Kandidati për Primare i Tiranës, mjeku Ilir Alimehmeti i ftuar në një intervistë për Ora News u pyet dhe mbi strategjinë e tij për punën që do të bëjë në Tiranë, në rast fitoreje.
Alimehmeti deklaroi se duhen parë problemet që zgjidhen brenda një ditë e ato që kërkojnë më tepër kohë.
Sa i përket tenderave që bëhen në Bashkinë Tiranë, shumë prej të cilëve abuzivë, ai u shpreh se ata duhet të bëhen publikë duke shmangur abuzimet.
Ilir Alimehmeti: Tirana jo vetëm është bashkia më e madhe, por është bashkia që mban mbi një të tretën e popullatës në të, ndoshta dhe më shumë se aq. Halle dhe probleme ka shumë. Jo të gjitha zgjidhen në një ditë. Disa zgjidhen shumë shpejt, është shumë e thjeshtë të zgjidhësh disa prej tyre, madje nuk e kupton se pse ekzistojnë ato probleme aty. Nuk kërkojnë para e asgjë, thjesht s’kanë pasur vëmendjen dhe kohën. Pastaj ka probleme të tjera që kërkojnë kohën e vet, duhen studiuar më mirë, duhen parë me kujdes të gjitha opsionet si mund të zgjidhen.
Para jush keni një antisens, se përse e bëjmë tenderin. Ne duam cilësinë sa më të mirë dhe çmimin sa më të ulët, kjo është arsyeja e tenderit publik. e kundërta është nosens. Në këtë rast është shumë e thjeshtë, gjatë procesit që bëhen këto tendera mbi një shifër të caktuar e lart, nuk ka ndonjë problem që këto tendera të bëhen publik.