Absurdistan, drejt përfundimit segmenti i tretë i rrugës 19 m e gjatë…

0
Shkruan Lutfi Dervishi
Në një lajm që tronditi të madh dhe të vogël, Ministri Infrastrukturës së Absurdistanit, njoftoi sot se është drejt përfundimit segmenti i tretë i lotit të parë të rrugës me gjatësi plot 19 metra që lidh lagjen Prush me lagjen Fan.
Njoftimi u prit me duartrokitje të nxehta dhe brohoritje të gjatë jo vetëm nga qindra banorë të dy lagjeve dhe banorëve të qyteteve fqinj të ardhur enkas për këtë aktivitet, por edhe nga mijëra banorë të Absurdistanit që entuziazmin e tyre e përkthyen në mijëra like dhe komente pozitive, ndërsa ndiqnin aktivitetin në Facebook.
Në fjalën e tij Ministri Infrastrukturës tha se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë 19 metra të gjatë, por me një koncept modern. “Bëhet fjalë për fjalën e fundit të inxhinjerisë moderne”. Me përfundimin e këtij segmenti nuk përmirësojmë vetëm cilësinë e jetës në Prush dhe Fan, por japim një mesazh të qartë për të gjithë vendin se infrastruktura në Absurdistan po ndryshon me shpejtësi. “Miqtë e mi, kjo nuk është thjesht një rrugë, është shumë më tepër se kaq është simboli i angazhimit tonë të palodhur për progres dhe prosperitet. Dhe mos harroni kemi vetëm 10 vjet që na keni besuar qeverisjen.
Ndërkohë që kameramanët dhe gazetarët e shumtë të pranishëm në këtë ngjarje epokale po raportonin live këtë event, Ministri sqaroi detajet teknike të projektit si dhe sfidat dhe të papriturat që mund të dilnin gjatë mbushjes së gropave gjatë fazës 4, të segmetit të tretë, të lotit të dytë të rrugës.
“Pavarësisht vështirësive që mund të dalin, asfalti që do të hidhet këtu, duhet të jetë i cilësisë së tillë që të garantojë që pavarësisht efekteve të mundshme të ngrohjes globale, pavarësisht luhajtjeve të temperatures, ngricave apo erës, shiut dhe furtunës.
Në fjalën e tij Ministri sugjeroi që ky segment mund të shërbejë si model për vendet e tjera të rajonit.
“Ne nuk jemi as xhelozë as kopracë. Ne këtu po vendosim standarte ekselence në infrastrukturë. Fqinjët dhe bota po mbajnë shënim. I ftojmë të vijnë dhe të shohin me sytë e tyre kantieret tona që nuk pushojnë as ditën, as natën, as ditët e javës dhe as në fundjavë.
Sot, vijoi ministri, kanë ardhur këtu banorët e qyteteve fqinjë, nga facebook po na ndjekin mijëra të tjerë- përfundimi i kësaj rruge do të jetë një mundësi më shumë për zhvillimin e kësaj zone me potenciale të shumta”.
“Puna është fjala jonë, fjala është puna e tyre” që ua ka zënë sytë zhvillimi dhe bëjnë sikur nuk shohin se po ndryshojmë jo vetëm faqen e Prushit dhe Fanit, por të gjithë Absurdistanit.
Dhe, më e rëndësishmja miq, – jam këtu për të përgëjeshtruar edhe një fake news të përhapur nga ata që kanë humbur rrugën. Nuk do të vendoset asnjë tra mes Prushit dhe Fanit. Për këtë vepër nuk do të paguani asnjë qindarkë nga xhepat tuaja. Gjithçka do ta paguajë buxheti i Absurdistanit. Por, miqtë e mi edhe nëse shihni ndonjë tra, trau do të jetë thjesht për t’iu nderuar ju ushtarakisht kur të kaloni! Mos dëgjoni pallavrat e opozitës që ka humbur rrugën në oborr.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu