Asnjëri nuk ka hallin e Sali Berishës, të gjithë qajnë hallin e vet

0

Shkruan Bardhyl Bejko

Kuptohet lehtësisht se politikanë pranë Berishës, funksionarë e militantë, individë shumë të zellshëm, interesaxhi, përfitues nga ku do veçonim, avokaten, Adriana Kalaja që ka marrë rolin e protagonistes deri edhe me mjete të forcës, bashkualicionistë, analistë të televizioneve pranë familjes dhe opinionistë të përhershëm për ta bërë të bardhën të zezë, do të qëndrojnë, siç po bëjnë, në krah të doktorit. Shqiptarët kujtojnë shumë mirë se pas shpalljes të Berishës non grata nga SHBA dhe më pas nga Anglia, ngritën në qiell stuhinë për ta zhbërë këtë vendim të DASH.

Aq të zhurmshme ishin debatet, gati sa nuk do deklarohej se kjo ishte lojë se asnjë masë nuk ishte ndërmarrë ndaj doktorit. Ishte thjesht një përpjekje e kundërshtarëve për të denigruar personalitetin e Berishës para syve të shqiptarëve. Shumë shpejt, Gjykata e Francës do thërriste Blinken dhe do ta detyronte të tërhiqej nga akuzat dhe dënimi non grata i Berishës. Po kështu jo pak mbështetës i bënë të gjitha përpjekjet ta paraqisnin dënimin non grata si një lapsus, i cili shumë shpejt do tërhiqej.

Edhe sot, pas shumë kohësh herë pas here hidhen përballë opinionit tullumbace se non grata do zhbëhet. Së afërmi, Anglia do ta korrigjojë. Dhe është harruar fare gjyqi në drejtësinë franceze, i cili në fakt ka qenë një alibi që i shërbente partisë për të fituar kohë dhe për ta paraqitur këtë masë si një veprim pa vlerë dhe që nuk dëmtonte askënd. Aktualisht jemi para një ngjarje që lidhet direkt me Berishën, i akuzuar nga SPAK, Gjykata Speciale kundër korrupsionit, për veprime që kanë favorizuar, Jamarbër Malltezin në privatizimin e ambienteve dhe truallit rreth tij të kompleksit sportiv “Partizani”, të cilit më vonë iu ndryshua destinacioni duke u ndërtuar 17 kulla. Pikërisht për këto ndërtime u akuzua Jamarbëri dhe Berisha, dhëndri dhe vjehrri kryeministër, se kanë shkelur ligjin. Për masat e dhëna nga SPAK dhe Gjykata nuk marrim përsipër të bëjmë as arbitrin, as drejtësinë. As të fajësojmë aq më pak të amnistojmë askënd. Këto janë vendime që i takojnë t’i ndërmarrin vetëm organet kompetente, bazuar në ligj e në prova.

Në një kuptim tjetër duam ta analizojmë këtë zhvillim, që duhet pranuar se është i pari që ka ndodhur në këto tri dekada e më shumë ndaj Berishës. Gjatë tërë kësaj periudhe të post sistemit komunist, liderët e partive rrallë e kanë provuar qëndrimin para togave të zeza, përjashto, Fatos Nanon, i cili si kreu i qeverisë u dërgua në Bënçë, se kishte favorizuar të tretët për të vjedhur fasule, karota, tranguj e domate apo fruta të thata që vinin në Shqipëri si ndihmë për popullin tonë pas rënies së sistemit. Dhe Fatos Nano edhe pse nuk ishte magazinier e as shef llogarie, u paraqit para gjyqtarëve të plepave dhe u dënua, duke e degdisur në burg. U deshën shumë përpjekje, u kërkua lirimi i tij nga shumë institucione ndërkombëtare, po doli nga burgu vetëm kur ra shteti i Berishës në 1997-ën, pas shkërmoqjes së firmave piramidale. Atëherë nuk u kërkua asnjë autorizim dhe mendimi i parlamentit. Sot, punët ndryshojnë.

E gjithë opozita, ajo e kupolës, është ngritur dhe kërkon që Berisha të mos paraqitet në gjykatë se është vendim politik, është keqdashje dhe kërkesë për të zhbërë opozitën shqiptare. Në realitet gjatë këtyre dy vjetëve qeveria ka humbur jo pak ministra e funksionarë të lartë nga maja e piramidës deri tek pushteti vendor. Po askush nuk ka dalë të bëjë zhurmuesin dhe të kërkojë të nxjerrë askënd nga të akuzuarit nga qelitë apo të kërkojë tërheqjen e SPAK nga vendimet që ka marrë.

Me dhimbje natyrisht, po drejtësia është lëne të bëjë punën e vet. Ndikimi ndaj saj ka qenë zero. Le t’i referohemi vendimit më të fundit që pezullon një sipërfaqe mbi 5000 metër katror të ish – deputetit socialist Çaçi, bashkëshortit të Xhaçkës, ish-Ministre e Mbrojtjes dhe e Punëve të Jashtme. Vetë ish – ministrja, deklaroi që drejtësia të bëjë punën e vet. Dhe as nuk fryti e as nuk mori përsipër askënd për të bërë atë që sot bëjnë mbështetësit e Berishës. Po ajo që evidentohet në mbështetje të Berishës, është më mbresëlënëse dhe pikante, fakti që pothuaj të gjithë flasin,jo thjesht në mbrojtje të doktorit, por të tyren.

Një nga politikanët më të sponsorizuar së fundmi, zoti, Belind Këlliçi, duke folur për padrejtësinë që i bëhet Sali Berishës nga “Larot” e prokurorisë, siç i etiketon ai, është se nuk kanë hallin e Berishës. Po së pari, hallin e vet, sepse mazhoranca, sipas tyre, do të zhbëjë opozitën, ç’ka është e pamundur, pasi kjo opozitë, sot e copëtuar dhe e zhbërë është për të keqen e saj dhe vetë qytetarëve që iu mungon një alternativë përballë pushtetit. Po hallin e tyre kanë edhe shumë të tjerë, të cilët marrin përsipër t’i kundërvihen drejtësisë në emër të partisë. Kështu është i saktë konkluzioni i opinionit të gjerë shoqëror se shumë prej atyre që bëjnë sikur mbrojnë Berishën, qajnë hallet e tyre se nuk u del llogaria dhe humbin karrierën politike dhe të ardhmen e tyre në politikë. Kjo pasi nuk ecin me këmbët e veta, po janë paterica të liderit. Ndaj deklarojnë: – Nuk është thjesht Berisha, po në rrezik jemi vetë ne, janë hallet tona! Dhe me këtë mbrojtje duke iu kundërvënë drejtësisë , iu duket se i zgjidhin të gjitha hallet që kanë mbi supe. Se tërë zgjidhjet i ka, sipas tyre lideri i “Rithemelimit”. Po, ky është vërtetë iluzioni më i paimagjinueshëm.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu