Shkruan Milaim Krasniqi
Konflikti ndërmjet Albin Kurtit e Edi Ramës, shkon shumë përtej profileve të tyre psikologjike dhe madje shumë përtej ngjarjeve të fundit. Ky konflikt në instancë të fundit ka të bëjë me krizën e thellë të qëndrimit ndaj kombit shqiptar, veçmas në Kosovë. Qëndrimi ndaj kombit shqiptar në Kosovë ka hyrë në një proces halucinant çrregullimi e deformimi. Përveç në përvjetorë për të vdekurit, në raste të tjera pothuajse kurrë nuk mund ta dëgjosh të përdoret sintagma kombi shqiptar, as nga politikanët, as nga akademikët, as nga opinionistët, as nga klerikët në Kosovë. Sintagma kombi shqiptar është futur nën embargo.
Në këtë rast shihen edhe pasojat e presionit fillestar neokolonialist, me të cilin aspirohej që deshqiptarizimi të përdorej për pajtim me serbët. Nga prezenca ndërkombëtare mendohej se duke krijuar një shoqëri multietnike, pa ngarkesa nacionale, mund të arihej më lehtë pajtimi. Por ndodhi që deshqiptarizimi u arritë në një masë të madhe, por jo edhe pajtimi. Vendin bosh të shqiptarizmit, e zuri stalinizmi shqiptar. Kësisoj, Kosova krahas deshqiptarizimit, u ristalinizua. Ndërsa, stalinizmi shqiptar e ka rritë konfliktualitetin edhe me serbët dhe me të jgithë të tjerët që ka përballë.
Duke mos e pasur asnjë idi se çka të bëjnë me veten e tyre në realitetet e reja jetësore, shqiptarët e Kosovës, të dominuar nga ideologjia dhe praktika staliniste, tashmë janë shumë nevrikë, nevrastenikë dhe paranojakë. Nuk e durojnë asnjë fjalë, asnjë këshillë, asnjë vërejtje. Madje as nga Bill Klintoni, çlirimtari i madh i Kosovës. Lëre pastaj ta durojnë ndonjë fjalë a veprim nga Edi Rama. Tashmë sulmet edhe ndaj Bashkimit Evropian janë sublimuar në shprehjen e famshme maoiste të Donika Gërvallës se Bashkimi Evropian na qenka tigër prej letre. (Jam i bindur se as lideri kinez e as rus nuk e kanë këtë mendim për Bashkimin Evropian.)
Natyrisht këtë riindoktrinim stalinist e ka ideuar dhe pompuar në mënyrë absolute personalisht Albin Kurti dhe “Lëvizja Vetëvendosje!”Fillimisht LVV e ka konsideruar prezencën ndërkombëtare në Kosovë si armiqësore. Mandej si armiqësorë i ka shikuar e trajtuar të gjithë kundërshtarët politikë në skenën politike të Kosovës. Meqë pas zgjedhjeve të vitit 2021, Kosova ka mbetur pa opozitë reale, sepse elektorati i dha Kurtit dhe LVV pushtet absolut, mujsharia staliniste albiniane tashmë ka filluar që edhe Shqipërinë ta trajtojë si armiqësore, sepse stalinizmi pa armiq nuk funksionon. Bile marrëzia antiShqpëri ka mbërritur deri në atë pikë sa deputet të LVV, të kërkonin që shqiptarët e Kosovës ta bojkotonin bregdetin shqiptar. Me një fjalë u ka humbur tërësisht orientimi në kohë e në hapësirë.
Ky version i ri i stalinizmit, albistalinizëm, duke u konfrontuar me komunitetin euro-atlantik, me Shqipërinë dhe me opozitën, në thelb është bërë tërësisht antikombëtar. Pse? Sepse shqiptarizmi, si edhe atlantizmi, po u paraqitet si pengesë në synimin e instalimit të regjimit të terrorit, atij terrori që e patën eksperimentuar në kohën sa ishin në opozitë. Prandaj edhe sulmet ndaj Edi Ramës në fakt janë sulme për t’u distancuar atlantizmi dhe nga shqiptarizmi, që mishërohen me Shqipërinë. Kjo fare nuk do të thotë se Edi Rama domosdoshmërisht përfaqëson shqiptarizmin. Stalinistëve të LVV u mjafton fakti që ai përfaqëson atlantizmin, për ta shikuar si tepër armiqësor. Pra, Edi Rama po përdoret vetëm si tabelë qitjeje, për ta vrarë përtej tij shqiptarizmin dhe atlantizmin, jo pse mban çorape të kuqe.
Nëse vazhdon kjo çoroditje dhe nëse bëhet triumfuese, në Kosovë mund të ketë këto versione të çrregullimit antishqiptar: 1. Armiqësia ndaj Shqipërisë do ta zëvendësojë armiqësinë ekzistuese ndaj Serbisë, ashtu që armiqësia ndaj Shqipërisë do të bëhet virulente, active, ndërsa armiqësia ndaj Serbisë do të mbetet indolente, pasive. 2. Gjeneratat e reja në Kosovë mund të bëhen antishqitarë siç janë bërë maqedonasit ndaj bullgarizmit. 3. Mund të eksperimentohet që të formohet një komb tjetër, jo domosdoshmërisht kosovar, por një komb ideologjik, si koreanoverioët. 4. Mund të kërkohet në në ardhmen bashkimi me Serbinë siç po kërkojnë një masë e madhe proserbe në Malin e Zi. 5. Do t’i rikthehen nacionalizmit burimor shqiptar dhe LVV e Kurtin do ta shpallin tradhtar të kombit shqiptar. P.S. Unë besoj se kjo e fundit ka më shumë gjasa të ndodhë, bile në të ardhmen jo fort të largët. (9 korrik 2023)
*Qëndrimet e shprehura në këtë opinion apo edhe opinionet e tjera të botuara në Shqiperia Etnike, nuk janë në përputhje domosdo me qëndrime redaktoriale të gazetës.