Baballarët e gabuar (Për fëmijët që duan paratë, por jo praninë e baballarëve)

0

Shkruan Shefki Hysa, Diplomatic Mission

Baballarë!
Ore, baballarë, po çfarë baballarësh jeni ju, që nuk i lini rehat fëmijët tuaj të rriten si të duan vetë?
Dakord, le të rriten vetë, thoni ju, po si mund të rriten vetë, po nuk punuat ju, po nuk i ushqyet, po nuk i veshët e mbathët me të ardhurat e pakta të djersës e gjakut tuaj?


Aaa, ju lutem, baballarë, punoni pa llafe, dhe mos u dëgjoni, se fëmijët kanë hapësirën e tyre, privacinë, intimitetin, pavarësinë, etj.
Ju u thoni dhe, kur nuk dëgjojnë, i kërcënoni të shkojnë në shkollë e të bëhen djem e vajza të mbara, që shkëlqejnë, njëlloj si gjyshat e gjyshet e tyre, që ishin modeli i njerëzve shembullorë, heronj të familjes, fisit, komunitetit, fshatit, qytetit, atdheut, kombit, etj..
Po ç’thonë ata? A i keni pyetur? Jo? Gabim!
Pikërisht për këtë fakt, ju jeni baballarët e gabuar, arrogantë e dhunues, sipas fëmijëve, se ata duan të argëtohen, me lloj-lloj lodrash, me celularë, tableta, labtopë, kompjutera, playstation e lloj-lloj aparaturash moderne videolojërash. Të gjitha këto janë të shpikura, që të shmangin nga rruga e jetës fëmijët tuaj, duke i joshur nëpër pyje të errët aventurash.
Dhe, me të drejtë, fëmijët tuaj do konfliktohen me ju, aq sa ju të stepeni, të tërhiqeni dhe ata të bëjnë çfarë të duan. Dhe shpesh, midis tyre, do thonë, i kemi pleqtë flori, nuk ndërhyjnë fare, mor po fare fare, në jetët tona, dhe ne bëjmë pallë ariu.
Ehehe, po ju, baballarë, nuk e hani këtë kokërr ulliri, se pas kësaj, ata, qerratarët tuaj, do rriten e do shpalosin kërkesa të reja, do duan të shkojnë nëpër disko, të pijnë pije energjike, alkol, pse jo dhe drogëra të ndryshme, mall, siç i quajnë ata, si hashashi, kokaina, heroina, e më the të thashë, që i çojnë nga bota e aventurizmit, drejt e në botën e banditizmit, krimit, dhunës e përdhunës. Tekefundit ky është edhe trendi i kohës konsumiste që po jetojmë.


Mirëpo, ju, baballarë anakronikë, dallkaukë, diktatorë të poshtër, që ju ngrihen qimet përpjetë, edhe vetëm kur i mendoni këto pasoja për fëmijët tuaj, tërboheni dhe nuk u kurseni as ndonjë shkelm në bythë, megjithëse mamatë e gjora, midis dy zjarresh, turren t’i shpëtojë pjellat e tyre dhe, padashur, hanë ndonjë të shtyrë a të goditur nëpër betejat epike që zhvillohen përballë së keqes që ka shënjestruar ata.
Vetëkuptohet prej delirit të frikës ju nuk lini mjet e marifet pa përdorur, që i bën edhe më të ashpra betejat që zhvillohen për shpëtimin e jetës dhe mbijetesës së fëmijëve tuaj.
Ehehe, po a jua falin kacagjelat tuaj këtë mënyrë kaq luftarake, që i ndalon forcërisht ata për të realizuar tekat e tyre?
Dhe zënë e ju akuzojnë se ju jeni jo vetëm baballarë të gabuar, po edhe të shkarë, të luajtur menç, të poshtër, etj., aq sa nuk kurseni edhe mamatë e tyre, të cilat siç e kanë zakon gjithë nënat e botës, mundohen tua fshehin nga pak bëmat e tyre.
Megjithatë ju mbeteni stoikë dhe nuk u ndaheni gjersa rriten e shkollohen.
Ata vazhdojnë t’ju urrejnë e ju, përkundrazi, përpiqeni të hyjnë në rrugën e jetës nëpër profesione, që ju i gjykoni të përshtatshme.
Ata revoltohen e bërtasin se ju padrejtësisht ndërhyni në jetët e tyre, se ata kanë lindur të lirë, janë mbi 18 vjeç e mund të bëhen çfarë të duan, mund të bëjnë çfarë të duan me jetët e tyre, mjafton që ju të mos u kurseni paratë.
Aaa, ju lutem, baballarë të gabuar, paratë tuaja u duhen, pavarësisht se ju nuk vleni një lek në sytë e tyre.
Dhe kur ju u thoni se meqë i kanë kaluar të tetëmbëdhjetat, mund t’i shtrohen punës, të sigurojnë vetë të ardhura dhe mund të shikojnë vetë jetët e tyre, pa paratë tuaja, pizevengët hidhen përpjetë e thonë se janë fëmijët tuaj dhe se ju e keni për detyrë të përpiqeni për ta gjatë gjithë jetës.
Ata mund të bëjnë çfarë të duan, madje edhe të gabojnë, sa tu dojë qejfi, se duan të mësojnë nga gabimet e tyre dhe jo nga shembujt tuaj pozitivë, nga heroizmi juaj arkaik, nga përvojat tuaja lodhëse e stresuese, etj., ama paratë e gjakut tuaj nuk duhet tu mungojnë, o baballarë të gabuar e të poshtër.
Paratë tuaja i duan dhe dihet që ju nuk ua kurseni, siç nuk ua kursejnë edhe ata mllefet e inatet për kufizimet dhe ndalimet që u keni bërë gjatë gjithë jetës, me dëshirën e mirë, që ata të bëhen doktorë të famshëm, avokatë të zotë, arkitektë, inxhinierë, etj., pra drejtues të mëdhenj e lider të fuqishëm të atdheut. Ndërkohë ata qeshin e tallen, se jeta duhet të rrjedhë vetë, se ata do të bëhen kur të duan vetë, se nuk janë të detyruar të lëvizin si trena të telekomanduar në shinat që shtroni ju, pikërisht ju, që nuk u bëtë të tillë, po mbetët zanatçinj të thjeshtë, si druvarë, hidraulikë, mekanikë, muratorë, gurgdhendës, hekurpunues, kovaçë, shoferë, etj.


