Një 50-vjeçar nga Korça është arrestuar nga policia e Beratit i implikuar në atentatin e parandaluar dy ditë më parë që ishte planifikuar të kryej nga një grup kriminal. Gjatë kontrollit në banesën e G. M., 50 vjeç banues në Korçë shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis.
Hamit Berisha, Arli Shehu, Ermal Gora u shpallën në kërkim dy ditë më parë për organizimin dhe pjesëmarrjen në atentatin e dështuar në Berat. Të tre këta persona ishin nisur mbrëmjen e djeshme për të ekzekutuar një person.
Në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre dhe të gjendur nën presionin e policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara.
Në vijim të veprimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, gjatë 48 orëve të fundit, janë shoqëruar 13 persona dhe vijon shoqërimi i të tjerëve që mund të kenë dijeni mbi atentatin e mbetur në tentativë.