrënjëve të nacionalitetit. Atëherë përse nuk duhet t’i vlerësojmë dhe stimulojmë këta “zbulues” dhe interpretët e tyre?! A nuk është ky një erozion?… Jam i mendimit se Akademia e Shkencave duhet ta thojë fjalën e saj dhe të mos heshtë kur ndëshkohen njerëzit e shkencës. Nëse ajo u tregua “memece” kur “doktoruan” antihistorianin, që na e bëri Gjergj Kastriotin “hajdut” kuajsh e “bukëshkalë” të sulltanit, sot nuk ka arsye të heshtë në mbrojtjen morale të Moikom Zeqos dhe Aurel Plasarit. Nuk e di nëse kjo akademi është apo nuk është e pavarur, por edhe nëse është e varur duhet ta marrë guximin dhe ta këpusë “varësen” me gjithë “gozhdë”… Mark Bregu
GJITHMONE BASHKE Askush nuk do te mund te preke, te demtoje,apo te marre neper kembe nje nder themelet e vete jetes se Shkodraneve, tolerancen, bashkepunimin,bashkejetesen e komuniteteve te ndryshme ne Shkoder,qofshin individe te ndryshem pa stabilitet,ekstremiste i llojeve te ndryshme,aventurier,apo individe persona te ndryshem te vene ne sherbim te kujdo brenda apo jashte vendi sepse toleranca,bashkepunimi,bashkejetesa,respekti kane qene e do te mbesin nje nga traditat me te cmuara qe na kane lene trashigim te paret me mbeshtetje te gjere mbare shkodrane.Ne diten e shenuar te Kurban Bajramit,me dt 10 .01.2006 ne qytetin e Shkodres erdhi per te nderuar dhe festuar kete dite te shenjte te myslimaneve presidenti i Shqiperise Z.Alfred Moisiu.I shoqeruar nga drejtuesit kryesore te pushtetit vendore,ai beri nje vizite ne myftinine e Shkodres,ku u takua me drejtuesit kryesore te saj.Biseda qe mjaft konstruktive dhe e dobishme.Myftiu i Shkodres Z.Bashkim Bajraktari, pasi falenderoi Z. President per viziten ,e njofti ate shkurtimisht me kontributin e myftinise dhe rolin e saj per forcimin e metejshem te marredhenieve nderkomuniteteve ,per bashkepunimin pozitiv ne mes te tyre, kerkoi qe shteti te riktheje pronat te gjithe komuniteteve,qe shteti me ligje te rregudhoje marredheniet e komuniteteve me shtetin e me gjere,qe cdo levizje pozitive me karakter fetar apo te ndryshme te kene mirekuptimin mes komuniteteve.Ai i shprehu presidentit te Republikes vendosmerine e Myftynise se Shkodres ,per te perfaqesuar me dinjitet besimtaret mysliman,per te rritur edhe me shume bashkepunimin konkret me drejtues te komuniteteve te ndryshme fetare.Ne fund ai ftoi verbalisht presidentin e Republikes Z. Moisiu per te marrur pjese ,pas pak muajsh,ne inagurimin e xhamise se Parruces ne qender te qytetit.Presidenti mirepriti dhe mbeshteti mendimet e shprehura nga Myftiu i Shkodres Z. Bashkim Bajraktari,pasqyroi traditen shekullore te bashkepunimit fetar,domosdoshmerine e perfeksionimit te metejshem te ketij bashkepunimi ,shprehu gadishmerine e shtetit per te mbeshtetur komunitetet fetare ne kerkesat e tyre dhe premtoi pjesmarrjen e tij ne diten e inagurimit te xhamise se Parruces.Ky takim i kendshem dhe pozitiv ,befas u zbeh pak pas disa oresh kur ne mediat lokale vizive,informuan se kryqi i vendosur ne majen e nje kodre ne komunen e Bushatit ishte prere e rrezuar nga njerez te panjohur.Nje veprim i tille