Dhe keni surrat ju, që tu impononi atyre një ndryshim kaq të madh?!…
Kurrë!
Mbani vendin tuaj, o baballarë të gabuar, boll me këshilla stresuese, se fëmijët tuaj duan të shijojnë edhe aventurat e gabimet.
Punë e madhe, le të mbetet bota, pa lider e drejtues.
Bota ka punën e saj, le të merret Zoti me të, Ai që e krijoi, ama ju lerini rehat fëmijët, o baballarë të gabuar.
E çfarë u duhen atyre planet tuaja, dëshira juaj, që ju t’i shpëtoni nga ajo jetë e vështirë prej skllavi, që ju vetë e keni pranuar me dëshirë për hir të familjes dhe fëmijëve?!…
Boll më, o baballarë të gabuar, që ua vështirësuat fëmijërinë dhe adoleshencën fëmijëve tuaj, me tërë ato kufizime stresuese, me dëshirën për t’i parë në Parajsën e Jetës dhe jo në Ferrin e aventurave!…
Boll!…


Baballarë, më mirë të mos kishit lindur fare, për gjithë këtë kërkesë llogarie, që ushtroni ndaj fëmijëve tuaj të vetëditur e trima!
Kështu urojnë ata.
Të mos kishit lindur?
Paradoks!
Të mos kishit lindur ju, nuk do të kishin lindur edhe fëmijët tuaj, që janë shkëlqimi i së ardhmes, siç ua thotë mendja e tyre, që janë vetë e ardhmja e ndritur plot aventura e papërgjegjshmëri, sipas tyre, në raport me ju baballarë pleq, matufë e të rrjedhur.
Më mire ju të mos kishit lindur, baballarë të gabur, megjithëse e dinë se nuk do të kishin lindur as ata vetë pa ekzistencën tuaj.
Sidoqoftë, ata preferojnë që ju të mos kishit lindur, pavarësisht se nuk do të kishin lindur as vetë, kaq të gabuar jeni përjetësisht në kërkesën e llogarisë.
Ju, baballarë hyjnorë, të lodhur fizikisht dhe mendërisht, baballarë të gabuar, sipas tyre, në krahasim me ata, fëmijët tuaj, që edhe pse u rritën në shpinat tuaja, jeni për të ardhur keq dhe, jo më kot shprehen me qetësi se ju jeni baballarët më kot në Botë.


Unë, Babai i ashpër dhe i gabuar, si gjithë baballarët e tjerë, heronj e vetëmohues, ndërkohë e rrita djalin tim me gjithë të mirat, e bëra doktor, me të ardhura djerse e gjaku, hallall, siç udhëzon Zoti, gjithë hyjnorët e kësaj bote.
Unë, Baba i gabuar, si dhe ju baballarët e tjerë të gabuar, që sakrifikojnë dhe japin jetën dhe, në vend të dashurive të pakthyera, marrin më shpesh përbuzjen e përçmimin e fëmijëve, vetëm e vetëm për faktin se i detyruan me pamjet dhe sjelljet e tyre të ashpra, për të qëndruar në udhën e Zotit, nuk u pendova kurrë, që e futa tim bir forcërisht në shinat e Jetës.
Mos u dorëzoni edhe ju, fëmijët tanë le të na quajnë sa të duan baballërë të gabuar dhe pleq trutharë, do ta kuptojnë një ditë vlerën tonë hyjnore, pikërisht kur të rrisin, të përpiqen, të përplasen e të sakrifikojnë edhe jetët për fëmijët e tyre.
Mos u mërzisni, baballarë të gabuar, se kështu e ka Jeta.
Unë dhe ju jemi amanetet e Zotit në Tokë për fëmijët tanë…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu