Deputetët e opozitës janë penguar nga garda të futen në ambientet e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Ata janë konfrontuar me efektivët, të cilët nuk i kanë lejuar të kalojnë shkallët për të hyrë në mbledhjen ku do të raportojë ministri i Financave për buxhetin e ri.
Më pas deputetët kanë shkuar në grup në zyrën e Lindita Nikollës, ku kanë hyrë më forcë deri në paradhomën e saj.
Edhe në këtë përplasje deputetët kanë patur konfrontime me efektivët e Gardës së Republikës.
“Nuk është zyra jonë ajo?”- i drejtohet Gazment Bardhi gardistëve dhe më pas çajnë “barrikadën” duke arritur që të futen brenda.
Më pas kreu i grupit të opozitës shton: “Kujt ia mbyll derën ajo?!”, referuar kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Teksa gardistën u kanë kërkuar të dalin jashtë, Flamur Noka iu është përgjigjur: “Harrojeni, këtu ose respektohen Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës, ose këtu nuk ka. Kaq.”
Më pas shton: “Le të vijë ajo zonja këtu”.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të lirohen nga garda shkallët që të çojnë në sallën ku po zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për miratimin e projektbuxhetit 2024.