Koha kur duhej t’i përgjigjej për Ballkanin e Hapur gazetarit të RTK-së, Bashkim Vishaj ishte edhe më i sikletshmi për presidentin Bajram Begaj, gjatë intervistës në përfundim të vizitës në Kosovë.
Në përgjigje lexohej përpjekja për të evituar konfliktin me kryeministrin Edi Rama, po aq sa edhe dëshira e mirë për të mos krijuar pakënaqësi të tjera tek politikanët e Kosovës. Prandaj Begaj u sorollat me pak mundim për të gjetur fjalët e duhura dhe si përfundim, doli me 3 qëndrime të ndryshme brenda 3 minutave, (nga min 15:00 deri në min 18:00) kur foli për Ballkanin e Hapur.
1) Siç kanë thënë dhe amerikanët…
Në 8 Qershor të këtij viti i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se e mbështet Ballkanin e Hapur si një projekt ekonomik, jo politik. Ai gjithnjë ka theksuar se nisma nuk mund të jetë e plotë pa gjithëpërfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Pak a shumë te ky qëndrim u strehua presidenti i ri Bajram Begaj kur u përgjigj në fillim:“Ballkani i Hapur nëse do të jetë një iniciativë, i cili do të mbetet siç është përmendur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në planin gjithëpërfshirës, me të drejtën sovrane të çdo vendi, me pjesëmarrjen e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me interesa qartësisht ekonomike, që do të bëjë të mundur shkëmbimin e lirë të mallrave dhe kalimin e lirë të njerëzve dhe do të bëjë heqjen e disa burokracive, them se duhet të përfitojmë të gjithë. Nëse përfitojnë të gjitha vendet është shumë e duhur. E di që Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta për të por kjo sjell diversitetin dhe zhvillimin”
2) Në anën e Kosovës
Por në përgjigjen e radhës, presidenti Begaj doli nga argumentat “amerikane”. Ai artikuloi një qëndrim që në përmbajtje qëndron kundër shtysës pasionante që i ka dhënë kryeministri Rama projektit të Ballkanit të Hapur.
Ka qenë Rama që e ka shtyrë para projektin në sinkron me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, duke rënë dakort që me Kosovën, nuk bie dakort për këtë temë.
Krejt ndryshe u shfaq Bajram Begaj kur tha:
“Unë jam në atë që çdo iniciativë rajonale, kur ne jemi të gjithë bashkë dhe të gjithë shqiptarët janë bashkë them se duhet të përkrahet. Them se duhet pak kohë. Dhe duhet të marrim kohë. T’i diskutojmë gjërat hapur. Të konsultohemi me njëri-tjetrin dhe vendimmarrjet që duhet të marrim duhet të jenë të gjitha në interes kombëtar. Çfarë është e mirë për kombin shqiptar, ta vendosim bashkarisht, përpara se ta bisedojmë me të tjerët”
3) Mikpritje për Ballkanin e Hapur
Por i ngacmuar sërish nga gazetari i RTK-së, që kërkoi një përgjigje më të drjtpërdrejtë, Begaj tha se nisma e Ballkanit të Hapur për të është “e mirëpritur”. Ai iu referua si një nismë që kishte në thelb përfitime ekonomike për popullin shqiptar.
Nuk kishin kaluar as tre minuta nga përgjigjet e mësipërme dhe Begaj e mbylli këtë temë duke thënë:“Çdo iniciativë rajonale, e cila ka në thelbin e vet përfitime ekonomike dhe direkte të mirëqënies së njerëzve apo të popullit të Kosovës apo të Shqipërisë, unë them se është e mirëpritur”.
Nuk ka nevojë për shumë vëmëndje për të dalluar kakofoninë që përcjell presidenti në vetëm tre minuta nga intervista. Është e qartë se Begaj nuk e ka të formësuar një qëndrim të vetin për projektin e Ballkanit të Hapur. As nuk ka ndonjë shqetësim mbi komplikimet ku e fut marrëdhënien Shqipëri-Kosovë nisma Rama-Vuçiç.
Meqënëse vjen nga jashtë politikës, ai bëhet për herë të parë pjesë e debatit. Për pasojë, shqetësim parësor i presidentit është të ruajë një marrëdhënie të mirë, pa andralla me të gjithë faktorët, që janë përfshirë në përplasje për Ballkanin e Hapur.