Denoncimi tronditës i ish-oficerit të Policisë: “U mbajta peng brenda Komisariatit Nr. 2”

0

Një denoncim i rëndë për trajtim çnjerëzor dhe ndalim arbitrar brenda ambienteve të Policisë së Shtetit u bë publik në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. Kastriot Çako, ish-oficer i lartë i Policisë së Shtetit, rrëfeu se si një thirrje për “sqarim” në Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë përfundoi, sipas tij, në një “marrje peng” dhe rrezik serioz për jetën.

Sipas Çakos, më datë 10, rreth orës 10:33, ai u telefonua nga policia dhe u ftua të paraqitej për një sqarim lidhur me një çështje pronësie. Duke qenë se komisariati ndodhej pranë vendit ku po punonte, ai u paraqit menjëherë, pa asnjë kundërshtim. Por ajo që pritej të ishte një procedurë rutinë, u shndërrua në një ndalim të pajustifikuar.

Pas një kontrolli personal dhe sekuestrimit të telefonit, Çako u fut në një dhomë izolimi, e mbyllur me shul dhe dry. Ai tregon se veprimi u krye pa asnjë shpjegim dhe pa rezistencë nga ana e tij. “Jam futur në dhomën e izolimit pa bërë asnjë lloj kundërshtie dhe kam qëndruar rreth 10–15 minuta. Derën e kishin mbyllur me shul dhe me dry”, rrëfeu ai përballë gazetarit Igli Çelmeta.

Gjatë kohës që ndodhej i mbyllur, gjendja shëndetësore e ish-oficerit u përkeqësua ndjeshëm. Ai shpjegon se filloi të ndihej keq, i merreshin mendtë dhe më pas humbi ndjenjat. “Bërtita për ndihmë dhe më pas nuk mbaj mend më asgjë. U përmenda fillimisht në dhomën e ndalimit dhe më pas në urgjencën e Spitalit ‘Nënë Tereza’”, deklaroi Çako.

Ai theksoi se para se të futej në dhomën e izolimit kishte kërkuar të njoftonte familjen, kërkesë që iu lejua për pak çaste. Gjatë telefonatës, ai arriti të paralajmëronte bashkëshorten dhe t’i kërkonte të njoftonte avokatët, pasi ndjente se po ndalohej në mënyrë të padrejtë.

Në studio dëshmoi edhe bashkëshortja e tij, Rezarta Çako, mjeke me profesion, e cila tregoi se kishte shkuar menjëherë në komisariat dhe kishte paralajmëruar policinë për gjendjen serioze shëndetësore të bashkëshortit të saj. Sipas saj, Çako vuan nga hipertension i rëndë dhe takikardi, probleme të lidhura me stresin e vazhdueshëm nga procese të gjata gjyqësore.

“Unë u paraqita në tagrin e mjekes dhe i paralajmërova disa herë se gjendja e tij ishte alarmante. Hasëm në një indiferencë totale”, tha ajo. Vetëm kur situata u bë kritike dhe Çako humbi ndjenjat, policia u vu në lëvizje për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Rezarta Çako rrëfeu gjithashtu momentet e tensionuara kur policia, sipas saj, u përpoq ta menaxhonte situatën brenda mureve të komisariatit, për të mos e bërë publike ngjarjen. “Më kërkuan ilaçet, sikur unë të isha urgjenca. I kërkova prerë të njoftonin ambulancën. Kur hyra bashkë me ekipin e urgjencës, pashë një gjendje që edhe sot më shkakton rrëqethje”, deklaroi ajo.

Çifti Çako e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe psikologjik. “Kjo që na ndodhi është një përjetim që do të trondiste çdo qytetar. Policia duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit, jo të kthehet në dhunuese”, u shpreh Rezarta Çako.

Rasti i denoncuar publikisht ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e të drejtave të njeriut, procedurat e shoqërimit dhe trajtimin e personave me probleme shëndetësore në ambientet e Policisë së Shtetit. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet policore lidhur me akuzat e bëra publike në emisionin “Off the Record”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu