Carlo Bollino, botuesi i “Shqiptarja.com”, sot në një dalje për mediat, u shpreh se ka dorëzuar një padi në Gjykatën e Tiranës ndaj një mediaje “online”.
Bollino pretendon se media “online” e bullizon me shkrime shpifje dhe ofendime prej 7 vitesh, kur e vërteta është se tek ne psh. nuk ka pasur shpifje dhe as ofendime, por denoncime për tentakulat e tij të shtrira sa te koncesionet e qeverisë, deri te pagesat e inceneratorëve.
Më interesantja është se Bollino si frikacak, nuk përmendi emër gazetari, ndonëse u kuptua qartazi se ndaj kujt dorëzoi sot padi.
Në fakt, Carlo Bollino është shembulli më i keq në gazetari, pasi është i provuar që është një botues, i cili merr para nga qeveria dhe nga pushteti lokal.
Së pari, është vërtetuar me dokumente e fatura se ai është një njeri i përfshirë në pagesat e bëra nga skema korruptive e inceneratorëve.
CNA ka publikuar faturat që vërtetonin se Carlo Bollino merrte para nga kompania e inceneratorit të Tiranës. Gjithashtu, edhe kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, publikoi disa ditë më parë dokumente që vërtetonin pagesat nga inceneratorët për këtë pronar mediash, pagesë e rritur për fushatë, e konfirmuar nga Klodian Zoto.
Së dyti, Carlo ka marrë koncesione nga qeveria shqiptare. CNA ka nxjerrë disa VKM ku tregohet se si qeveria i ka dhënë Carlo Bollino-s disa prona me qira me 1 euro.
Gjithashtu ai ka kontraktuar objektet Bunkart 1 dhe Bunkart 2. Opozita ka denoncuar publikisht dhe ka ngritur akuzat se tenderat për administrimin e ish-bunkereve të diktaturës iu dhanë kompanisë private pa garë e në mënyrë të padrejtë.
Së treti, Bollino njihet si një zë i qeverisë që më shumë se rolin e gazetarit, bën propagandën e socialistëve, të cilët e paguajnë në shumë forma.
Në fakt, do ishte më mirë që ai të shkonte në Prokurori, të përgjigjet për akuzat që kemi ngritur ndaj tij në çështjet e mësipërme të cilat nuk do ja ndalin sa herë të kemi dokumenta dhe prova. CNA.al