Shkruan Zef Bushati
Po shpreh një mendim i nxitur nga ndonjë dashakeqas që nxit opinionin. Jo. SHBA i sheh Shqipërinë dhe Kosovën si Shtete me shumicë myslimane në popullsi, ku ka edhe komunitete të krishtera, por me orientim Laik, Kushtetues dhe Euro-Atlantik. Shqipëria është Republikë Laike sipas Kushtetutës.
Ajo është Anëtare e NATO- s dhe Kandidate potenciale për BE. Edhe Kosova është shtet laik sipas Kushtetutës së saj. Kjo përcaktohet qartë në Kushtetutën e Kosovës, ku theksohet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Nuk ka fe zyrtare. Garantohet liria e besimit dhe barazia e komuniteteve fetare. Kosova është partnere strategjike e Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Kosova punon që të antarësohet në NATO dhe BE. Në dokumentet strategjike amerikane, Shqiperia dhe Kosova klasifikohen si “Western Balkans Democracies”, “Strong pro-US partners”. Jo si “Islamic states”. SHBA përdor termin “Islamic state” zakonisht për vende ku Islami është fe shtetërore (p.sh. Arabia Saudite, Irani), gjë që nuk është rasti i Shqipërisë apo Kosovës. A ka interes SHBA t’i paraqesë si shtete islamike ? Jo, përkundrazi. Interesi strategjik Amerikan ka qenë historikisht që të tregojë se ekziston një model i harmonisë ndërfetare në një vend me shumicë myslimane. Shqipëria dhe Kosova shpesh janë përmendur si shembull i tolerancës fetare.
Kjo e ndihmon SHBA-në të argumentojë se Ballkani nuk është terren radikalizimi, por stabiliteti. A i “caktoi” Presidenti Trump Shqipërinë dhe Kosovën për të dërguar trupa ushtarake dhe policore në Gaza.? Nuk e di nëse ka ndonjë vendim formal por në takimin e Bordit të Paqes u përmend Shqipëria dhe Kosova si shtete aleate që do të marrin pjesë në dislokimin e trupave në Gaza. Nëse flitet për Koalicione Paqeruajtëse, Forca Ndërkombëtare Policore, Misione stabilizimi nën OKB ose NATO, atëherë pjesëmarrja e Shqipërisë bëhet zakonisht si anëtare e NATO-s, Kosova si Antare e Bordit e jo mbi bazë fetare.
Shqipëria ka marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Bosnje, etj., jo sepse është “shtet islamik”, por sepse është aleate e Antare e NATO-s. Atëherë pse nganjëherë përmenden Shqipëria dhe Kosova në kontekste islamike ? Sepse kanë shumicë popullsie myslimane, Janë vende pro-amerikane, nuk kanë konflikt historik me Izraelin apo botën arabe. Kjo i bën më “politikisht të pranueshme” në disa konfigurime diplomatike në Lindjen e Mesme por jo për shkak të identitetit fetar shtetëror. Pra le të binden edhe të pabindurit, SHBA, nuk i konsideron Shqipërinë dhe Kosovën shtete islamike por i konsideron aleate laike pro-perëndimore.








