Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu, ka hedhur dyshime për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara po trajtojnë personat e shpallur non grata prej tyre jo vetëm në Shqipëri. Ai deklaroi këtë të shtunë në një intervistë për Euroneës Albania se Departamenti Amerikan i Shtetit po përdor dy standarde, sa i përket shpalljes non grata të Sali Berishës.
Ai theksoi se DASH ka dy lista, një për personat non grata dhe një për sekuestrimin e pasurive të disave prej tyre. Sipas tij, Berishës nuk i janë sekuestruar pasuritë, vetëm është shpallur “non grata” dhe bën pyetjen retorike: Si mund ti japë shpjegim SHBA këtyre dy standardeve?!
“Nga ana tjetër ka edhe një problem të vetë amerikanëve, në çështjen që lidhet me Berishën, mendoj që kanë mbajtur dy standarde. Ka një listë të liderëve politikë që janë shpallur non-grata. Kemi një listë tjetër që janë sekuestruar pasuritë e disave prej tyre nga Departamenti i Thesarit. Po pyes si qytetar: A mund t’ju japin shpjegime Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga kjo listë e personave non-grata pse departamenti i thesarit disave ua sekuestron pasurinë, disave jo. A ka dy standarde këtu?!. Shqiptarët e shikojnë Amerikën si tokë e premtuar, e shikojnë kushtetutën amerikane si bibla. Amerikanët duhet të ofrojnë një standard të padyzuar për shqiptarë të cilët i kanë idhull”, tha ai.