Sot në 30 janar Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të fusë në rend dite shqyrtimin e çështjes që lidhet me gjyqtaren Irena Gjoka, e cila për disa ditë ka qenë në qendër të vëmendjes pas dërgimit të dokumentacionit nga Prokuroria pranë KLGJ.
Prokuroria ka kryer hetime të thelluara mbi vendimin penal të Gjokës në Greqi dhe ka konstatuar se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares.
Shqyrtimi i sotëm do të fokusohet në analizimin e dokumenteve dhe vlerësimin nëse gjyqtarja plotëson kriteret ligjore për të vijuar detyrën në sistemin gjyqësor shqiptar.
RENDI I DITËS:
1. Shqyrtimi i projektvendimit “Për numrin e kandidatëve që do të pranohen në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027”.
2. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e “Raportit vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit Disiplinor gjatë vitit 2025””.
3. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e “Raport mbi veprimtarinë e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për vitin 2025””.
4. Shqyrtimi i projektvendimit “Për përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, për vitin 2026”.
5. Shqyrtimi i projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kushteve dhe dokumentacionit që duhet të plotësojë magjistrati (gjyqtar) për të përfituar kredi për banim, si dhe miratimin e listës së magjistratëve (gjyqtarë) përfitues nga skema e subvencionimit të interesave të kredisë”.
6. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e planit të komunikimit për sistemin gjyqësor”.
7. Shqyrtimi i relacionit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.