ka indinjuar te gjithe shkodranet,pavaresisht nga perkatesia fetare.Shkodra ka nje tradite te mrekullueshme,ashtu si gjithe shqiptaret,te tolerances,te mirekuptimit,te bashkepunimit,te bashkejeteses,ku me dhjetra e qindra te ri e te reja shkodrane,martohen me njeri –tjetrin duke krijuar familje serioze,te shendeteshme,baze qytetarie.Ne historine e Shkodres flitet se Karahmamut Pasha ,qe mposhti turqit ne rrethimin e Shkodres ,ne bazen e ushtrise se tij,elita e tij ushtarake ishin qytetaret shkodrane dhe malesoret e besimit katolik.Me 1913 ,me muaj te tere muslimane,katolike,ortodokse luftuan sebashku per mbojtjen e Shkodres,u plagosen se bashku,u vrane sebashku,u varrosen sebashku dhe u nderuan e nderohen sebashku.Shkodranet qene ato,familjet me te mira te Shkodres,perfaqesuesit me te mire te tyre ,myslimane e katolike u burgosen, u interrnuan, u pushkatuan nga diktatura komuniste,shpesh te lidhur se bashku me hekura myslimane dhe prifte,hoxhallare dhe katolike,shpesh u varrosen ne gropa te perbashketa.Ish te burgoserit politik tregojne raste te shumta se edhe ne ato kushte shkodranet ndane gjithcka bashke,deri edhe ritet fetare i benin te perbashketa,ashtu sic ishin te lidhur nga diktatura komuniste.Ne ditet e para te levizjes demokratike 90-91 jane shkodranet ,te tre komuniteteve fetare,te cilet ju bashkuan thirrjes popullore per hapjen e kishave dhe xhamiave,morren pjese ne demostratat e fuqishme 13 Dhjetori, 2 Pridhi,u burgosem se bashku,u vrame se bashku nga diktatura komuniste por qendruam dhe fituam.Viti 1997 shpalosi me se miri tere vlerat morale pozitive te shkodraneve perbadhe kryengritjes te armatosur komuniste.Jane djalmoshat shkodrane, me te vendosurit nga lagjet Kiras,Dergut,Sarreq,Xhabie,Arra e Madhe,etj etj ,te cilet mbrojten qytetin ,mbrojten institucionet fetare,duke fjetur ose bere roje sebashku,myslimane e katolike prane xhamiave dhe kishave per te mos te lejuar provokator te ndryshem ,brenda dhe jashte vendi te krijonin konflikte artificiale.Nje kontribut te cmuar ne kete drejtim ,kane dhene ne ato vite te veshtira drejtuesit e komuniteteve fetare.Ato i shihje cdo dite ku ishte situata me e veshtire,ne mes te njerezve,prane pushtetit vendore,ne konferenca shtypi,ne predikime fetare duke folur me nje fjale,me nje gjuhe,me nje mendim,me nje deshire,me nje besim ne Zotin e njeriun, per te mbrojtur Shkodren, per te ruajtur si gjene me te shenjte tolerancen,mirekuptipin,bashkepunimin,bashkejetesen, vete jeten tone.Deshmi e ketij fakti eshte respekti i madh dhe i padiskutueshem qe ato kane tek shkodranet,titulli Qytetar Nderi dhene nga Bashkia e Shkodres drejtuesve kryesore te tre komuniteteve fetare.Shkodranet kujtojne sesi gjate fushates elektorale te 3 Korrikut qindra e mijra shkodrane votuan per kanditatet e PD pavaresisht nga perkatesia fetare, sepse ato shihnin tek kanditatet e PD-se figurat me te mira kandituese.Qindra e mijra qytetare myslimane te Shkodres votuan per Znj.Jozefina Topalli,per vlerat e saja te padiskutueshme pozitive,per Z.Astrit Bushati u votuan ne masa plebishitare qindra e