Ambasada e SHBA ka paralajmëruar qytetarët e saj të tregojnë kujdes gjatë ditës së sotme, për shkak se do të mbahet protesta e Partisë së Lirisë, në zonën e Sharrës në Tiranë.
Përmes një e-maili, që mesa duket është i njëjtë me mesazhet e tjera që Ambasada e SHBA në Tiranë dërgon sa herë në vendin tonë ka zhvillime të ngjashme, thuhet se situata mund të ndryshojë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
“Një protestë është programuar për t’u zhvilluar sot pranë landfillit të Sharrës, rreth 6 kilometra në perëndim të Ambasadës Amerikane. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha. Edhe pse shumë ngjarje të mëdha kalojnë paqësisht, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat vendase dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Protesës së parashikuar të mbahet në orën 16:00, pritet t’i bashkohen edhe pjestarë të Partisë Demokratike.
“Do të jetë një protestë e parë, në një skenë krimi si inceneratori i Tiranës. Mafia duhet ndalur sot, përpara sesa t’i bëjë dëme të tjera më të rënda vendit tonë. Sot, duhet të ekzekutojmë frikën që mafia po mbjell kudo. Nuk mund të jemi një vend që mposhtet nga mafia në pushtet”, deklaroi kreu i PL, Ilir Meta ditën e sotme teksa ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës.