Vendimi për të rifreskuar thuajse plotësisht grupin parlamentar me figura të reja e pa ngarkesa politike, për Partinë Socialiste vjen me kostot e saj. Të rinjtë duhen mësuar e trajnuar. Akademia politike e PS këtë herë nuk do të jetë një shkollë për ata që aspirojnë të përfshihen në politikë, por për ata që kanë bërë tashmë hapin më të rëndësishëm, kanë siguruar një ulëse në parlament.
53 deputetët që marrin për herë të parë një mandat, mes të cilëve 9 janë ministra aktualë, do t’i nënshtrohen trajnimeve intensive për t’u njohur me praktikën legjislative, sjelljen në parlament, detyrat dhe të drejtat që u jep kushtetuta për ta kryer mësë miri detyrën e tyre. Shkolla verore për ta fillon më 20 qershor.
Mësohet se “kursi” i deputetëve do të jetë intensiv çdo fundjavë në selinë rozë deri në fund të muajit korrik, ndërsa lektori i parë i rishtarëve të parlamentit do të jetë vetë kryeministri Edi Rama. Garda e vjetër e socialistëve, emra si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi apo politikanë që ndër vite kanë mbajtur pozicione drejtuese në Kuvendin e Shqipërisë dhe të grupit socialist, do të ndajnë me brezin e ri eksperiencën parlamentare.
Qëllimi është që deputetët të kuptojnë rolin e tyre kushtetues dhe të mësojnë si ndërtohet marrëdhënia me elektoratin, pasi pjesa dërrmuese e tyre shansin për të hyrë në parlament e mori përmes listave të mbyllura. Një sesion tjetër i posaçëm do të jetë njohja me procesin e integrimit evropian si dhe përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, leksione që do t’i japin ministrat me njohuri në fushat përkatëse, si Adea Pirdeni dhe ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
Vera për deputetët e rinj do të jetë intensive, para se në shtator të ulen për herë të parë në parlament, pa ngarkesa personale, por me peshën e përgjegjësisë që ua imponon familja e tyre politike e cila do të qeverisë vendin për mandatin e katërt radhazi.