Shkruan Gjergj Zefi
Si buxheti i ri synon të sabotojë fluksin masiv të turizmit në veri të vendit…
Për të parë filozofinë e buxhetit të paraqitur nga qeveria në Parlament, mjafton të shohësh shifrat në fund për investimet kapitale.
Nga rreth 124 miliardë lekë që akordohen për investime publike, koncensione apo PPP, vetëm 5 miliardë lekë janë caktuar për një kontratë koncensionare siç është rruga Milot- Kashar. Kjo rrugë kushton në total 231 milion euro. E cila është gjithsesi një koncension PPP, një procedurë e frikshme, ku qeveria vendos të ndërtojë një rrugë me një ofertë të pakërkuar.
Por, derisa të mbarojë rruga, e cila është pjesë e rrjedhjeve vjetore të parave të buxhetit, të gjithë banorët e veriut do strapacohen me kalvarin e trafikut të rrugës aktuale. Por kjo është çështje tjetër.
Buxheti i shtetit është dokumenti bazë, thelbësor që një qeveri i çon për miratim Parlamentit, e përbën vizionin e saj për vendin. Se si do t’i shpërndajë paratë që qytetarët japin nëpërmjet taksave. Një qeveri normale në çdo vend të botës, ka një filozofi për të financuar jo vetëm projekte që i vijnë nga klientë të saj, por një vizion për të shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë popullsinë e vendit.
Duke parë buxhetin e vitit, por edhe strategjinë 2022-2026, shihet qartë se kemi të bëjmë me një apartheid financiar që Edi Rama i ka ofruar pjesës së veriut të vendit, të cilin e konsideron një “tokë e askujt” siç në një intervistë në Financial Times konsideronte veriun e Kosovës.
Edhe pse fitoi Shkodrën nëpërmjet figurës përbashkuese të Benet Becit, Edi Rama, nuk ka programuar një mbështetje sistematike për të fuqizuar Shkodrën dhe pjesën e Alpeve, por atë që quhet Zona e Parë Operative.
Nëse shihen blogjet prestigjoze ndërkombëtare që kanë promovuar turizmin shqiptar në verën që shkoi, përveç Ksamilit që është një sit i vogël, edhe pse magjepës, gurët e xhevahireve të tërheqjes shqiptare kanë qenë zona e veriut, Alpet, por edhe bregdeti nga Shëngjini në Velipojë.
Nuk ka asnjë dyshim, që në vitin e ardhshëm, “Bavaria Shqiptare” siç po quhen alpet, ekziston një dëshirë e madhe për tu eksploruar nga një numër shumë më i madh vizitorësh. Vetë Edi Rama publikoi në faqen e tij të ashtuquajturën “The Cool list 2024”, ku alpet shqiptare konsiderohen një bum turistik për vitin në vazhdim.
Po cilat janë masat që qeveria ka marrë në buxhet për këtë sezon? Asnjë masë të veçantë, asnjë mbulim buxhetor infrastrukturor.
Kur në të gjithë pjesën e Alpeve; nga Valbona në Vermosh, ka probleme bazike në energjinë elektrike, dhe nuk është mbuluar me nënstacione rritja e pritshme e përdoruesve të energjisë. Kjo rritje, nëse sjell një çark shërbimesh dhe infrastrukture mund të jetë një kurth fatal për veriun, pasi nëse do të zhgënjehen, për vite e vite “Bavaria shqiptare” mund të shkrihet si kripa në ujë.
Nga ana tjetër, bregdeti i Velipojës, Rana e Hedhur dhe Shëngjini, janë lënë thjesht në kufizimin e një administrimi komunal nga bashkia, e cila e ka krejt të kufizuar veprimin.
Megjithatë, thelbi sërish është te rruga, pasi odiseja që ka ngjallur ndër vite strapacimi në trafik gjatë kohës së verës, mund të sjellë automatikisht që ajo pjesë e turistëve që ka më mundësi ekonomike të rrëshqasë për në jug, ku edhe rrugët janë të gjitha të ndërtuara, ku edhe tuneli i Llogarasë mund të jetë gati tashmë. E kështu nga Shëngjini në Velipojë do të shkojnë thjesht ata që kërkojnë një pushim me çmime të ulëta.
Ndërkaq, një skandal tjetër ka ndodhur në buxhet, ku sërisht shtyhet përfundimi i tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbrit, çka e bën një komoditet udhëtimin në zonën mjaft tërheqëse të Luginës së Matit, Bulqizës e Peshkopisë, e cila pëlqehet nga vizitorët, si një tërren ende i paprishur nga perandoria e betonit.
Mësohet, se Edi Rama ka projektuar që tuneli të shtyhet për zgjedhjet e 2025, e për ta lënë edhe këtë verë Dibrën pa fluks turistik.
E gjithë kjo mund të konsiderohet fare mirë një qëndrim i qëllimshëm, por në fund të fundit është një vizion i qartë i kësaj qeverie. E cila ka një prioritet, ku më shumë se 65-75% të buxhetit e dërgon në jug, së bashku edhe me fluksin e xhiros së pritshme të të ardhurave nga turizmi. Edhe pse nuk është një rrjedhë natyrale, pasi si jugu edhe veriu pëlqehen njësoj nga turistët, madje Alpet konsiderohen si “destinacioni cool”.
Po pse e saboton Edi Rama?
Thjesht që kjo sasi e parave të zbresë poshtë, sa më shumë që të jetë e mundur. / Pamfleti