mijra votues katolik sepse tek ai shikonin vlerat e qytetarise shkodrane.Por ndodhi me 10 .01.2006 dikush apo disa sharruan kryqin e vendosur ne kodren e Bushatit.Shkodranet mbajne mend se nga viti 1915-1916 ,ne lagjen Rus, ne xhamine e saj, e banuar teresisht nga myslimane dikush kishte bere me gjak, ne dere te kesaj xhamie ,kryqin ,simbol i katolikeve.Shkodranet e atyre viteve me tolerance ,me zgjuarsi,me durim arriten te zbulonin se kryqi ishte bere nga nje person i paguar dhe i futur nga axhent te huaj dhe qyteti vazhdoi te jetonte,te bashkepunonte,bashke dhe vetem bashke.Ne kete situate eshte e domosdoshme qe gjerat te shikohen realisht,me objektivizem,me deshiren e mire qe gjerat te vazhdojne si me pare qete e ne paqe.Qeveria duhet te tregohet aktive ,e kujdesshme, e matur,transparente,per te qene permes ligjeve,nje kordinatore e mire e pranueshme nga te gjithe.Qeveria duhet te beje cmos qe te arrestoje demtuesit e kryqit ,ti vendose para drejtesise dhe te kerkoje me kembengulje per te gjetur motivet e nje veprimi te papranueshem dhe kush fshihet pas tyre.Komunitetet fetare ,drejtuesit e tyre duhet ta kene te qarte rendesine e madhe te detyres se tyre,se Zoti eshte i drejte ,i paanshem ,sheh gjithcka dhe askush nuk mund tia hedh Atij.Ata duhet te kene parasysh pergjegjesine e madhe qe kane jo vetem para komunitetit fetar qe perfaqesojne,por mbi te gjitha para Zotit.Ato kane dhene prova,me mbeshtetje mbare shkodrane ,se jane te afte,se kane deshiren e madhe ti sherbejne Zotit, njeriut, te mires, te drejtes.Cdo levizje ,natyrisht pozitive ,por edhe cdo lloji tjeter qe mund te behet nuk duhet te jete e njeanshme,por gjitheperfshirese,bashke dhe vetem bashke,sepse eshte tradita qe ua kerkon nje gje te tille,eshte Shkodra qe e don nje gje te tille.Ato do te mbledhen si gjithmone sebashku, dhe do te dijne te udheheqin drejt,ne rrugen e Zotit besimtaret e tyre.Dhe dita e se nesermes zbardhi si ditet e tjera ne qytetin e Shkodres.Banoret kane filluar te mbushin perseri rruget gjate krimtimit te festes se Kurban Bajramit.Ato shikojne parudhat e shumta te shkruara nga militantet komuniste “Duam Drita”,ne faqe te mureve, vazhdojne te qeshin ,te bejne humor me to,te tallen,ndonje qytetar shkon edhe me larg “…Perseri keto, qe nuk njohin cfare eshte turpi” “Kemi pasur 4 deri ne 10 ore energji kur qeverisnin socialistet e sot gjerat po shkojne drejt permiresimit etj “ Rruges sheh me dhjetra e dhjetra qytetare te besimeve te ndryshme qe iu urojne myslimaneve festen e Kurban Bajramit.Para institucioneve shteterore,lokaleve jane me dhjetra e qindra ,me shume se here te tjera ,qe presin te takohen me shoke te besimit mysliman per tu uruar festen.Me dhjetra e qindra te tjere vazhdojne te drejtohen drejt shtepive te shokeve e miqve te tyre myslimane per tu uruar festen.Dhe puna vazhdon, ashtu si gjithmone ,ne shekuj ,te gjithe bashke myslimane, katolioke,ortodoks ne zyra shteterore,ne lokale,ne biznese,ne sport,ne aktivitetet e bukura kulturore shkodrane, ne qerdhe e shkolla bashke ,kudo bashke ,gjithmone bashke. Shyqyri Selhani |