Asociacioni ka ndarë në dysh Kosovën, Serbinë dhe BE-në

0

Çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, shihet si një “bllokadë” ndërmjet Kosovës, Serbisë e BE-së. Megjithatë, njohës të rrethanave politike në vend, vlerësojnë se së fundmi janë shtuar presionet ndaj Qeverisë së Kosovës për formimin e këtij asociacioni.

Tema e asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë një mur ndarës ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend të cilët, këtë temë e vlerësojnë si me të ndjeshme në dialog. Analisti Artan Muhaxheri ka thënë për Radio Kosovën se për çështjen e asociacionit janë shtuar presionet ndaj palës kosovare sidomos kohët e fundit.

“Asociacioni është bërë një mur ndarës ndërmjet Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Për fat të keq edhe Qeveria e Kosovës, nuk ka ndonjë ide alternative se si t’i qaset asociacionit që është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa, nuk besoj se pa adresimin e qartë të temës se dialogut, mund të ketë avancim te mirëfilltë në dialog”, ka thënë ai.

Edhe analisti tjetër, Bekim Baliqi, mendon që kohët e fundit është shtuar presioni ndaj Qeverisë se Kosovës për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, presionet janë shtuar edhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Po shihet një presion i shtuar, jo vetëm nga vizitat e shpejta të përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe përkushtimi i Gjermanisë dhe Francës. Unë besoj që ka një presion të shtuar, jo vetëm për themelimin e asociacionit, por edhe drejt një marrëveshje të përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Baliqi.

Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar parimet për këtë asociacion duke thënë se nuk janë në tërësi me frymën kushtetuese. Gjykata ka udhëzuar që kurdo që themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nga Qeveria e Kosovës, duhet të merret parasysh që akti themelues dhe statuti i asociacionit, të hartohen në pajtim me frymën e kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu