Shkruan Adriatik Doçi
Gjyqtarja Iliriana Olldashi, me një vendim të dyshimtë dhe në konflikt interesi, ka vendosur një standard të dyfishtë sa i takon nivelit të ashpërsisë të masave të sigurisë për të akuzuarit nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehja pasurie etj.
Olldashi liroi nga burgu dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion, vepra penale për të cilat parashikohet deri në 15 vite burg.
Vendimi përbën njollën e parë për GJKKO, ndërsa sfidon SPAK-un, jo vetëm për faktin se gjyqtarja kishte blerë një apartament në kullat e Malltezit.
Teksa Jamarbër Malltezi, i dyshuar nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion, u dërgua në shtëpi, sot Vangjush Dako, Lefter Alla etj., janë në burg, edhe pse dyshohen nga SPAK vetëm për shërdorim detyre, një vepër penale modeste në raport me veprat e rënda penale për të cilat dyshohet Jamarbër Malltezi.
Dako dhe Alla janë lënë në burg nga kolegë të gjyqtares Olldashi në GJKKO e Apelit, duke vendosur kështu një standard. Gjashtë ekspertë kanë konstatuar gjendjen e rëndë shëndetësore të Lefter Allës, i cili mbahet në burg.
Vështirë të besohet se Dako dhe Alla paraqesin më shumë rrezikshmëri se sa Malltezi për t’u arratisur apo prishur provat. Kujtojmë që vjehrri i Malltezit i ka shpallur luftë SPAK-ut dhe GJKKO. Madje SPAK-un e ka shpallur organizatë kriminale. Vjehrri i Malltezit nuk është rrezik për provat, por rrezik për jetën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Skandali, përdhosja e standardeve dhe parimit të barazisë para ligjit, është më i rëndë se sa duket.
E njëjta gjyqtare, Iliriana Olldashi, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të ndjerin Enver Sheshi, i cili nuk doli gjallë nga burgu.
59-vjeçari Enver Sheshi akuzohej nga SPAK për evazion fiskal, si pjesë e dosjes së inceneratorëve.
Sheshi i kishte parashtruar shkaqet shëndetësore në GJKKO e Apelit për t’u liruar nga burgu, por ishte refuzuar nga Iliriana Olldashi.
Enver Sheshi pësoi arrest kardiak në 7 janar 2023 në burgun 313 në Tiranë.
Sheshi ndërroi jetë në urgjencën se spitalit QSUT disa minuta më pas.
Atij ishte refuzuar ndryshimi i masës së sigurisë në 29 dhjetor 2022, pra 10 ditë para se të ndërronte jetë, nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Sheshi akuzohej nga SPAK për evazion fiskal, një vepër penale e lehtë me veprat penale për të cilat dyshohet Jamarbër Malltezi, të cilin Iliriana Olldashi e çoi në shtëpi.
Janë me dhjetëra persona që sot akuzohen për avazion fiskal, por që ndiqen në gjendje të lirë ose janë arrest shtëpie.
Jo vetëm kaq. Enver Sheshi ishte hetuar dhe ndëshkuar për të njëjtën çështje, për evazion fiskal si administrator i kompanisë Leli 17.
Çekiçi i drejtësisë në duart e Iliriana Olldashit rëndoi mbi të dobëtin Enver Shehi, i sëmur dhe i akuzuar për evazion fiskal. I njëjti çekiç u lehtësua për Jamarbër Malltezin, shëndoshë si molla, por i dyshuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Lefter Koka dhe Jamarbër Malltezi akuzohen nga SPAK për të njëjtat vepra penale. Edhe pse në gjendje të rëndëar shëndetësore, Lefter Koka mbahet në burg që nga viti 2021 pa një vendim të formës së prerë, ndërsa Jamarbër Malltezi u lirua për disa ditë.
Çekiçi i drejtësisë në duart e Iliriana Olldashit ka shkarë edhe në raste të tjera.
Në korrik të vitit 2018, gjyqtarja liroi nga burgu ish-drejtuesi i ARRSH-së dhe funksionarin e LSI Dashamir Xhika, i akuzuar për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre” gjatë ndërtimit të aksit Tiranë-Elbasan.
Në 2017, gjyqtarja ka liruar nga burgu 19-vjeçaren Elda Tanushi, e cila kishte tentuar të helmonte vjehrrën. E liroi me arsyetimin se e akuzuara ishte e stresuar.