Shkruan Qamil Gjyrezi
Në këtë studim modest po përpiqem të kujtoj një rapsod shumë të talentuar me zërin e tij brilant, si pjesë e personalitetit të tij artistik dhe njerëzorë. Folklori është pasqyra e kthjelltë e psikikës mendjes dhe shpirtit të kombit tonë. Mendja dhe formimi njerëzorë krijojnë zërin e këngëtarit, në rastin e rapsodit Sali Mani.
Zëri i rapsodit Sali Mani, ngjan me ‘ujëvarat e kristalta’, të pyjeve në Malësi dhe Reçit prej ku ka lindur rapsodi mitik. Rapsodi Sali Mani kishte një zë shumë të pastër, tenor si këngëtarët lirikë, por edhe burrërorë. Rapsodin Sali Mani e kujtoj në koncertet e organizuara të Shtëpisë së Kulturës Shkodër para viteve 90-të, kur neve loznim në Orkestrën e Shtëpisë së kulturës.
Sali Mani ishte pjesmarrës në këta koncerte, duke kënduar me çifteli këngë popullore, rapsodi për patriotizmin, bukuritë natyrore të Malësisë dhe zakonet e lashta të kësaj treve. Rapsodi Sali Mani prezantonte në këta koncerte një artist të formuar, me disipilinë artistike, që këndonte shumë bukur dhe profesionalisht këngët e shoqëruara me instrumentin e çiftelisë. Rapsodi Sali Mani luante shumë bukur dhe mirë teknikisht në këtë instrument, me një teknikë të veçantë, duke shoqëruar këngët dhe luajtur bukur introduksionet me çifteli. Ai dallonte mirë këngët lirike me ata epike, duke i luajtur dhe kënduar jo vetëm shumë mirë stilistikisht, por duke prezantuar ndjenja dhe emocione lirike për të bukurën dhe njerëzit dhe këngët patriotike, që kërkonin interpretim me ndjenja dhe emocione epike. Edhe gjatë punës sime si përgjegjës kulture në Palvarë në vitin 1977-79 e kam takuar në aktivitet kulturore e artistike të zhvilluara në Koplik.
Rapsodi Sali Mani merrte pjesë në të gjitha aktivitet në Koplik, duke kënduar këngët e tija me çifteli me shumë pasion e profesionalizëm. Rapsodi Sali Mani ishte autori dhe interpretuesi me çifteli i këngëve popullore, ai i këndoi për disa dekada Malësisë, bukurive mahnitëse të kësaj krahine, patriotizmit të shqiptarëve dhe lirisë së Kosovës. Sali Mani e filloi aktivitetin artistik në vendlindjen e tij, Reç, pastaj e vazhdoi atë në Kelmend, Dukagjin dhe Koplik, ku u bë i njohur si artist i merituar. Ai mori pjesë në shumë aktivitete artistike lokale dhe kombëtare, duke e përfaqësuar me dinjitet folklorin e krahinës së Malësisë. Sali Mani ka kënduar edhe në festivalin e Gjirokastrës me rapsodët e instrumentistët më të mirë të Shqipërisë, duke prezantuar Malësinë e Madhe me shumë dinjitet. Pas rënies së komunizimit në Shqipëri, në vitet ’90, Sali Mani emigroi me familjen në Shtetet e Bashkuara.
Edhe gjatë viteve që jetoi në emigracion ai mbeti një njeri shumë aktiv dhe patriot, që ia kushtoi artin e tij komunitetit të shqiptarëve të Michiganit. Në këtë studim po sjelli disa kujtime të kolegëve të raspsodit Sali Mani: Një koleg i tij kujton: “Në një takim që kisha me artistin e madh e të merituar Sali Mani, më tha se këto dy këngë: “Oj Kosovë hej tungjatjeta” si dhe këngën “Moj e mira e bregut Cemit” i thura për mes natës në hotelin Grand Prishtina”, për arsye se programi m`u ndalua ta këndoja ashtu si e kisha përgaditur më herët, e dihet pse asaj kohe ndodhnin kësi gjërash”.
Një tjetër koleg kujton në të njëjtin forum: “Sali Mani ka qenë këngëtar i mrekullueshëm. Ai me këngët e tij i ngrinte zemrat peshë në Kosovën e atyre viteve. Me vargjet e këngëve ai ua shtonte dashurinë për Shqipërinë, për atdheun, për kombin tonë. Si përfundim po shkruaj shkurt për dy këngë njëra lirike dhe tjetra patriotike të kënduara nga Sali Mani. Rapsodi Sali Mani, tek kënga ‘Moj e Mira Bregut Cemit’, fillon shumë bukur me introkduksionin me çifteli. Sali Mani këndon me zë të pastër, burimor, si një tenor lirik. Ai këndon me intonacion të pastër, me zë të ëmbël dhe transmeton ndjenja dhe emocione për vajzën e Këlmendit. Rapsodi Sali Mani i këndonte këngët me një tekst që dëgjohej shumë qartë dhe ishte në funksion të melodisë me çifteli. ‘Moj e mira e bregut të Cemit bardh si bora e këlmendit Bardh si bora e Këlmendit, porsi lulet e këtij vendit.
Edhe në këngën ‘Oj Kosovë hej tungjatjeta’ rapsodi Sali Mani këndon me shumë pathos Kosovës, historisë së saj të lavdishme. Ai i këndon luftëtarëve për lirinë e Kosovës dhe Kosova është pjesë e zemrës së rapsodit. Kënga fillon me introduksionin e çiftelisë dhe vazhdon duke kënduar rapsodi Sali Mani. O Kosovë hej tungjatjeta, po të thotë Shkodra, mirë se të gjeta O kreshike e bujare e trimnive legjendare, etj.
Po e mbylli shkrimin me disa reshta të marra nga faqja ‘Shkodra info’ në internet: ‘Deri me daljen e Sali Manit në skenë këngët e lahutës e çiftelisë, këndoheshin njëtrajtshëm, dhe me një vijë melodike monotone, të cilat tingëllonin si recitime të kënduara, kurse Sali Mani krijoj një melos të larmishëm dhe origjinal, duke ofruar për çdo tekst një melodi të vecantë. Ai futi refrenin në çifteli duke u bërë reformatori i çiftelisë’. Është e vërtetë se rapsodi Sali Mani e temperoi çiftelinë, që t’i jepte më shumë nota e hapësire muzikale, pra bëri ndryshimin dhe krijoi çiftelinë modern.
Ky element dëgjohet shumë mirë në këngët e tija të shoqëruara me instrumentin e çiftelisë. Krijimtaria e Artistit të Merituar Sali Mani, rapsodit virtuoz me zërin brilant, do të jetojë në shekuj. Ai ishte modeli i artistit, rapsodit popullorë, që ka zërë vendin e tij në enciklopedinë e artit, folkorit shqiptarë. Bibliografi: Burime nga interneti 2024
Promoted Content