Pas kapjes së Nicolás Maduro, më 3 janar 2026 nga forcat amerikane ka rënë në sy rritja e interesit për pasurinë që thuhet se ka grumbulluar gjatë viteve.
Debati përqendrohet te vlera e avionëve privatë, bizhuterive dhe pronave të tjera, si dhe te masat që autoritetet ndërkombëtare kanë ndërmarrë për të parandaluar fshehjen apo keqpërdorimin e tyre. Sipas autoriteteve amerikane, pasuritë e Maduro janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës edhe me anë të personave në emër të të tjerëve.
Organizata ndërkombëtare Transparency Venezuela vlerëson se Maduro mund të zotërojë një pasuri që arrin deri në 3.8 miliardë dollarë, një shifër që konsiderohet vlerësim i përkohshëm i pasurisë së grumbulluar gjatë më shumë se dy dekadave kontrolli politik të qeverisë “chavista” në Venezuelë.
Raportet e organizatave joqeveritare dhe mediave përmendin se Maduro ka në pronësi disa rezidenca në Miami, në zona ekskluzive si Coral Gables dhe Sunny Isles Beach, si dhe vila në Republikën Dominikane.
Sipas këtyre burimeve, presidenti venezuelan zotëron gjithashtu sasi të mëdha bizhuterish dhe është lidhur me aktivitete si nxjerrja ilegale e arit dhe të tjera me fitime të konsiderueshme.
Si u kap Maduro nga SHBA për 46 sekonda?
Afati i fundit skadoi në orën 4:46 të mëngjesit, sipas orës europaine. Operacioni, i pagëzuar “Maduro Out”, kishte nisur të përgatitej që verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente operacione të fshehta në Venezuelë.
Objektivi ishte i qartë: ndjekja hap pas hapi e udhëheqësit venezuelian, studimi i rrethit të tij të sigurisë dhe identifikimi i pikave të dobëta në aparatin ushtarak dhe mbrojtës të regjimit.
Agjentët amerikanë vepruan për muaj me radhë në terren, duke kombinuar metodat klasike të infiltrimit me teknologji të avancuara, përfshirë dronët dhe inteligjencën satelitore. Paralelisht, Uashingtoni kërkoi edhe mbështetje të brendshme brenda strukturave venezueliane, një detaj i konsideruar thelbësor për suksesin e operacionit.
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit Marco Rubio zhvilloi kontakte të fshehta politike. Vetë ai pranoi se i kishte ofruar Maduros “disa herë” një rrugëdalje, pa sqaruar kurrë se çfarë përfshinte konkretisht kjo ofertë. Negociatat dështuan dhe në atë moment u aktivizua plani ushtarak.
Urdhri përfundimtar u dha menjëherë pas Krishtlindjeve, por kushtet e motit e shtynë operacionin deri në momentin e duhur.
Mobilizimi ishte masiv: mbi 150 avionë, përfshirë F-35, bombardues B-1, dronë dhe helikopterë, u ngritën nga rreth 20 baza, brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe nga aeroplanmbajtëse në det. Njësitë elitare të “Delta Force” ishin në vijën e parë.
Sulmet ajrore goditën disa objektiva strategjikë në Karakas dhe përreth tij. Pas neutralizimit të mbrojtjes kundërajrore, helikopterët Apache zbarkuan njësitë e Delta Force brenda perimetrit të rezidencës. Energjia elektrike u ndërpre, barrierat u thyen dhe forcat speciale hynë në kompleks.
Çifti presidencial po pushonte në katin përdhes.
Brenda vetëm 46 sekondash forcat speciale hynë me forcë në dhomën e gjumit. Maduro tentoi të fshihej drejt një dhome të blinduar ngjitur, por u ndal. Gruaja e tij mbeti e shtrirë, e palëvizshme në shtrat. Maduro u vu në pranga.
Ishin agjentë të FBI-së ata që i dorëzuan urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut. “Nuk është një akt lufte, por zbatim i një vendimi gjyqësor”, theksoi Rubio.
Faza më delikate mbeti largimi. Maduro dhe bashkëshortja e tij u transportuan me shpejtësi drejt helikopterëve dhe u nxorën nga hapësira ajrore e Venezuelës. Në brigjet e vendit, një flotë e Marinës Amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Iëo Jima, ishte në pritje. Në orën 4:29 të mëngjesit sipas kohës lokale, Apache-t u ulën në kuvertën e anijes.
Pak orë më vonë, Trump publikoi foton e Maduros të prangosur, me kostum gri dhe syze të errëta. Një kapitull i ri, me shumë pikëpyetje sapo nisi.








